E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji i dosjeve vjen të hënën në Kuvend

Ky vendim u mor sot në mesditë nga Konferenca e kryetarëve. "Ky ligj ka të paktën tre vjet në sirtarët e Komisionit të Ligjeve dhe është një ligj që pret trajtimin dhe mbylljen e këtij procesi", nënvizoi per mediat Patozi 

TIRANË- Projektligji "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i quajtur ndryshe 'ligji i dosjeve', do të shqyrtohet të hënën në Kuvend. Ky vendim u mor sot në mesditë nga Konferenca e kryetarëve.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, pas mbledhjes së Konferencës, bëri të ditur për mediat se "vendimi për kalimin në seancë të këtij ligji u kontestua nga përfaqësuesit e PS-së, me pretendimin se "ai po vjen shpejt në Kuvend, gjë që nuk është aspak e vërtetë".
"Ky është një nga ligjet më të arkivuara në këtë legjislaturë. Ai ka të paktën tre vjet në sirtarët e Komisionit të Ligjeve dhe është një ligj që pret trajtimin dhe mbylljen e këtij procesi", nënvizoi Patozi.
I pyetur nga gazetarët lidhur me pretendimet se ligji "synon të godasë prokurorët që kanë në dorë çështje të rëndësishme", z. Patozi e quajti këtë një "pretendim absurd dhe keqpërdorim politik".
"Ligji prek shumë nivele të administratës dhe pretendimet për goditje të prokurorëve, hetuesve, policëve apo drejtorë drejtorish, janë shumë minore në raport me efektet e vërteta dhe serioze që ka p/ligji", tha z. Patozi.
Drafti 'për hapjen e dosjeve' u miratua më 10 dhjetor nga Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e maxhorancës. Ndërkohë, opozita e majtë nuk mori pjesë në këtë proces, duke e cilësuar p/ligjin e paraqitur nga PD, si 'të njëanshëm'.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›