E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta e Edvinit, në dallgët e përçarjes enveriste

21-06-2013 / Nga Kostaq Xoxa

I biri i Ismail Qemal Vlorës, Qamili, i masakruar nga Enveri

Hyrje - E. Hoxha, para se të bënte kërdinë brenda radhëve, si ekstremist, iu vu forcave nacionaliste, të Ballit, të Legalitetit, të formacioneve socialdemokrate (s’është fjala për socdemokracinë e Gjinushit). Inkoherenca, në funksion të ambicies së tij  për pushtet vetjak të pakufizuar, ishte si një sindromë e papërmbajtshme. Ata që kanë qenë “vullnetarë” në ndërtimin e hekurudhave, i dinë mirë ato banderolat, kapanon më kapanon, në të cilat ekzaltohej figura e shokut Tito: java e sulmit për shokun Tito, fotot e mareshalit jugosllav në të gjitha mjediset e sheshit të qendrës. Altoparlantët shurdhues kudo: gjithmonë në glorifikim të Titos. Nëpër zyrat e personelit, fotoja e Enverit gjithmonë dublohej me atë të Titos (doemos edhe në zyrat administrative në qytete e fshatra, madje edhe në shtëpitë private të zelltarëve ). 
Po flasim për inkoherencën. Në parti, Enveri kaloi nga një servilizëm i pashoq ndaj M. Popoviçit e D. Mugoshës, në një baltosje të ashpër të këtyre (dhe vetvetes)  në versionin e ri politik, me ardhjen e Velimir Stojniçit (Plen. i Beratit). Pas letrave të Stalinit, qëndrimi kundërtitist u bë i bujshëm, paçka se i kishte dhënë  drejtuesit jugosllav, në kohën e mjaltit,  të drejtën që të drejtonte edhe Shqipërinë! Dokumenti i turpshëm  ekziston në nr. 1 të revistës së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Jugosllavi, e cila u zhduk, me vendim partie,  nga qarkullimi i bibliotekave, i shitoreve, si edhe nga shtëpitë e blerësve fanatikë! Së treti, e drodhi edhe me ardhjen e Krushovit në Shqipëri, të cilin e priti me salltanete të jashtëzakonshme dhe me fjalë hipokrite të dënimit të kultit të individit. Por, kur mysafiri i lartë i kërkoi rehabilitimin e Koçi Xoxes ... etj, E.H.-a e kishte të qartë, tanimë,  se kjo rrezikonte karrigen e tij. Atëherë nuk i mbetej veçse të dilte kundër Hrushovit dhe të riafirmonte kultin e Stalinit!
Edi Rama ndoqi shembullin e Enverit në zhdukjen e librit të tij “Refleksionet” dhe me zëvendësimin e tij me librin, po aq kontradiktor, siç është “Kurbani”. Inkoherencën patologjike ai e ka trashëgim nga babai shpirtëror, E. Hoxha. Nuk i ngrohu mirë vezët në librin e parë antienverist(?) të groposur dhe vajti atje, ku e ndjente veten në mjediset e ish-bllokmenëve,  me orgjitë e festave të Enverit  në Pezë dhe me futjen e katër partive komuniste në koalicionin e tij të majtë. Por edhe me kryetarët e tyre deshi të tallej, si me atë historinë e tërheqjes së veshit në Vjenë, që ai dhe lakenjtë e tij e shndërruan në një burlesk, por që i shpëtoi një tragjikomedie. Se shqiptari, mbi 12 vjeç, nuk lejon ta prekësh me dorë, vetëmse nuk je dakord me mendimin e tij. Ç’do të ndodhte sikur, befasisht, të hante ndonjë grusht hundëve dhe duk do të mjaftonin dy-tri shami që t’i ndalonin gjakun? Po kështu u veprua me ithtarët e Ramës, si në rastin kur një familje e tërë, babë, nënë dhe bijë në moshë madhore, u kapën në një supermarket duke vjedhur në një supermarket dhe u çuan në komisariat të policisë. Ndërmjet mallrave të vjedhura ishte edhe një kostum për një dymetrosh, për shefin e hajdutit që na paskësh qenë edhe përpunues i programit ekonomik  të PS-së, program i cili u shpall vetëm këto ditë, kur ngelën pa përgjigje pyetjet e analistëve sesi do të gjendej buxheti makroskopik, për spitalet falas, etj! Skandalet e ekipit ‘të përkorë’ nuk kanë të mbaruar. Griselda, një histori-horror me skenarist E. Ramën, tronditi Tania Fajonin në BE, me thirrjen e saj: - “Qenkeni kanibalë ju, shqiptarët?”. Ndërsa skenaristit të Ramës jo vetëm që s’i hyri gjemb në këmbë, por ai u gradua në Asamblenë Kombëtare të PS-së! Siç i kishte ndodhur edhe “sindikalistit pa parti” Fiqiri Xibrit, që u kap me presh në dorë, i filmuar, duke dhënë paret e ‘shërbimit’ me borderó, gjë që është një dëshmi se korrupsioni i mitingjeve na qenka bërë një fakt i kryer...Jo vetëm, por edhe gradimi i personit ‘pa parti’ na katapultohet në organet e epërme të PS-së së E. Ramës!
Njëri nga kryetarët e të katër partive komuniste, na e paska akuzuar Ramën jo vetëm si jo luajal, por edhe si mashtrues ordiner, teksa kryetari aventurier  ka bërë trysni me lakenjtë e vet, që kryetari i partisë së re komuniste, bashkë me ithtarët e tij, të votojnë  për numrin 29 (partinë e Ramës), jo për partinë e PK-së! Tani mund të kuptohet më mirë ajo thënia e të ndjerit Hysni Milloshi, që kishte deklaruar hapur se votat ia kishte vjedhur Edi Rama, jo Sali Berisha!  Kësisoj hajduti i votave, Edvini, kërkon të jetë i besueshëm në atë stereotipin e tij “Na i vodhën votat!”.  Që Rama është usta në këtë drejtim, kemi edhe dëshminë e S. Ngjelës, që ka thënë si shkarazi, si në surdinë, se në ballafaqim për bashkinë e Tiranës, Taku humbi se ia kishte vjedhur votat... E. Rama! Atëherë përse u bë kone e butë për të ruajtur votat e Edvinit, të atij që ia kishte vjedhur votat e tij?! Dhe si beson që Edi do ta bëjë ministër të Drejtësisë, kur do t’i kundërviheshin për këtë post, së paku 10 nga të tijtë? Pastaj, ku është parë që një anarkist, domethënë një shpërfillës anakronik i ligjit, të bëhet një mbrojtës i përkushtuar i ligjit?...
Por paneli i parmbrëmshëm i ligjit, i drejtuar nga Ç. Peka, tregoi se I. Meta është një kockë e fortë për E. Ramën. Në diskutim të videove Prifti-Meta, kryetari i LSI-së i doli përballë E. Ramës, të cilin e akuzoi si mashtrues  në vënien e titrave si nëntekst të këtyre materialeve filmike të përhapura, tashmë. Thëniet e z. Meta ishin të njëpasnjëshme kundër kryetarit të PS-së, i cili ishte futur, në këtë rast, në një lojë të pandershme.
Pra, në këtë katrahurë kundërthëniesh ku e ka futur partinë e tij, Edvini do të përdorte metodat e ustait për t’i zgjidhur grindjet me metodat staliniste, siç kishte bërë Enveri. Por ja që tani mushka duhet ta harrojë Valarenë. Në arenën ndërkombëtare E.R.-ja mbeti enverist i pafuqishëm, me ndarjen që bëri e majta e komunitetit ndëreuropian, duke përjashtuar nga radhët e saj (E majta Progresiste) të majtën e emërtuar Internacionalja Socialiste. Edi Rama ishte nënkryetar i kooptuar i ( i emëruar, - jo i zgjedhur) i Internacionales Socialiste, që tashmë ka mbetur me Ajalën, Papandreun dhe me ... Ramën! Tani kjo farë e majte ka mbetur si peshku pa ujë. Për Ramën po vijnë kohë të stuhishme, sikundër edhe ajo blerja e paligjshme e biletave të hyrjes në një kuvend ku Rama të ishte i pranishëm i paftuar, vetëm që të fotografohej në takim duarsh me Obamën! Kjo farsë është bërë objekt hetimesh! Vërtet demaskuese për marifetçiun Edvin, të cilit i vjedhkan votat!
***
Që është marifetçi i rangut të ulët, le të shohim edhe peshkimin e fundit të një stërnipi të I. Qemalit, i cili në titullin e një gazete të majtë, quhet nip! Këtij gjyhnaqari, i mësohet të flasë edhe me shprehje origjinale si “Shqipëria nuk e duron Salikracinë!”. Në shkrim, kemi edhe një frazë që zgjon vëmendjen: “Ai ngurroi të tregonte shkurtimisht përpara studentëve historinë e  dhimbshme të zhdukjes së familjes së shquar” (Fillimi i shtyllës së 5-të të shkrimit). Por kemi një libër të Darling Vlorës, me titullin. “Ismail Qemal Vlora - Paraardhësit dhe pasardhësit”, nëntor 1997. Këtë libër e njoh shumë mirë,  si redaktor e korrektor letrar i tij. Libri përmban qëndrimin  mizor të diktaturës enveriste ndaj farefisnisë së Plakut të Madh të Vlorës. Ky libër do t’ua mbyllte gojën të gjithë atyre falsifikatorëve të historisë të cilët, me rastin e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë, derdhën lot krokodili për ‘zbehjen e figurës së Ismail Qemnal Vlorës’.
Qamil bej Vlora (Tiranë 16.07. 1895 – Tiranë 15. 12. 1950 ishte djali dhe fëmija e fundit e Ismail Qemalit. Njihte mbi 10 gjuhë të huaja dhe kishte një kulturë të gjerë perëndimore. Për një periudhë të gjatë kohe (1926-1932) ishte Sekretar i Parë në ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zëvendës administrativ dhe konsullor.
Në vitin 1926 u dekorua nga Presidenti i Francës, Gaston Doumergue, me “Chevalier de la Legion d’Honneur” dhe, në vitin 1928, nga Qeveria shqiptare, me dekoratën “Kavalier i urdhrit të Skënderbeut”.
Në gusht të vitit vitit 1932 u largua nga Shqipëria bashkë me familjen, kur u zbulua “Organizata e Fshehtë e Vlorës”. Ndonëse kjo u diskutua shumë, nuk u vërtetua se ishte pjesëtar i kësaj organizate Miku i tij francez, Justin Godart, i krijoi mundësinë e qëndrimit në Francë.
Më 1940 kthehet në Shqipëri dhe punon si nëpunës. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, iu kërkua bashkëpunimi me ta, gjë të cilën ai kurrë s’mund ta pranonte. Më 10.12. 1947, me pretekst “armëmbajtje pa leje”, arrestohet dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Në burg sëmuret nga tuberkulozi (prill 1948) dhe pas dy vjet në Aneksin e Sanatoriumit-burg, Tiranë, vdes në mjerim të plotë, më 15 dhjetor 1950.
Vuajtjes së sëmundjes i shtohej së tepërmi edhe ajo morale, kur shikonte familjen e tij të denigrohej dhe të luftohej nga regjimi komunist, duke vuajtur për bukën e gojës. Edhe në ato kushte të rënda fizike ai mundohej ta ngushëllonte familjen, me aq sa mundej, duke i dhënë kurajë. Nga sanatoriumi i shkruante djalit të tij të madh, Ismailit:
“Tiranë, më 9.02. 1950! Ismaili im i dashur. Gjithë jetën time u përpoqa që ju, dy djemtë e mi, të jeni të kënaqur dhe të lumtur dhe të mos kuptoni mizeriet morale dhe materiale të kësaj jete (aluzion me finesë kundër gjendjes kritike të kohës – Darling Vlora). Besoj se deri diku dhe, megjithëse nuk disponoja pasuri, ju rrita me përkëdhelje dhe, në mos më mirë, por të paktën baras me shokët tuaj, më të favorizuar mbase nga situata. Tashti që u plaka dhe, për fat të keq, më preku një sëmundje që s’  ka mëshirë nuk jam në gjendje të përpiqem, por vetëm uroj dhe lus që të jeni të lumtur. Por diçka më thotë se ti, more djali im i shtrenjtë, nuk je mirë dhe je, përkundrazi, i mërzitur. Më vjen keq se nuk jam afër teje që të të ngushëlloj dhe të të kalmoj me këshillat e mia. Por, me anë të kësaj letre, dua të të them se je mjaft i pjekur nga mosha për të kuptuar se bota nuk është një fushë lumturie por, si thonë fetarët, “une vallée de larmes et de misère” ( një luginë lotësh dhe mjerimi – artikullshkruesi) dhe njerëzit nuk janë si i idealizojmë ne, por janë të shtyrë nga pasionet e tyre. Kështu, duke ditur këtë fakt, duhet të forcohemi për t’i bërë ballë gjendjeve dhe ngjarjeve që na rezervon fati…”.
Është vërtet mallëngjyese kur i biri i I.Qemalit ngushëllon familjen për vdekjen e vet!
Rreth persekutimit të familjes “Vlora” gjatë regjimit komunist, janë shkruar artikuj në gazeta të ndryshme (Në f. 74 të librit të D. Vlorës, jepen shkrime të botuara në organe të ndryshme të shtypit, me datat përkatëse, me titujt dhe me nr. përkatës. Po japim një titull: “Si u trajtuan pasardhësit e I. Qemalit, në tehun e luftës së klasave” e shkrimet e tjera me përmbajtje denigrimin komunist).

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›