E Hënë, 2 Nëntor 2026

E majtja, kjo dashuri e pamundur!

Javën që shkoi, më tepër se çfarëdo në skenën politike u diskutua lidhur me bashkëpunimin mes të majtës shqiptare. Mosmarrveshjet nisur që nga viti 2004 në qeverisje, duket se nuk kanë gjetur zgjidhje edhe 2 vjet më vonë, tashmë në opozitë. Këtë javë, e majta bëri përpjekje për tu bashkuar nën një qëndrim, një platformë politike që synonte përballjen e opozitës me mazhorancën e djathtë qerverisëse. Megjithë flirtet e ftohjet, deklaratat dhe replikat sidomos mes socialistëve dhe lsistëve, u duk se mes bijve të të njëtës derë nuk u gjet gjuha e përbashkët. Ndërsa Partia Socialiste vazhdon të mbajë lart pankartën e partisë më të madhe "mëmë" të së majtës shqiptare, LSI kërkon të evidentohet, që shumë gjëra të bëhen sipas midesë së saj. Për këtë arsye, LSI nuk ka pranuar të nënshkruajë platformën, ku u bashkuan 4 partitë e tjera të majta opozitare, PS, PSD, PAD dhe PDS. Ndonëse aleati i Ilir Metës brenda të majtës Paskal Milo, u rreshtua përkrah Ramës dhe Gjinushit, LSI ka prodhuar reagime që nuk kanë patur një bosht. Një nga eksponentët më me peshë në këtë forcë politike Sabit Brokaj, do deklaronte se LSI mund të dalë edhe e vetme në këto zgjedhje, gjë që do të ishte një harakiri për të majtën shqiptare. Bashkimi mes Ramës, Gjinushit, Cekës e Milos, nuk është i mjaftueshëm pa partinë e Ilir Metës, që ndonëse nuk fiton asgjë për vete, i sjell dëm në zgjedhjet lokale opozitës, dhe sjell një fitore të dytë radhazi të të djathës shqiptare. një tjetër problem është edhe dalja me kandidatë të përbashkët, gjë që nuk dihet sa mund të zbatohet në të gjithë Shqipërinë. Ndoshta mund të flitet për kandidatë të përbashkët të së majtës vetëm në qytetet kryesore të vendi si Tirana, Shkodra, Durrësi apo Vlora. Nga ana tjetër mazhoranca megjithë problemet dhe divergjencat brenda saj, vazhdon të jetë e bashkuar nën çatinë e pushtetit, ndërsa mendohet se një tablo e tillë do të vazhdojë deri në zgjedhjet për pushtetin vendor. Ndërkohë, një mosgjetje e rrugës së përbashkët të së majtës, sjell edhe njëherë në skenën politike një nga aktorët më të vjetër të 15 vjetëve të fundit, ish-kryeministrin dhe ish-liderin socialist Fatos Nano. Zëra pranë tij, thonë se Nano po e lë të majtën të shkojë drejt një përçarje më të madhe, e cila padyshim do sillte disfatë në zgjedhjet vendore. Vetëm pas kësaj mendohet se Nano do të kthehet si një shpëtimtar i rehabilituar në PS. Gjithsesi, lideri aktual socialist Edi Rama, po përpiqet të afrojë Ilir Metën nën çadrën e grisur opozitare, duke e parë si mundësinë e vetme të fitores në zgjedhje, dhe si rikonfirmim të tij në krye të socialistëve. Gjithsesi, LSI mbetet një "e dashur" e vështirë, që po krijon një dashuri të pamundur në të mëngjër të politikës shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›