E Shtunë, 31 Tetor 2026

E marrin seriozisht

Për dallim prej iniciativave të mëhershme, nisma e Aleancës Kuqezi për bashkimin e futbollit shqiptar ka nisur të merret seriozisht nga krerët e Federatës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Madje, kryetari i FSHF-së, Armand Duka të enjten i ka zhvilluar kontaktet e para me udhëheqësit e futbollit kosovar rreth kësaj çështjeje. Pritet që këtë temë Armand Duka ta hapë edhe në UEFA.

Iniciativat e mëhershme për bashkimin e futbollit të Kosovës me atë të Shqipërisë ishin të zbehta dhe nuk merreshin fort seriozisht nga udhëheqësit e dy federatave.

Mirëpo, nisma e së mërkurës nga Aleanca Kuqezi për bashkimin e futbollit të Kosovës me atë të Shqipërisë shumë shpejt ka nisur të diskutohet me seriozitet të madh në të dyja vendet, përfshirë edhe nëpër institucione sportive e politike.

Në fakt, iniciativa e Aleancës Kuqezi - ‘Një komb, një kampionat’ - duket se është marrë seriozisht për shqyrtim edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Madje, kreu i FSHF-së, Armand Duka të enjten i ka zhvilluar kontaktet e para me krerët e FFK-së rreth kësaj iniciative të Aleancës Kuqezi, por edhe për rastin e FC Prishtinës, e cila ka kërkuar nga krerët e shtetit shqiptar dhe të FSHF-së që të lejohet për të marrë pjesë në garat e elitës së futbollit të Shqipërisë prej edicionit të ardhshëm.

Këtë e ka bërë të ditur për Express, sekretari i përgjithshëm i shtëpisë së futbollit kosovar, Eroll Salihu. Sipas tij, të dy federatat janë të vetëdijshme se është shumë e vështirë që kjo iniciativë të realizohet, pavarësisht dëshirës së madhe. Por, ai tregoi se Armand Duka do të hulumtojë edhe në UEFA rreth gjetjes eventuale të ndonjë mundësie për realizimin e kësaj nisme.

“Normalisht që është dëshirë e të gjithëve që ta kemi një ligë të përbashkët. Nuk ka shqiptar që kjo nuk i pëlqen. Por, duhet kuptuar se është shumë, shumë vështirë të realizohet. Ne si FFK jemi në proces të anëtarësimit në FIFA e UEFA. Dhe në këtë kohë është e pamundur të realizohet, pasi UEFA nuk na njeh ne, ashtu sikurse FSHF-në. Do të ishte shumë më lehtë që kjo iniciativë të realizohej pasi të anëtarësohemi edhe ne në FIFA e UEFA, sesa tani, pasi atëherë do të bëheshim edhe ne federatë e barabartë me FSHF-në”, ka deklaruar Salihu për Express të enjten.

“Ne sot (e enjte) kemi diskutuar edhe me Armand Dukën, me të cilin kemi raporte të shkëlqyeshme. Edhe ai është i vetëdijshëm se është shumë vështirë të realizohet kjo iniciativë, pavarësisht dëshirës së madhe. Mirëpo, ai theksoi se megjithatë do të hulumtojë në UEFA rreth kësaj çështjeje, por duhet kuptuar se është shumë e vështirë. Më lehtë mund të jetë pas ndërkombëtarizimit edhe të FFFK-së”, theksoi Salihu.

Duke e parë izolimin në të cilin gjendet futbolli kosovar tash e disa vjet rresht, Aleanca Kuqezi të mërkurën prezantoi nismën e re të saj, ‘Një komb, një kampionat’. Në këtë mënyrë, kjo aleancë beson se futbolli i kosovar do të dilte në dritë nga tuneli i errët. Madje, Aleanca Kuqezi kishte kërkuar nga FSHF-ja dhe FFK-ja që ta mbështesin nismën e saj, duke u bërë thirrje dy federatave që bashkërisht t’i nisin negociatat me UEFA-n e FIFA-n për bashkimin e futbollit shqiptar.

Ndërkohë, edhe FC Prishtinës i ka humbur durimi duke garuar vetëm brenda Kosovës. Bardhekaltrit kanë kërkuar nga të gjitha institucionet politike e sportive të Shqipërisë që ta lejojnë të marrë pjesë në kampionatin shqiptar. Madje, kreu i prishtinasve, Remzi Ejupi shpreson se skuadra e tij do të marrë një përgjigje pozitive nga Tirana.

Duhet theksuar se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kjo temë është diskutuar disa herë në të dy vendet. Një diskutim më i madh u bë disa muaj më parë, por vetë krerët e FSHF-së dhe ata të FFK-së e patën hedhur poshtë mundësinë e realizimit të bashkimit të futbollit shqiptar, pasi ata thoshin se një gjë e tillë bie ndesh edhe me rregulloret e FIFA-s e UEFA-s.

Lëvizja për Bashkim ‘pro’ ligës së përbashkët

Lëvizja për Bashkim (LB), nëpërmjet një kumtese, të enjten e ka mbështetur fuqishëm kërkesën e FC Prishtina për t’u bërë pjesë e elitës së futbollit të Shqipërisë. Sipas kësaj lëvizjeje, nisma e FC Prishtinës mund ta thyejë izolimin në të cilin gjendet futbolli kosovar tash e shumë vjet. “Mendojmë se kjo është rruga më e lehtë, më e shpejtë dhe më e logjikshme që të shpërthehet izolimi i sportit të Kosovës. Të gjitha pengesat e mundshme për liga të përbashkëta të sporteve do të tejkaloheshin pa vështirësi të mëdha sikur të kishte vullnet institucional në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë drejt realizimit të këtij qëllimi”, thuhet në kumtesën e LB-së, ku theksohet se krijimi i një lige të përbashkët do të sillte të mira të gjithanshme, posaçërisht për futbollin shqiptar. Andaj, LB-ja u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse nga të dy shtetet që ta shtyjnë më tej këtë nismë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›