E Shtunë, 31 Tetor 2026

E masakrojnë dhe e hedhin në plehra

Artan Bekteshi u nis dje për punë, por u gjet pa jetë në Breg të Lumit. Djali i ardhur nga një familje e varfër nuk dihej të kishte konflikte me njëri. Misteret e vrasjes së 20-vjeçarit

TIRANË – Katër orë pasi u gjet i pajetë trupi i një të riu rreth 20 vjeç, në Bregun e Lumit, i cili u identifikua më pas si Artan Bekteshi, familjarët e tij ende nuk dinë se çfarë gjëme u ka ndodhur. E ndërsa troket në portën blu të një shtëpie private në rrugën “Bajram Çela” në lagjen e Porcelanit, në familjen Bekteshi gjen vetëm dy motrat e viktimës, të cilat nuk janë në gjendje të thonë as se çfarë ka ndodhur. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, u tha se “rreth orës 10:30 është gjendur i vdekur një shtetas në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në pjesën veriore të Urës së Qerosës në Bregun e Lumit në Tiranë. Edhe pse ende i paidentifikuar, viktima është i seksit mashkull, rreth moshës 20 deri në 25 vjeç, dhe dyshohet të jetë endacak. Trupi i tij është gjendur në afërsi të Bregut të Lumit, në një zonë e cila shërbente për hedhjen dhe grumbullimin e mbeturinave dhe inerteve. Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, dyshohet se vdekja e të riut ka ardhur si pasojë e disa goditjeve të marra me sende të forta në pjesën e kokës”. Disa orë pas ngjarjes, punën e agjentëve të Sektorit të Krimeve Kundër Jetës e ka ndihmuar së tepërmi pronari i kompleksit në të cilin punonte si pastrues e hera-herës si punëtor krahu 20-vjeçari. Duke qenë se goditjet prapa kokës kanë qenë shumë të forta, identifikimi i kufomës ka qenë paksa i vështirë, por jo i pamundur për punëdhënësin e djalit të ri të gjetur të vdekur. Vetëm disa minuta më pas policia ka mbërritur në familjen Bekteshi dhe ka marrë me vete të ëmën e viktimës, për të marrë të dhëna rreth jetës që bënte Artani, i cili njihet nga të gjithë njerëzit e lagjes si një njeri shumë i urtë dhe që shihte vetëm punën e tij. Por jo të të njëjtit mendim duhet të ketë qenë dhe personi apo personat që e kanë eliminuar. Gjendja e vështirë ekonomike e familjes, e cila banonte prej afro një viti në Tiranë, duke u shpërngulur nga një fshat i Tiranës, dhe mungesa e një shkollimi e kishin detyruar të riun që të punonte si punëtor krahu në një pallat vetëm disa metra larg shtëpisë së tij, në buzë të rrugës. Ai kishte dalë si çdo ditë nga banesa orët e para të mëngjesit, për të nisur punën e tij normale. Por i vetmi që ka ndjerë mungesën e Artanit ka qenë punëdhënësi i tij, i cili mësohet që të jetë interesuar, pasi ka parë në media kufomën e një djali 20 vjeç, që i korrespondonte djalit që e mbante aq afër dhe të ketë shkuar më pas për identifikim në morg. Ndërkohë që nga ana e policisë ende nuk bëhet i ditur asnjë informacion në lidhje me shkaqet që mund të kenë çuar në ekzekutimin e Artan Bekteshit, i cili nuk ka pasur asnjë armiqësi e asnjë konflikt me asnjë person.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›