Republikanët votë kundër Mediut

Republikanët do të votojnë “pro” kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të gjithë deputetët e PR-së do të votojnë për hetimin e mëtejshëm nga prokuroria të kryetarit të tyre. Pas mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, i tha “Korrierit”, se falë qëndrimit të vet politik, të shfaqur edhe në të shkuarën, republikanët do të ngrenë kartonët jeshilë, për t’i hapur rrugë Prokurorisë së Përgjithshme që të vazhdojë hetimet. “Vota është e deklaruar, sepse orientohet nga qëndrimi ynë politik për çdo rast, për dhënien e autorizimit të hetimit sa herë ta kërkojë prokuroria”, - deklaroi republikani Madhi. Ashtu sikundër PR-ja, pritet të votojnë edhe të gjitha partitë e tjera parlamentare. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Rregullores shprehën dje qëndrimin “pro” kërkesës së Prokurorisë. Unanimiteti i shprehur nga përfaqësuesit e partive në këtë këshill, pritet të pasohet edhe në seancën plenare. Votën “pro” edhe të demokratëve, e konfirmoi më pas për “Korrierin” edhe Ilir Bano, nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së. Pra, do të mungojë përplasja për lejimin e prokurorisë, për të vazhduar hetimet, por qëndrimet do të jenë të ndryshme, lidhur me faktin nëse dokumentacioni i paraqitur nga prokuroria fakton apo jo shkelje të ish-ministrit të Mbrojtjes. Sipas burimeve, raporti i republikanëve thekson faktin se ekzistojnë provat, ndërsa për socialistët është e kundërta. Të dy relatorët, socialisti Besnik Dervishi dhe republikani Arian Madhi, do të hartojnë për të hënën një raport të përbashkët, ndërsa mendimet e ndryshme do të jenë veç. I tillë është ai lidhur me atë çka vërtetojnë provat e paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme. Arian Madhi thotë se dokumentet e vënë në dispozicion nga prokuroria nuk vërtetojnë akuzat për shpërdorim detyre, shmangie të strukturave ushtarake dhe favorizim të Delijorgjit. “Nga ballafaqimi i provave të prokurorisë, na rezultoi se pretendimet e Prokurorisë së Përgjithshme janë të paargumentuara, me prova dhe fakte. Për sa i përket akuzës për shpërdorim detyre, nuk rezultuan prova që të krijojnë bindjen e arsyeshme për akuzën e ngritur. Edhe lidhur me favorizimin ndaj Delijorgjit, s’ka asnjë provë të vetme. Forcat e Armatosura nuk janë shmangur, pasi ato ishin në dijeni. Transporti është bërë me makina ushtarake. Ata raportonin përditë për sasinë dhe llojin e municioneve”, - u shpreh Madhi. Ai shtoi se strukturat e specializuara nuk e kanë informuar ministrin lidhur me rrezikshmërinë e vijimit të demontimit të municioneve në Gërdec. Për një pjesë tjetër është e kundërta dhe provat janë mëse të mjaftueshme. Por të gjithë palët, të bindur ose jo për këtë, do të votojnë “pro” heqjes së imunitetit. Më pas, vijimi i hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme dhe vendimi i Gjykatës do të vërtetojë nëse vërtet ish-ministri i Mbrojtjes ka shpërdoruar ose jo detyrën. saqellari@korrieri.com