E mashtrojnë dy të rinj, i grabisin 7 milionë lekë
Vlorë- Ai që të vjedh mund të jetë i veshur edhe shik. Këtë më mirë se kushdo e ka kuptuar një qytetar, i ardhur me punë në Vlore, i cili pas një bisede me dy persona, i kanë munguar në çantën e tij plot 7 milionë lekë.
Ngjarja ka ndodhur pranë rrugës kryesore të qytetit bregdetar. Qytetari, i cili ka bërë denoncimin në polici, ka shpjeguar se në ato momente i është kërkuar një informacion nga dy të rinj. Pikërisht teksa kanë hyrë në bisedë me ta, ata kanë mundur t’i grabisin portofolin, duke përfituar edhe nga mbipopullimi i trotuarit në këtë zonë.
Dy mjete policie kanë mbërritur me të marrë sinjalizimin, por ka qenë e pamundur kapja e dy të rinjve, të cilët i janë bashkuar thjesht rrjedhës së shëtitësve përgjatë rrugës kryesore, për të përdorur më pas automjetin.
Emri i personit që ka rënë pre e mashtrimit nuk është bërë i ditur nga policia, e cila njofton se po heton për identifikimin e autorëve.
Rasti i denoncuar së fundi, në fakt nuk është i vetmi. Ka shumë të tillë të denoncuar nga qytetarë, e sidomos të ardhur me pushime, të cilët janë bërë pre e mashtrimit. Po një tjetër pushues nga Korça ka denoncuar dje vjedhjen e automjetit të tij, të cilin e kishte parkuar në parkingun e plazhit Zhiron. Vera ka rritur numrin e vjedhjeve, sidomos në zonën pranë bregdetit, ku janë akomoduar një numër relativisht i lartë pushuesish.