E Diel, 1 Nëntor 2026

“E mbush me fjalë kazani një gjysmë gazetë që herë botohet, herë zhduket”

29-05-2012 / Gazeta 55

Rama përdor emrin e Ruçit në fletërrufetë mediatike kundër qeverisë

Kryeministri tha gjithashtu dje se në vend që Edi Rama t’i përgjigjej ftesës së PD për dialog me qëllim zgjedhjen e Presidentit në mënyrë konsensuale, nisi një editorial se do rrëzojë qeverinë me çdo kusht. Sipas Berishës, Rama shkoi edhe më tej kur përdori emrin e Gramoz Ruçit, në një intervistë - fletërrufe që gjen hapësirë në një gjysëm gazete. “Ne iu drejtuam Partisë Socialiste dhe z. Patozi i bëri një letër, një ftesë me shkrim z. Ruçi, që të takohen dhe të bisedojnë për këtë çështje themelore të vendit dhe të shqiptarëve. Për t’u takuar dhe biseduar jashtë çdo lloj paragjykimi apo tendence për ta shndërruar kandidaturën e Presidentit në një plaçkë tregu, përkundrazi, për të bërë vendin me kandidatin më dinjitoz, më përfaqësues, më të pranueshëm, më euro-atlantik në orientimet e tij. Por në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht se do të rrëzojë këtë qeveri më çdo kusht dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i qeverisë është problemi kryesor i këtij vendi dhe i Edi Ramës, sipas tij dhe se zgjedhja e Presidentit dhe çdo gjë duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë. Ky editorial erdhi pas një vetë - interviste që z. Rama botoi, duke i vënë emrin e Ruçit. Këtë mënyrë ai e përdor kur do të nxjerrë në media, të gjitha fjalët e kazanit. Ka blerë një gazetar të një gjysmë gazete, që herë botohet, herë zhduket, i ka dhënë atij një rrogë që të pranojë t’i japë emrin dhe kur do të vërë një maskë politike, përdor Gramozin, por këto janë punë të tyre. Në këtë vetë – intervistë që i bënte vetes, qartësonte katërçipërisht dhe tërësisht se ata nuk do të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, pardje vonë njoftuan që z. Ruçi do të kthehej nga takimet që kishte dhe u fiksua takimi në orën 11:00” - tha kryeministri.
Heqja e imunitetit - Rama, i marrë peng nga “bosët” e grupit parlamentar/Kryeministri Berisha bëri përgjegjës kreun e PS-së, Edi Rama për zvarritjen e projektligjit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Pasanikët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste e kanë rrethuar Edi Ramën dhe refuzojnë me çdo kusht të dorëzojnë imunitetin”- tha kryeministri. Ai kujtoi se Partia Demokratike, menjëherë pas ardhjes në pushtet në 2005-n, dorëzoi në parlament ligjin (me 3/5), për kufizimin e imunitetit për deputetë, gjykatësit e të tjerë. Mazhoranca u angazhua plotësisht në këtë çështje, ku nuk mungoi asistenca e Komisionit të Venecias, por ajo që u bë pengesë, ishte opozita e cila asnjëherë nuk reflektoi për miratimin e ligjit. “Komisioni i Venecias, pas ekspertizës, me shumë të drejtë theksoi se heqja e imunitetit mund të bëhet duke ndryshuar ligjet organike të institucioneve, edhe për parlamentin me 3/5-at dhe ligje të tjera. Ne ishim dakord plotësisht, por opozita kundërshtoi dhe deklaroi jo. Kjo mund të bëhet vetëm me ndryshim të Kushtetutës. Para rreth një viti, në Tiranë u organizua një seminar për heqjen e imunitetit. Specialistë të Këshillit të Evropës deklaruan se heqja e imunitetit duhet të bëhet me ndryshim të Kushtetutës. Ne, pavarësisht se e kishim kundërshtuar, u shprehëm plotësisht dakord. Le të zgjedhë opozita cilën formë të dojë dhe ne do ta votojmë. Grupi ynë i punës u angazhua seriozisht në këtë çështje. U vendos që të bëhej një seminar me dy faza, kjo me sponsorizim të BE-së. Faza e parë do të ishte nga data 27-28 prill dhe faza e dytë dhjetëditëshin e parë të majit. Faza e dytë do të ishte shkrimi i amendamentit, përgatitja e projektit. Por ato nuk u bënë as në fund të prillit, as në fund të majit, sepse zotin Rama nuk e lanë “bosët” që e rrethojnë të prekte imunitetin. Kjo është e vërteta. Thuaja Fidelit nëse mund t’ia prekësh imunitetin atij, apo grupit të biznesmenëve të tjerë të tij. Gjeni ndonjë gjykatës militant që thotë; jo, është i parakohshëm heqja e imunitetit. Më duhet t’ju them se, burime të sigurta na thonë se ata nuk kanë ndërmend. Ndaj u shty konferenca. Tani nuk flitet më për konferencë. Zoti Rama nuk e ka çështjen për vete, sepse vet nuk ka imunitet, por atë nuk e lë Fideli, nuk e le Tomë Doshi, nuk e le ai kështjellari që ka në Petrelë një imitim kështjelle. Atyre u duhet imuniteti. Pra, ai nuk e ka problemin me Sali Berishën, e ka me “klubin” e miliarderëve të PS-së. Nuk pranon dot Sadri Abazi të heqë imunitetin. Ai është i gatshëm të japë 2/3 e pasurisë dhe të mbajë imunitetin. Kjo është e vërteta. Pastaj zoti Rama bën hipokrizi dhe thotë që të mblidhemi bashkë në një tryezë dhe t’i zgjidhim të gjitha këto. Përse kjo tryezë? A ramë dakord që të mblidhemi në një seminar, ta zgjidhim këtë çështje në 2 workshop-e, në praninë ndërkombëtare të Këshillit të Evropës? Por ti, tjetër axhendë bën me faktorin ndërkombëtarë dhe tjetër axhendë bën me miliarderët e tu. Ky është vetëm qëndrim bllokues” - tha kryeministri. Ai i apeloi kreut të opozitës që, në interesin më të mirë të vendit, “të angazhohemi për t’i dhënë Shqipërisë një president të besueshëm, një president i cili u fakton shqiptarëve se di të qëndrojë mbi forcat politike, se di, me respektimin e frymës dhe germës së Kushtetutës, të faktohet një president simbol i unitetit të shqiptarëve, që di të jetë një avokat dinjitoz i interesit kombëtar kudo që shkon dhe kudo që ndodhet”.
Bisedimet për presidentin – shefi i mazhorancës takon sot Vangjel Dulen/Kryeministri Sali Berisha do të takojë sot kreun e Partisë Bashkimi për të Drejta e Njeriut, Vangjel Dule. Ky do të jetë takimi i fundit në serinë ë takimeve të iniciuara nga Partia Demokratike në turin e parë, kur forcat politike ende nuk kanë folur me emra kandidatësh. Më herët të mandatuarit e demokratëve në këto negociata, Berisha, Patozi dhe Spaho u takuan me krerët e forcave politike aleatë në bashkëqeverisje. Të dielën u zhvillua takimi mes demokratëve dhe socialistëve në nivel kryetarësh të Grupeve Parlamentare, takim që nuk rezultoi i frytshëm për shkak të kushteve që lëshoi në tavolinë forca kryesore e opozitës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›