Ramës nuk i intereson as presidenti, as integrimi
Axhenda politike e opozitës s’ka asnjë lidhje me zgjedhjen e kreut të shtetit e as me marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Interesi i tij kryesor është oborri personal i OJQ-ve që sponsorizon, i rrethit të ish-bashkëshorteve si dhe i qarqeve apatride që s’duan që Shqipëria të jetë një faktor stabiliteti në rajon
Çdo ditë që kalon, Edi Rama konfirmon se atij, jo Presidenti që nuk i intereson, por se nuk i intereson as integrimi, megjithëse çirret gjithë kohën “në emër të integrimit”.
Këtu ai e ka edhe merakun më të madh, të shprehur në mënyrë të përsëritur pak ditë më parë, saktësisht që kur e harroi Presidentin, sepse kuptoi se bllokimi i zgjedhjes së tij ishte një “mission impossible”. Ndaj edhe i është kthyer avazit të vjetër, jo të mos interesimit të integrimit, por të bllokimit të procesit të integrimit të Shqipërisë. Por këtë po e bën në mënyrën “më të trashë” të mundshme, duke bërë me dëshirë rolin e atij “që kur harron, nuk mban as mend”.
Jo më larg se 14 nëntori i vitit 2011, e njohur si datë e marrëveshjes mazhorancë – opozitë, Konferenca e Kryetarëve miratoi propozimet e dy kryetarëve respektivë të grupeve parlamentare të PD-së e PS-së, Astrit Patozi e Gramoz Ruçi. Ndër këto propozime të miratuara ishin, “ngritja e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore” dhe “ngritja e grupit të punës për rishikimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregulloren e Parlamentit Evropian”.
Në bazë të këtij vendimi, sipas edhe modaliteteve të përcaktuara, u ngritën respektivisht “Komisioni i Reformës Zgjedhore” dhe “Grupi i Punës për Rregulloren e Parlamentit”. Funksionimi i tyre ka qenë normal.
Por çuditërisht, kur finalizimi i punës së tyre, për pasojë edhe i produkteve të tyre është shumë i afërt, Edi Rama kërkon “finalizim”, sipas standardeve të tij, duke tentuar të sajojë thirrjen e një tryeze me krerët e partive parlamentare.
Duke qenë se ai vetë si kreu i një partie parlamentare është i vetmit me këtë “status” që nuk është deputet, ai vazhdon të bëjë ende atë “që kur harron, nuk mban mend”, për aq kohë sa krerët e partive të tjera parlamentare kanë miratuar dhe votuar një herë respektivisht “Komisionin e Reformës Zgjedhore” dhe “Grupin e Punës për Rregulloren e Parlamentit”. Se çfarë duhet të miratojnë e votojnë ata, tjetër, apo ndryshe nga çfarë kanë miratuar e votuar një herë..., këtë vetëm Edi Rama e di?!
Thjesht Damian Gjiknuri, bashkëkryetari socialist i demokratit Ilir Rusmali në “Komisionin e Reformës Zgjedhore”, duhet lënë të punojë, bashkë edhe me shprehjen e besimit nga ana e Edi Ramës dhe jo të bëjë lojëra për “finalizimin e finalizimit”. Ashtu sikurse edhe Namik Dokle, bashkëkryetari socialit i demokratit Viktor Gumi në “Grupin e Punës për Rregulloren e Parlamentit”, duhet nxitur dhe jo penguar nën pretekstin e ngritjes së tryezave partiake mbi nivelin e Parlamentit dhe vendimeve të tij me konsensus të gjerë.
Sa për punën heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë, ky debat është aq i vjetër, sa Edi Rama nuk e mban mend, ndaj edhe kur i kujtohet, nuk përton të lëshojë shashkën e radhës.
Kjo mënyrë të sjelluri e të vepruari prej Edi Ramës është pjesë e axhendës politike të opozitës, e cila, s’ka asnjë lidhje me zgjedhjen e kreut të shtetit e as me marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Mes lojërave e thirrjes së tryezave, për tu bërë “refresh” vendimeve të tryezave të mëparshme, Eid Rama nuk mund ta fshehë se interesi i tij kryesor është oborri personal i OJQ-ve që sponsorizon, i rrethit të ish-bashkëshorteve si dhe i qarqeve apatride që s’duan që Shqipëria të jetë një faktor stabiliteti në rajon.
Për këtë edhe tentoi po nuk i eci të trafikonte si kandidat për deputet, ortakun e një prej ish-grave, pse edhe të gruas së tij të radhës. Kaq i interesonte ky proces...
Dhe kur kuptoi se kandidati i “shoqërisë civile” për President, kishte shanse për tu zgjedhur si kreu i shteti, shumë më pak se Ardian Visha për në KLD, Edi Rama e hodhi në “koshin e harresave” të tij edhe këtë proces, megjithëse në 30 prill ju kërkoi takim krerëve të partive parlamentare, nëpërmjet një letre publike për “procesin e zgjedhjes së Presidentit”, megjithëse pas kësaj date takoi disa krerë partish..., pse jo edhe hëngri “ngjalën e freskët” te Gjiri i Lalzit..., çuditërisht i injoroi këto takime e biseda dhe jo më larg se dy ditë më parë, e kishte degdisur dhe klasifikuar “procesin e zgjedhjes së Presidentit”, si “prioritetin” e fundit..., me gjithë konsumimin edhe personal të tij për këtë “proces”...