Thirrja për rrëzimin e qeverisë, rrushi i papjekur i Edvinit
Përpjekja për prodhimin e një krize parlamentare synon të fshehë dështimin e opozitës në betejën politike kundër mazhorancës
Duke iu referuar diskutimeve të reformës zgjedhore, Berisha akuzoi Ramën se e ka bllokuar punën në dy pika: në elektronikë dhe mosbesimin e komisionerëve, të cilat bien ndesh me ODIHR. “Z. Rama, pasi bllokoi për dy vite me radhë statusin e vendit kandidat, pasi organizoi sulmin me dhunë ndaj kryeministrisë dhe përpjekjen për përmbysjen e qeverisë me dhunë, pasi bëri fushatë në gjithë vendin, “hap kutitë që të marrim vizat” dhe loboi fuqishëm kundër marrjes së vizave, pasi pranoi në tetor të vitit të kaluar, nga leksioni që i dhanë zgjedhësit, pikë për pikë ato që i ishin ofruar dy vite me radhë, tani dëshmon se ka vetëm një qëllim madhor: rrëzimin e qeverisë, po pati mundësi, por që nuk e realizon dot, se është tërësisht i dështuar. Ka dy vjet që i mashtron bashkëpunëtorët e tij se rrushi do të piqet në pranverë, do të piqet në verë, do të piqet në vjeshtë, por rrushi i tyre mbeti i papjekur. Pas katër muaj punë intensive, në të cilën të dy forcat politike punuan, socialistët sollën çdo propozim, ndërkohë që ne, ashtu siç u zotuam, shqyrtuam vetëm propozimet e tyre, reforma zgjedhore ka marrë pothuajse absolutisht formën përfundimtare. Ajo është bllokuar në pikat me të cilat z. Rama kërkon ose të dënojë zgjedhjet, ose të shkatërrojë zgjedhjet. Pika e parë është elektronika. Gjatë debatit për vendosjen e saj, të bindur se ajo përbente një rrezik për zgjedhjet, por duke ditur fobinë e tij të tmerrshme ndaj komisionarëve, pasi, në asnjë mënyrë, ai nuk mund t’u besojë komisionerëve të PS-së, ndaj vendosi sistem elektronik, të atillë që sipas ODIHR-it nuk mund të instalohet të paktën pa u praktikuar 24 deri në 36 muaj, sepse kërcënon seriozisht zgjedhjet, me defektet që mund të pësojë, ne e pranuam. Zoti Rama thotë që ne e pranuam këtë. Ne kemi deklaruar që në nisje se do pranojmë vetëm ato propozime, për të cilat ODIHR-i jep opinion pozitiv, sepse zgjedhjet janë kombëtare dhe ndërkombëtare. Nëse merr përsipër t’i thuash “plaç” ODIHR-it, i cili është garant i standardit, sipas ligjit, edhe ai nuk ka përse t’i vëzhgojë zgjedhjet e tua, por ka 100 motive t’i dënojë ato, sepse së pari, ti përdor praktika të bllokuara, të cilat shkatërrojnë procesin zgjedhor, së dyti përdor praktika që jo vetëm nuk e hapin sistemin ndaj zgjedhësit, por, përkundrazi, ndikojnë në rritjen e pamundësisë për të votuar të atyre që janë në vështirësi, në nevojë, në stade të ndryshme. Pra, ke përdorur praktika, të cilat ODIHR-i, Kodi i Venecias për zgjedhje të lira, Kodi i IFES për zgjedhje të lira, nuk i pranojnë kurrsesi. Edhe gjykatat, sa herë që janë marrë në gjykim këto praktika, i kanë hedhur poshtë” - tha ai. Kryeministri e cilësoi të papranueshëm formulën e propozuar nga PS që dy militantë partiakë të kenë tagrin e KQZ-së, me qëllimin e vetëm që të shkatërrojë procesin. “Tani na del e paimagjinueshmja. Kërkon që dy militantë të partisë së tij, ose qoftë edhe të partisë sime, të kenë tagrin ligjor që në KQZ, të hapin nga e para të gjithë procesin. Por, kur bën një kërkesë të tillë, a e kupton që kjo është shkatërrimtare për procesin zgjedhor? Kjo është absolutisht më e dëmshme për opozitën sesa për qeverinë, pasi opozita mund të plotësojë këtë dyshe për ta kërkuar një herë këtë gjë, por qeveria mund ta kërkojë 2 herë, sepse ka katër komisionerë. Atëherë, çfarë do të bëjmë ne? Të krijojmë mekanizmin e degjenerimit dhe degradimit të procesit zgjedhor, duke e shtyrë atë në kalendat e Edi Ramës, apo të atij që i intereson të mos ketë rezultate, qoftë dhe vet qeverisë? A mund të ketë logjikë njerëzore që dy persona, dy partiakë, pa qenë gjykatës, - pasi gjykatësit e kanë këtë të drejtë, pasi është politika dhe Kushtetuta në mbarë botën që u ka dhënë fuqinë e pavarur-, por a ka mundësi që dy partiakë të kenë në dorë procesin zgjedhor, të përmbysin të gjitha vendimet, sepse ngushtohet rrethi? Ai beson se mund të gjejë dy besnikë të vetët për të zbatuar urdhrat që do u japë atyre. Kjo nuk mund të pranohet” - tha më tej Berisha.