E Shtunë, 31 Tetor 2026

“No Easy Day”-libri që hidhëroi Pentagonin

Kujtimet e një ish-ushtari të njësive elite të SHBA-së, në lidhje me sulmin kundër udhëheqësit të Al Qaides, Osama Bin Ladenit, janë shndërruar në “bestseller”. Por autori mund të përballet me një dënim të rëndë.

Çfarë ka në kokë një njeri, i cili qëndroi përballë Bin Ladenit dhe shkrepi plumba në drejtim të tij? Njeriu që ishte në helikopterin, i cili në mbrojtjen e errësirës fluturoi nga Afganistani për në Pakistan, për të sulmuar strehimoren e kryesuesit të Al Qaidës?

Njeriu i cili në çdo moment duhej të llogariste me një sulm të forcave pakistaneze të sigurisë, ngase gjatë këtij aksioni të fshehtë të SHBA-së ishte shkelur sovraniteti i Pakistanit? Njeriu i cili nuk dinte se sa njerëz të armatosur ka në shtëpi dhe i cili nuk e dinte se a do të mbijetonte natën e 2 majit 2011?

Matt Bissonette, ish-pjesëtarë i njësisë elite Navy Seal, i cili javën e ardhshme do të prezantojë librin e tij për aksionin lundër Osama Bin Ladenit, i përjetoi të gjitha këto gjëra dhe tani do të përballet me telashe tjera. Të enjten Pentagoni njoftoi se po shqyrton mundësinë që të ndërmerr hapa ligjor kundër tij. Ngase Bissonette, i cili verën e kaluar u largua nga shërbimi, ka shkelur betimin e tij të bërë në vitin 2007 që të mos bëjë publike informata të klasifikuara.

Por pikërisht këtë e bën ky 38 vjeçar në librin e tij, “No Easy Day”, në të cilin flet për operacionin ushtarak kundër Bin Ladenit, të cilin atëbotë në Shtëpinë e Bardhë e kishte përcjellë drejtpërsëdrejti edhe presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

“Ministria e Mbrojtjes po shqyrton mundësinë që të kërkojë përgjegjësi ligjore nga ju me të gjitha mjetet, të cilat i kemi në dispozicion, e gjithashtu edhe ndaj atyre, që ju kanë ndihmuar”, u theksua në letrën e Jeh Johnsonit, juristit kryesor të Pentagonit.

Letra e Pentagonit i ishte drejtuar Mark Owenit, pseudonim ky me të cilin Bissonette e ka shkruar librin e tij.

Vetëm një ditë më vonë, kanali televiziv, Fox News, zbuloi identitetin e autorit. Kur javën e kaluar u bë publik lajmi për këtë libër, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë u kapën në befasi.

Sipas versionit të deritanishëm të ngjarjes, njësia Navy Seal kishte hyrë në dhomën e fjetjes së Bin Ladenit, në shtëpinë e tij në Abottabad dhe se e kanë qëlluar atë me plumba në gjoks dhe në kokë, ngase ai kishte rezistuar. Ushtarët kishin besuar se Bin Ladeni ishte i armatosur.

Por sipas Bissonettes, ngjarja ka rrjedhur krejt ndryshe. Për shkak të zhurmës gjatë aksionit, një person ende i paidentifikuar kishte dalë nga dhoma e tij në katin e dytë të shtëpisë dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të ushtarëve në korridor, të cilët menjëherë kanë hapur zjarrin në drejtim të tij. Terroristi i plagosur u tërhoq në dhomën e tij dhe ushtarët e ndoqën menjëherë pas.

Aty ata kishin gjetur Bin Ladenin të shtrirë në një pellg gjaku dhe me dhimbje të mëdha. Ushtarët kishin larguar nga aty dy femra, duke i shtyrë anash, shkruan Bissonette dhe një ushtarë tjetër dhe ai personalisht kishin shkrepur disa plumba në drejtim të kraharorit të Bin Ladenit, deri në momentin kur ai nuk lëvizi më.

Bissonette shkruan se shefi i Al Qaidës ka qenë i paarmatosur. Në dhomën e tij ushtarët më pas gjetën një pushkë automatike AK47 dhe një revole Makarov, por asnjë njëra nga armët nuk kishte qenë e mbushur.

“Ai madje as që kishte qenë i përgatitur për tu mbrojtur”, shkruan Bissonette, duke shtuar se ai as që e kishte pasur ndërmend të luftonte.

Bissonette, i cili ka marrë pjesë në disa operacione të ndryshme speciale, shkroi më tutje se Bin Ladeni ishte një qyqar dhe se përvoja të ngjashme ka pasur edhe gjatë operacioneve tjera.

“Sa më lartë në hierarki është personi i vendosur në shënjestër, aq më shumë bëhet fjalë për një person qyqar”, thotë Bissonette.

Megjithatë, ai më tutje nënvizon se ushtarët nuk kanë pasur urdhër që të vrasin Bin Ladenin. Ata para aksionit ishin takuar me jurist, i cili ju kishte thënë se ata duhej ta arrestonin Bin Ladenin, nëse kjo do të ishte e mundur pa rrezikuar jetët e tyre.

Kur 24 pjesëtarët e njësisë Navy Seal përfunduan aksionin, ata së bashku me kufomën e Bin Ladenit u detyruan të hipin në një helikopter, ngase helikopteri i dytë ishte dëmtuar për shkak të gabimit të një piloti dhe nuk ishte në gjendje të fluturonte.

Për shkak të mungesës së hapësirës, një ushtar u detyrua të ulët mbi kufomën e Bin Ladenit. Por më pas, trupi i Bin Ladenit është hedhur në Paqësor, pasi që paraprakisht ishin kryer të gjitha ritet myslimane të varrimit.

Bissonette ka deri të martën kohë që të ndalë publikimin dhe shitjen e librit, për t’iu shmangur masave juridike nga ana e Pentagonit.

Por ekzemplarët e parë të librit të tij tashmë kanë filluar të qarkullojnë në Washingtoni dhe shtypja e librit ka filluar që moti. Bissonette, i cili mbijetoi aksionin në Abottabad, tani me gjasë duhet të përgatitet për një luftë tjetër. Këtë herë ai nuk do të ketë armë në dorë, por me gjasë një avokat përkrah tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›