E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mjera Evropë…

Gjithçka rrodhi sipas skenarit më të zi, më katastrofik! Evropa e madhe, e bashkuar, me 27 anëtarë-shtete, me 495 milionë banorë, fuqia e dytë ekonomike e botës dhe aktori i parë politik i planetit, kapaciteti më i rëndësishëm elitar, intelektual dhe artistik që historia e njerëzimit ka parë ndonjëherë u gjend papandehur në një fund udhe, përballë portës së mbyllur. Dhe kjo portë quhet Irlandë.

Në të vërtetë, që prej kohësh shumëkush dyshonte se çelësi i artë evropian, Traktati i Lisbonës, mund të shërbente si çelës kopil për të hapur portën e fundit irlandeze. E megjithatë, shumëkush besonte se politikanët vendas do të ishin aq të aftë sa të bindnin zgjedhësit e tyre për të mirat e asaj Evrope që i kish nxjerrë në dritë, për perspektivat e ndritura të asaj bashkësie interesash të përbashkëta që quhet Evropë, për begatinë e tejskajshme materiale që do të çelej përpara tyre… E pra, jo. Kokëfortët galikë u bënë gardh mbi të cilin mbetën rreckat e pantallonave të evropianëve të habitur… të më falni, faqet e çjerra të Traktatit të Lisbonës.

Nga Treg i Përbashkët në Bashkim Politik: një histori krizash.

Lipset të japim shpjegimet e rastit për ata që nuk e kanë ndjekur episodin e fundit irlandez. Që prej disa vitesh, ky konstruksion politiko-ekonomik që quhet Evropë e Bashkuar kërkon të farkëtojë një legjitimitet për të sotmen dhe të ardhmen nëpërmjet ndërtimit të instrumenteve të tij institucionalë (Parlamenti Evropian, Presidenti i Evropës), kuadrit juridik të funksionimit të institucioneve bashkësiore ekzistuese (Komisionet Evropiane), metoda pune dhe rregulla të votës (pjesëmarrjen e Parlamenteve kombëtare dhe vendosja e shumicës së «kualifikuar»), atribute juridike për qytetarët e tij (modalitetet e votës së qytetarëve) etj… etj. Si mund të imagjinohet ndryshe jashtë këtyre kornizave institucionale dhe kushtetuese një Evropë vlerash dhe të drejtash, një Evropë e lirisë, e solidaritetit dhe e sigurisë për anëtarët e vet, një aktor i dorës së parë në rrafshin botëror?

Të mos harrojmë se kjo Evropë e sotme ekziston vetëm që prej një gjysmë shekulli dhe historia e saj luhatet mes sukseseve dhe dështimeve. Dora-dorës, Bashkësia Evropiane e qymyrit dhe e çelikut prej 6 anëtarësh (Franca, Italia, Republika Federale Gjermane dhe Beneluksi), e krijuar nga Traktati i Parisit i vitit 1951, u shndërrua në Bashkim Ekonomik evropian nga Konferenca e Mesinës, në qershor 1955. Ndërkohë, ky bashkim njohu krizën e parë pasi Franca refuzoi të nënshkruante projektin e Bashkësisë Evropiane të mbrojtjes, një nga elementët e traktatit themelues. Sidoqoftë, bashkësia ekzistuese u ligjërua prej Traktatit të Romës të 25 marsit 1957, dhe u konceptua si hapësirë e qarkullimit të lirë të mallrave. Për fat të keq, ai mbeti një Treg i Përbashkët Evropian dhe për një kohë të gjatë ai s’mundi të gjente përmasat e tij politike. Vetëm pasi perëndoi ylli i Gjeneral De Golit, në dhjetor 1969 Franca iu bashkua politikës bujqësore të përbashkët dhe pranoi të ulej në karrigen e saj në Këshillin e Evropës. Me këtë rast, Presidenti i saj i ri, Pompidu, pranoi edhe idenë e rritjes, pra të hyrjes së Britanisë së Madhe në këtë bashkim vendesh. Një erë e re fillon të fryjë mbi kontinent: zgjerimi i bashkësisë, sipas shprehjes së njohur: “Bashkimi bën fuqinë”.

Më 1 janar 1973, tashmë janë 9 vende që diskutojnë në Parlamentin Evropian në Strasburg (6 themeluesit si edhe Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda jonë trime). Shprehja «diskutim» përmban në vetvete edhe farën e grindjes pasi në nëntor 1979, Kryeministrja Theçër përplasi grushtin mbi tavolinë dhe thirri: "I want my money back", pra kërkoi rishikimin e kontributit financiar anglez në buxhetin evropian. Pavarësisht zemërimit anglez, Më 1 janar 1981, Greqia e lashtë u integrua familjen evropiane dhe pesë vjet më vonë, i erdhi radha të rilindurave Spanjë dhe Portugali – post diktatoriale. Tok, të dymbëdhjetët mblidhen në Shengen, në qershor 1985, dhe inaugurojnë një erë të re: Bashkimi Ekonomik Evropian (CEE) vendos të fshijë kufijtë mes vendeve anëtare dhe të çelë faqen politike të bashkëpunimit. Disa muaj më vonë, në shkurt 1986, Akti Unik Evropian bën korrigjimet e para mbi Traktatin e Romës dhe parashikon krijimin e institucioneve të përbashkëta (Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Gjykata Evropiane) dhe zgjerimin e kompetencave dhe fuqive të tyre. Ky akt merr formën përfundimtare në vitin 1992, gjatë takimit të Mastrihtit, nëpërmjet ratifikimit të një traktati të ri, i cili inauguron krijimin e Bashkimit Evropian (CE). Tashmë, kjo Evropë premton të ketë një politikë të jashtme si dhe një politikë sigurimi të përbashkët, forca të armatosura në një komandë unike, bashkëpunim gjyqësor, policor si edhe një politikë monetare të përbashkët – me euron në krye të rrugës. E pra, jo të gjithë mbetën të kënaqur dhe në radhë të parë danezët, që nëpërmjet referendumit, e hodhën poshtë këtë traktat. Vetëm pasi u plotësuan kërkesat e tyre lidhur me shtyrjen e afatit të euros, të sistemit të mbrojtjes evropiane, të drejtësisë dhe një varg të tjerash, ata i kthehen rishtas referendumit dhe ratifikojnë Traktatin e Mastrihtit. Ndërkohë, në vitin 1995, Suedia, Finlanda dhe Austria i bashkohen ekipit, që tashmë numëron 15 anëtarë.

Forcimi i kompetencave bashkësiore, ridimensionimi i fushave të bashkëpunimit, krijimi i instrumenteve legjislativë... ja edhe problematika e çastit e Evropës së bashkuar që mblidhet në Amsterdam, në vitin 1996 dhe nënshkruan traktatin homonim, me synimin e dukshëm të zgjerimit drejt Lindjes. Por edhe ky traktat nuk mundi të evitojë problemet që kësaj radhe prekin ekipin udhëheqës. Në mars 1999, Komisioni Evropian jep dorëheqjen kolektivisht, pasi akuzohet për «përgjegjësi të rëndë» në një shpërdorim fondesh. Vetëm disa muaj më vonë, në dhjetor 2000, të pesëmbëdhjetët mblidhen në Nisë dhe diskutojnë lidhur me zhvillimin e sistemit institucional, në perspektivën e një Evrope me 25 ose me 27 anëtarë. Menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit të Nisës (2001), dhe megjithëse ky traktat në vetvete ishte një gjysmë dështim – pasi u konsensusi i arritur ishte krejt minimal - irlandezët e hedhin poshtë me anë të një referendumi popullor. Frikë ndaj zgjerimit, mosbesim ndaj institucioneve apo kërkim i garancive suplementare? Vetëm pasi Evropa u siguron neutralitetin ushtarak të ishullit, në vitin 2002, irlandezët i rikthehen referendumit dhe e aprovojnë traktatin e ri. Ndërkohë më 2004, Bashkimi Evropian pret krahëhapur Poloninë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë, Hungarinë dhe Republikat balte, si edhe Qipron greke dhe Maltën dhe tashmë familja numëron plot 25 anëtarë. Të mos harrojmë se ende na mungojnë dy të fundit e listës: Rumania dhe Bullgaria.

Por, nëse bashkimi bën fuqinë, fuqia shton euforinë dhe kjo e fundit ushqen rrumpallën. Nëse është e zorshme bashkëjetesa për një familje «të ngushtë» me 15 anëtarë, ç’mund të thuhet për familjen e zgjeruar me 27 syresh? Aq më tepër që kjo e fundit mbledh të vjetër dhe rishtarë, të pasur dhe të varfër, të ngopur dhe të uritur, të urtë dhe rrëmujaxhinj, të cilët jo vetëm nuk janë të një mendjeje, por edhe janë gati t’i hidhen në fyt njëri-tjetrit për fonde, për tregje, për influencë; troç, secili për interesat e veta. Në këto kushte, kryetari i familjes duhet të verë rregull - nëpërmjet ndalimit të pranimeve të reja, dhe të imponojë një rregullore loje. Në rolin e këtij kryetari ngrihet çifti themeltar Francë – Gjermani, i cili her-herës tërheq pas vetes Italinë ose Spanjën, pasi Britania e Madhe preferon të sodisë rrëmujën kontinentale nga ishulli. Ndërsa rolin e rregullores e luan projekt-kushtetuta evropiane, e përpunuar në kohën e vet nga një ekip konstitucionalistësh të shquar me në krye ish-presidentin francez, Zhiskar d’Esten.

Vetëm se projekt-kushtetuta monumentale prej disa qindra faqesh do të quhej Kushtetutë nëse aprovohet unanimisht nga të gjithë anëtarët. Por ja, në vitin 2005, 54% e francezëve të Zhiskarit e hodhën poshtë gjatë referendumit popullor, të ndjekur nga holandezët disa ditë më vonë dhe përfundimisht projekti përfundoi në kosh. I pakuptueshëm, i papërdorshëm, tepër teknik dhe aspak praktik, i rrezikshëm dhe autokratik – ja edhe disa nga argumentet e përdorura kundër këtij projekti. Më 2007, Presidenti i ri francez, Sarkozi, u bë katër cop[ash për të vënë në vend nderin e përdhosur dhe u vu në qendër të procesit të përpunimit të një varianti të ri të Kushtetutës, sipas tij, më të thjeshtë dhe më të reduktuar – a priori, më afër interesave të evropianëve të thjeshtë. Bëhet fjalë për Traktatin e fundit të Lisbonës, që u kundërshtua edhe një herë tjetër – gjithmonë me referendum - nga Irlandezët.

Quo vadis Evropa?

Pas një debati të vërtetë, të çelur në Bruksel në korrik 2007, Këshilli Evropian i mbledhur në dhjetor në Lisbonë, aprovoi tekstin përfundimtar të Traktatit Evropian, i ashtuquajtur i Lisbonës, i cili u nënshkrua nga 27 kryetarët e qeverive ose presidentët dhe i kaloi për ratifikim vendeve anëtare. Ndoshta për të mos i lodhur shtetasit e tyre me leximin e traktatit të ri (145 faqe, disa qindra nene dhe kapituj, i shoqëruar me 36 protokolle, 26 deklarata dhe të tjera anekse), ndoshta për të evituar komplikime të panevojshme – aq më tepër që vetë popujt e interesuar kërkonin të vendosnin me referendum (76 % të gjermanëve, 75 % të britanikëve, 72 % të italianëve, 65 % të spanjollëve dhe 63 % të francezëve) të gjitha vendet anëtare vendosën të ratifikojnë tekstin me votë parlamentare. Të gjithë, përveç Irlandës, që për një arsye të panjohur preferoi referendumin. Ndërkohë që 18 parlamente kombëtare e aprovuan traktatin pa më të voglën vështirësi dhe 8 të tjera prisnin radhën për të bërë të njëjtën gjë, diçka më pak se gjysma e 3 milionë zgjedhësve irlandezë (45%) shkuan të votonin në 13 qershor dhe 53,4% e tyre u shpreh kundra. Mjaftoi pra «jo-ja» e afro 100.000 votuesve nga ishulli i gjelbër për t’i dhënë dërrmën Traktatit të Lisbonës dhe për të shtyrë në kalendat greke çështjen e Kushtetutës evropiane. Si shpjegohet kjo krizë e re e konstruksionit politiko-ekonomik kontinental?

Më gazmorët mes analistëve ia venë fajin emrit: Do ishte më mirë të ishte quajtur i Dublinit sesa i Lisbonës; më supersticiozët nëmin datën e zgjedhjeve: e premte 13; më realistët vërejnë që s’është hera e parë që irlandezët votojnë «jo» gjatë një referendumi evropian. I parë nga Evropa, rezultati i këtij referendumi shpjegohet me gjendjen aktuale të vendit. Ky ishull, sa tërheqës aq edhe misterioz, sa dinamik aq edhe konservator, dikur tokë e mallkuar që dëbonte banorët e vet drejt parajsave të largëta amerikane, njeh një valë të paparë emigracioni që u ka lejuar disa qindra mijëra polakëve, baltëve dhe të tjerë lindorëve të instalohen si në vend të tyre. Pra, irlandezët nuk po njohin më vendlindjen që transformohet nga dita në ditë, që po çnatyrohet. Ndërkohë, edhe ekonomia aq e vrullshme që deri dje siguronte një rritje prej gati 10% në vit, ka hyrë në një fazë stagnacioni dhe po tregon shenja papunësie, varfërie, pasigurie…

E pra, - vazhdojnë evropianët, - jazëk u qoftë këtyre irlandezëve bukëshkalë pasi edhe kjo pasuri dhe begati u ka ardhur nga Evropa, që është bërë copë për t’i ndihmuar me kapitale, me investime, me lehtësira fiskale – pra me para, ndërkohë që sot ata dalin kundër bamirësit të djeshëm!

Rrini mirë aty ku jeni, - përgjigjen irlandezët, - pasi edhe nëse është e vërtetë se dikur na keni ndihmuar, merita kryesore është jona që kemi ditur të shfrytëzojmë me efikasitet dhe me tru këto ndihma. Pa hidhni sytë rreth e rrotull dhe këqyrni të tjerët që kanë marrë ndihma edhe më të shumta, lehtësira edhe më të mëdha dhe që kanë mbetur gjithnjë në vend numëro! Së fundi, the last but not the least, kemi nga të marrim shembull: shihni francezët në vitin 2005; shihni bile edhe danezët në vitin 1992!

E vërteta është se debati lidhur me traktatin s’mundi t’i tërheqë irlandezët masivisht drejt kutisë së votimit, ndërkohë që këta të fundit dolën kundër vullnetit të klasës së tyre politike, e cila pavarësisht ngjyrave dhe bindjeve, u mobilizua si një trup i vetëm në favor të «po-së». Vetë irlandezët thonë se nuk kuptuan asgjë nga ky traktat. «Si mund të vë firmën time në një tekst nga i cili nuk kuptoj gjë prej gjëje? Në këto kushte, unë vendos të them jo!». ǒfaj kanë irlandezët e gjorë nëse vetë baballarët e këtij traktati nuk arrijnë të gjejnë në të elementë pozitivë? Sipas Valeri Zhiskar d’Estën, ky traktat s’është gjë tjetër veç një «kopje e zbehtë» e Traktatit të mëparshëm të Kushtetutës evropiane – ai që u hodh poshtë nga francezët, pasi për të «veglat brenda janë krejt të njëjtat. Vetëm renditja e tyre ka ndryshuar në kutinë e veglave. Vetë kutia është zbukuruar disi, sipas një modeli të vjetër me tre sirtarë, në të cilët duhet gërmuar gjatë për të gjetur atë çka kërkon».

E parë në këtë prizëm, përvoja e këtij referendumi irlandez tejkalon së tepërmi problematikën lokale dhe shtron të paktën një pyetje dhe dy probleme ndaj Evropës mbarë.

Primo, si shpjegohet që klasa politike e një vendi, klasa politike e mbarë kontinentit shprehet në favor të Kushtetutës evropiane apo të Traktatit të fundit të Lisbonës, ndërkohë që vetë populli shprehet kundër? Kjo Evropë e bashkuar është një Evropë për politikanët apo për qytetarët e thjeshtë? Përse ky hendek kaq i thellë mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve?

Secundo, Evropa e bashkuar, feneri ndriçues dhe modeli universal i demokracisë në botë, ka një problem me vetë demokracinë, pasi nga njëra anë, ata që përpunojnë tekstet institucionale apo ligjore dhe që këqyrin aplikimin e tyre, i druhen shprehjes popullore dhe bëjnë çmos për t’iu shmangur referendumit dhe nga ana tjetër, kur ky referendum arrit të realizohet dhe shkon ndesh me imagjinatën dhe dëshirat e tyre, guxojnë dhe përgojojnë popullin që s’është në gjendje të kuptojë përmbajtjen e teksteve. Me fjalë të tjera, populli vyen vetëm nëse shprehet pro mendimit të të zgjedhurve të tij, në të kundërt, janë ata vetë që shprehen pro projekteve dhe teksteve të tyre. Pra, modeli i demokracisë të të zgjedhurve nuk përputhet me modelin «standard» të demokracisë që frymëzon zgjedhësin anonim.

Tercio, Evropa e bashkuar ka një problem të madh me modelin e saj politik, me projektin e saj ekonomik që qëndron në bazë të çdo përpjekjeje institucionale, të çdo kodifikimi ligjor, të çdo ndërtimi shoqërizues. Si mund të jetë ndryshe kur në këtë hapësirë gjeografike që quhet tashmë Evropë e të 27-ve konkurrojnë dhe bashkëjetojnë doktrina dhe teori të ndryshme që shkojnë nga socializmi në liberalizëm, nga komunizmi në fashizëm; praktika të shumëllojshme që kërkojnë të pajtojnë bile dhe të shartojnë fitimin e stërmadh dhe solidaritetin e gjerë, ekonominë e tregut ndërkombëtar dhe prodhimin artizanal lokal, shfrytëzimin masiv të krahut të punës dhe politikat e mbrojtjes sociale, konkurrencën e shfrenuar dhe proteksionizmin, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kozmopolitizmin?

Sidoqoftë, vota e irlandezëve e ka vënë Evropën në një situatë të ndërlikuar lidhur me të ardhmen e saj dhe përpara një zgjedhjeje të vështirë: ose të detyrojë irlandezët t’u rikthehen kutive të votimit dhe t'i thonë «po» Evropës, ose irlandezët duhet të largohen nga Bashkimi Evropian, në mos, të tërhiqen nga vendimmarrja, ose Evropa duhet të kënaqet me tekstet ekzistuese, pra pa tekste sintetike, ose së fundi, ajo duhet të ndërmarrë një aventurë të re të natyrës kushtetuese, me gjithë rreziqet si ato të vjetrat. Secila nga këto zgjidhje kërkon kohë dhe përpjekje, ndërkohë që Evropa nuk di se si të administrojë këtë bashkëjetesë mes të 27-ve.

Le të presim dhe të shpresojmë në të tjera përpjekje dhe në të tjera kriza! * * *

Jam i bindur se titulli «E mjera Evrop녻 është një titull që u përshtatet të gjitha palëve, të interesuara dhe spektatore. Kështu, eurofilët mund të thonë me dëshpërim: «E mjera Evropë që e zuri belaja nga disa irlandezë të pisët». Eurofobët shprehen me ironi dhe ligësi: «E mjera Evropë që u ngatërrua me këmbët e veta» dhe së fundi, spektatorët shqiptarë mund të shfryjnë: «E mjera Evropë… dhe të mjerët ne që shpresojmë në të. Ne të na rrojë sa malet Amerika, se vetëm ajo mund të na nxjerrë në dritë».

Shkruar nga George Xexo, marrë nga albanie-albanais.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›