E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa antikorrupsion dhe shëndetësia

Ministrja e re e Shëndetësisë është plotësisht për t’u përshëndetur për seriozitetin dhe qëllimet dashamirëse të programit të saj drejtues, të quajtur “paketa antikorrupsion”. Si dhe për pastërtinë e komunikimit me median. Megjithatë, një pyetje të ngrihet vetiu në mendje: “E ka kapur si duhet Anila demin-shtet?”. Madje, për të bëhet edhe një pyetje shumë më sfiduese për secilin titullar dikasteri: “A është korrupsioni e keqja themelore e strukturës që ai/ajo drejton?”. Korrupsion ka pasur, ka dhe do të vijoje të ketë. Ka në vendet më të zhvilluara dhe me shtet e praktika fiskale të konsoliduara në shekuj. Është tërësisht e vërtetë se korrupsioni e ka kapur shtetin tonë për brirësh dhe e nduk herë djathtas e herë majtas. Prapë se prapë, nuk është duke djegur koka korruptive që ai pakësohet dhe vendi çlirohet nga demoni. Mjafton të shikojmë rastin e kirurgut të njohur (dhe të aftë) që u arrestua, pasi u kap në flagrancë disa javë më parë, duke marrë para nga një pacient. Është rast i vetëm? Aspak! A e dënoi opinioni ynë publik? Jo dhe aq. Mjekët e tjerë të paktën e konsideruan një fatkeq që i kishte rënë një copë shkëmb nga qielli. Pse sa prej këtyre mjekëve bëjnë të njëjtën gjë, marrin para nga pacientët e tyre? Ndoshta 95 për qind e mjekëve. Pra me dhjetëra mijëra mjekë. Kjo është sa e frikshme, aq e vërtetë. Dhe nuk mund t’i arrestosh për mitmarrje të gjithë mjekët. Reforma kryhet duke arritur që mjeku të mos shohë xhepat e pacientit. Të mos kapet dhe humbë personalitetin e vet tek dy mijë, pesë mijë, dhjetë mijë apo njëzetmijë lekët që ia ofron pacienti në spitalet e ambulancat publike. Mjekët tanë janë tre kategori: ata të kategorisë së parë janë tejet të maturuar, një pjesë fare të vjetër, që nuk konsultojnë internetin dhe nuk lexojnë apo shohin te rejat e fundit të shkencës mjekësore. Këta mjaftohen me eksperiencën e grumbulluar në vite dhe me receta apo diagnoza formale. Shfrytëzojnë njohuritë e pakta apo zero të pacientit të zakonshëm shqiptar dhe ende qëndrojnë në pozita kyçe e u shërbejnë shumicës së shqiptarëve. Disa kanë edhe klinika private dhe janë kthyer një pjesë në tregtarë të pacipë. Kategoria e dytë janë ata mjekë relativisht të rinj që udhëtojnë nëpër internet, kanë kryer edhe specializime jashtë dhe u intereson karriera profesionale. Mbi këta duhet të mbështetet ministrja e re, nëse kërkon të bëjë reformë. Ata janë ende të paktë për fat të keq, por është pjesa më shpresëdhënëse e mjekësisë sonë. Kategoria e tretë i përket mjekëve shumë të rinj, të prodhuar në seri sidomos në dhjetë pesëmbëdhjetë vitet e fundit të tranzicionit, që fatkeqësisht vetëm emrin e kanë të tillë, pse nuk mbushin fare. Këta tre lloj tipash mbushin armatën e lart nga njëzet mijë mjekëve shqiptarë. Kam mik një mjek dhe më thotë se nuk do të donte kurrë të varej nga xhepat e pacientit. Do të donte t’i refuzonte ato lekë. Mirëpo, përveç faktit që ose pacienti fyhet, ose kolegët e tallin ose më keq, e urrejnë që s’do të bëhet si ata dhe mund t’i ngrenë kurth, ky mik mjek më thotë edhe se me 350 mijë lekët e vjetra që merr në muaj s’ka ku to shkojë dhe është i detyruar t’i pranojë lekët e pacientit. Kjo është bërë kronike, e përditshme dhe prej kësaj dilet vetëm me reformën e thellë në sistemin e sigurimeve shëndetësore. Duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët me të ardhura të mjaftueshme, për të mirën e sistemit publik shëndetësor. Shteti të përballojë kontributin e familjeve të varfra që s’kanë ç’të paguajnë. Kështu është në të gjitha vendet e zhvilluara dhe ku ne aspirojmë të vemi. Kështu duhet të fillojë të jetë edhe tek ne. Kjo është rrugëdalja. Asnjë paketë apo aksion i furishëm kundër korrupsionit nuk mund të zëvendësojë këtë reformë. Nëse ministrja e re dhe energjike drejtohet tek kjo reformë në të 238 ditët që i ngelen deri në kohën e zgjedhjeve, ajo do të hyjë në histori për fillimin e reformës së parë të mirëfilltë shëndetësore. I ka të gjitha mundësitë, njohjen, kurajën dhe ndershmërinë për ta bërë këtë gjë.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›