E Shtunë, 31 Tetor 2026

KU TË PYES UNË E KU PËRGJIGJESH TI!



Shpresoj të na mirëkuptoni që po e rinisim bashkëbisedimin tonë me një pyetje, të cilën e kemi trajtuar edhe javën e kaluar. Bëhet fjalë për kalimin te LSI-ja i një prej përfaqësuesve më të njohur të së majtës, i afërt me ish-kryetarin Nano, Petro Koçi, i cili përveçse deklaroi kalimin e tij tek LSI, tha se tek kjo forcë politike duhet dhe do të mblidhen të gjithë të mënjanuarit nga politika e re e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Duket se procesi i kalimit të ish-figurave qendrore të PS-së tek LSI sapo ka filluar. A mendoni se procesi i riformatimit të PS-së me anë të procesit “Politika e re” rrezikon seriozisht këtë forcë në zgjedhje? Sa mendoni se vlen eksperienca në politikë dhe çfarë duhet të quajmë risi në një forcë politike?

Ju lutem edhe unë përsëri të më mirëkuptoni. Sërish mendoj se asgjë e re s’po ndodh askund në këtë fushë. Me gjithë respektin për personat në fjalë, mendoj se politika shqiptare as do të freskohet, as do të pasurohet e as do të ndreqet ndonjëherë përmes zhvendosjesh aty-këtu të individëve të veçantë. Pa shkaktuar lëvizje e pa gjeneruar ndjeshmëri që shkojnë deri në publik. Pse ç’thoni ju, ka ndonjë shqiptar të vetëm që do të guduliset nga lajmi se diku “do të mblidhen të gjithë të mënjanuarit e PS-së”? Pa le po t’ju thuash se është fjala (siç i quani ju) për “figura”. Madje “figura qendrore”. ǒështë ky muhabet pash’ Zotin? Mirë dëgjuesit, po ju si i duroni kësi termash?

Kurrfarë sinjali nuk kemi ende për shëndetin e politikës sonë dhe është kjo ajo që më intereson më shumë mua si shtetas dhe jo përforcimet “taktike” e lojërat me numra që këtu shkruhen e atje fshihen, mbi shkumën e procesit të vështirë të shëndoshjes politike. Proces i cili ende mbahet peng.

Pas akuzave të shumta në media për një proces të korruptuar privatizimi, qeveria miratoi privatizimin e ARMO-s në vlerën e 125 milionë euro. Duke marrë shkas nga ky privatizim dhe akuzat e ngritura për të, gjithashtu, duke i shtuar faktin se në media ka pasur akuza edhe për kontrata të qeverisë për shuma më të mëdha se kaq, a mund të themi se për të ngritur akuza për marrëveshje që variojnë midis 5 deri 20% të buxhetit të shtetit duhet treguar më tepër kujdes sesa është treguar deri tani?

E çmoj përpjekjen tuaj që nëpërmjet disa kufijve shifrorë që ju i përdorni si “nivele alarmi”, të sillni në vëmendjen tonë peshën, rëndësinë dhe efektin e veçantë që kanë vendimet lidhur me privatizime të tilla të mëdha. Gjithsesi, kjo ndarje, sipas meje, ka kuptim vetëm për aspektin teknik e procedural; aspak për thelbin moral dhe gjykimin (së paku etik) të administratës. Në këtë vështrim të fundit, çdo abuzim, pavarësisht vlerave që trajtohen, peshon njëlloj. Kujdesi, pra, duhet të jetë i vazhdueshëm që asnjë devijim të mos ndodhë as me “pazaret e vogla”.

Sigurisht, një dallim mes “të mëdhave” e “të voglave” nuk është pa vend (pak vështirësi krijohet kur kemi rastin “as e vogël as e madhe”) si bazë për të sugjeruar nevojën e një kujdesi të shtuar – siç thoni ju me të drejtë. Ky dallim është njohur në fakt dhe pasqyruar në legjislacionin përkatës të sektorit që administron fonde publike, madje edhe në organizimin përkatës institucional. Jo më kot kemi rregullime që e dallojnë “prokurimin e vogël” nga “prokurimi i madh”, trajtim të ndryshëm të “taksapaguesve të vegjël” (biznesit të vogël) nga taksapaguesit e mëdhenj. Ashtu siç kemi edhe procedura ligjore të ndryshme në privatizimin e vogël, masiv, që dallojnë nga ato të privatizimit të madh: me të cilin kemi parasysh kryesisht ndërmarrjet dhe entet e mëdha publike ose kryesisht publike. Në këtë rastin e fundit, sigurisht që legjislacioni është i ngjeshur dhe hapat proceduralë kujdesen (së paku këtë ka pasur ndërmend ligjvënësi), që jo vetëm të garantojnë rrjedhjen e procesit deri në transferimin e plotë të pronësisë, por edhe të kontrollojnë njëra-tjetrën dhe të evitojnë gabimet dhe abuzimet. “Roja i parë”, pra, ndaj abuzimit dhe korrupsionit janë (duhet të jenë) vetë përcaktimet ligjore që mbulojnë secilin rast. A janë apo jo këto përcaktime, aq të sakta e të plota sa duhet, kjo është një çështje nën diskutim të vazhdueshëm. Me njohjen që kam unë, them se nuk janë keq. Janë shkruar thuajse njëlloj si i kanë vendet më të zhvilluara e më të prokopisura se ne. I lexon e thua: “Ashtu të lumtë! Kështu s’ka nga lëviz korrupsioni!”. Mirëpo ligjet pastaj duhen zbatuar, dhe këtë e bëjnë njerëzit. Njeriu-zbatues vjen tek karrigia ku zbatohet procesi, me gjithë “asetet” e veta individuale e shoqërore: ndërgjegjen e vet, moralin e vet, aspiratat e veta. Këto të fundit mund të ndryshojnë krejtësisht nga ato të ligjit, i cili mund të jetë marrë fjala vjen, nga një model gjerman apo suedez. Ndërsa ligji pra, “aspiron” që nëpërmjet privatizimit të financohet buxheti dhe të zhvillohet më shpejt ekonomia kombëtare, ligj-zbatuesi mund të ketë një tjetër “aspiratë”: “të bëjë ndonjë lekë, sepse raste të tilla s’i vijnë më në dorë njeriut”. ǒbën ky i fundit atëherë? I kthehet vetë ligjit. I heq një studim të thellë me laps në dorë. Sigurisht jo për ta përmirësuar, jo për ta forcuar e shtrënguar, por për të gjetur hapësira boshe ose të interpretueshme. Si rregull këto punë janë bërë qysh më parë. Edhe paraardhësit e tij i dinë “hapësirat”. Janë ata që i kanë lënë e nuk i kanë mbushur me kohë. Me shpresën që këta të rinjtë nuk do t’i gjejnë. Kështu që kur të vijmë ne prapë...! Shkurt, një ligj i pastër mund të bëhet pis menjëherë nga dora e pistë e një zbatuesi që ka dorë! Sidomos në procese të tilla, ku kontakti me paranë është thuajse fizik. Sepse duhet pranuar se privatizimet e aseteve shtetërore, sidomos kur bëhen përmes shitjes me para, përbëjnë procese veçanërisht tunduese dhe momente presioni të veçantë korruptiv. Një situatë krejt e njëjtë me rastin tjetër: prokurimin e fondeve publike. Në të dyja rastet zyrtari qëndron direkt, midis mallit e parasë. Jo thjesht si shitës apo kamerier. Por si palë me mandat absolut, që vendos deri edhe çmimin e “mallit”, pa qenë aspak zot i tij (zot “me letra” është pronari–popull). Një firmë e tij pra, – përdredhur mes zgavrave që ka ligji ose mes të çarave shtesë që hap ai vetë, – dhe fap, tjetrit (firmës blerëse apo asaj zbatuese të tenderit) mund t’i “teprojnë” disa miliona.

Deri këtu s’thamë asgjë që nuk dihej. Fjalën e kishim në parim dhe mbase duhet të nënvizojmë se “çdo ngjashmëri me ngjarje e persona konkretë s’do të ishte veçse një rastësi”. Ripërshkrimi i situatës sidoqoftë ka efektin e vet. Së paku si kujtesë që publiku është gjallë dhe vigjilon mbi mallin e vet. Ndërsa e reja që doja të shtoj në këtë debat është një çështje tjetër. Ajo e ndjekjes dhe mbikëqyrjes së zbatimit të angazhimeve “post-privatizim” (pra ç’bëhet me këtë ndërmarrje të shitur, pas ditës që ajo merr çelësat e saj). Kjo, sipas meje, është edhe hallka më problematike e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. Sepse këtu demonstrohet në mënyrën më të mirë efikasiteti i privatizimit. Shumë më tepër sesa tek çmimi i shitjes, ajo shumë parash, pra, që i derdhet buxhetit në momentin e dhënë. Po kjo tek ne, gjithashtu është edhe hallka e munguar. Gjithë këto vjet privatizimesh që lamë mbrapa dëshmojnë se pikërisht këtu puna jonë çalon dukshëm. Banka apo ndërmarrje të mëdha që janë blerë jo për t’u ngritur por thjesht... për t’u rishitur – ky përbën rastin më flagrant të manovrës. Përdorimi i emrave e referencave “tingëllonjëse” ndërkombëtare (vetëm sa për të plotësuar kriteret formale të blerjes apo tenderit) - kur blerësi i vërtetë në fakt është firma shqiptare tek qoshku aty pranë, - është një tjetër devijacion i dëmshëm. Emra s’po sjellim kësaj here. Secili le të rrijë e të mendojë nëse di ndonjë rast që ngjan me sa më sipër. Do t’i gjejë vetë me siguri.

Nëse duhet medoemos që gjithë sa më sipër ta përdorim për të gjykuar rastin konkret, privatizimin e freskët të ARMO-s, këtë gjithashtu mund ta bëjë secili. Fillohet me “zgavrat” ligjore. A dëshmon ky rast zgavra të tilla që duheshin mbushur? Unë them se po. Përderisa një kompani jofituese pikërisht këtu nis dhe e ngre akuzën e saj. Fituesi, – thotë ajo, – nuk duhej pranuar fare si konkurrent përderisa në momentin e vlerësimit të ofertave solli një ofertë me kushte të ndryshme nga ato të publikuarat nga shitësi. Nëse vërtet rezulton kështu, natyrisht që kemi shkelje të konkurrencës. Se ja, marrim vetëm aspektin më të dukshëm, atë të çmimit të paguar. Fituesi vërtet jep 125 milionë euro, por kjo pagesë (gjithnjë sipas akuzës së mësipërme) shtrihet në katër vjet. Unë, – thotë firma e humbur, - mund të jepja edhe 200 milionë, nëse do të më lejohej që shlyerjen ta mbyllja pas nja 20 vjetësh. Por ja që kushti ishte pagesë e menjëhershme dhe çdokush që s’e përballon dot këtë, normalisht që mbledh rraqet e tërhiqet. Pyetja e parë që del këtu është: ç’thotë ligji për këtë punë? A është apo jo i shkruar në ligj a vendim ky kushti i pagesës menjëherë? Apo është i nënkuptuar? A është i publikuar? Nëse është vetëm “i nënkuptuar” dhe për këtë ka njëkohësisht dy qëndrime, atëherë duhet ndarë me shkrim. Që të mos ketë gjithnjë nga dy interpretime, që rrumbullakosin çdo marifet e i nxjerrin të larë që të gjithë. Çështja e dytë që del është ajo se përse administrata nuk i përgjigjet direkt kësaj pyetjeje? Se akuza është konkrete. E tillë duhet të jetë edhe përgjigjja. Ndryshe i bie: ku të pyes unë e ku përgjigjesh ti! Në vend të kësaj shohim se si administrata shtjellon një histori të re “giallo”. Mbi ca përpjekje që ka bërë dikush, dikur, për të bërë diçka. Kjo përveçse mjegulluese për çështjen, është edhe fyese për ne publikun. Është e vërtetë që na pëlqejnë filmat me spiunazh e “vjedhje sekretesh”, por edhe kaq nuk kemi rrjedhur. Sa të lëmë realitetin e të merremi me filmat.

Kjo javë u dominua nga vizita të krerëve më të lartë të institucioneve të shtetit të ri të Kosovës. Në takimet e tyre ata falënderuan për mbështetjen e Shqipërisë në lidhje me njohjen e Kosovës si një shtet sovran. Në opinionin tuaj, a mendoni se institucionet e shtetit shqiptar kanë bërë sa duhet për njohjen e Kosovës?

E kemi thënë vazhdimisht gjatë bashkëbisedimit tonë të sivjetshëm: Kosova – shtet i pavarur është tashmë një realitet jo vetëm i vulosur nga pikëpamja procedurale, por edhe i natyrshëm nga pikëpamja kombëtare dhe historike. Është më shumë ky tipar i fundit sesa vendimet dhe “shkresat”, ato që e bëjnë atë një çështje të panegociueshme e të pakthyeshme. Nëse diplomacitë e shumë vendeve do t’i jepnin vetes pakëz kohë e do të verifikonin këtë veçori të shtet-formimit të Kosovës, natyrshmërinë e vet pra, mendoj se do të linin mënjanë një mori çështjesh artificiale me të cilat ju duhet të merren gjithë ditën dhe do të bënin atë që duhej në këtë moment: njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Sigurisht kemi parasysh këtu vende të parreshtuara hapur në kundërshtimin e verbër të këtij procesi, si Serbia dhe Rusia. Fjala është për vende neutrale e miqësore, shumica e të cilave e kanë deklaruar verbalisht mbështetjen e tyre. Fakti që edhe këto (që janë në fakt shumica e vendeve të botës) nuk po lëvizin në këtë drejtim, flet natyrisht për çinteresimin e tyre gjithashtu të natyrshëm (nuk i lidh asgjë direkte me këtë anë të botës dhe nuk kanë asnjë ngutje për ta nxjerrë këtë “dosje” përpara dosjeve të tjera që kanë mbi tryezë). Para se të theksojmë mangësitë e mbështetjes nga ana e Republikës së Shqipërisë, mendoj se ky realitet i procesit flet për një apati e “insuficiencë” të diplomacisë, shtetit e gjithë shoqërisë Kosovare në radhë të parë. Kam një farë përshtypje se qeveria e shteti i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, kanë rënë në një farë vetëkënaqësie të lehtë. Shoh se si krerët e shtetit kosovar shfaqen gjithnjë si tepër të kënaqur e të realizuar. Gati të lumtur. Kjo është legjitime deri në një cak, që unë e kushdo e kuptojmë shumë mirë, sepse është një finalizim i madh i një historie jashtëzakonisht të vështirë. Por nuk është dhe aq e justifikuar në dritën e punës së re e të përditshme që kërkohet. Sepse njohja ndërkombëtare nuk është një hap “luksoz” jashtë procesit të pavarësimit. Është pjesë e tij. Më konkretisht unë do të vlerësoja si të domosdoshme dy aksione shtesë, që rrjedhin nga sa thashë më lart lidhur me natyrshmërinë e shtetit të ri kosovar. E para, që diplomacia dhe shteti i Kosovës të kapërcejë axhendat ndërshtetërore (vizitat me data e orë fikse, nëpër kancelaritë reciproke) dhe të dalin më shumë në “terren”. Atje ku shtjellohen argumente dhe bëhet opinioni: në konferenca të shoqërisë civile, në takime me grupe të ndryshme interesi dhe në auditorët apo hollet e universiteteve e qendrave studimore. Kam qëndruar ca kohë në Harvard dhe kam parë se si hollet e mëdhenj të universitetit zienin çdo ditë nga debati bazuar në parashtrimet e leksionet e personaliteteve shtetërorë të ftuar, nga vende me situata e probleme të shumta të shteteve të reja, ose aspirante për pavarësinë. E dyta, që duhet të presim: kjo “luftë” e re nuk është vetëm detyrë e shtetit, por e gjithë shoqërisë kosovare, e shtypit, shkollës, biznesit dhe shoqërisë civile në Kosovë. Edhe këtu krijohet përshtypja që më shumë angazhim ka për “të përtypur e shijuar” arritjen e pavarësisë së shpallur sesa për të kompletuar e konsoliduar këtë proces. Sigurisht përshtypja ime ngrihet mbi një informacion të varfër, kryesisht nga ç’ka shoh në internet dhe do të gëzohesha që të mos ishte kështu. Që në këtë drejtim të gjithë të ishin duke bërë më shumë e më efektivisht.

Pas kësaj mund të themi me plot gojën që edhe diplomacia e shtetit shqiptar nuk e ka bërë punën e vet. Ndryshe, së paku ato vende ku krerët tanë bënë vizita të larta e morën “fjalën e nderit” se Kosovën do ta njihnin qysh të nesërmen, tani do ta kishin mbyllur këtë punë. Fakti që edhe vendet ku shkeli madhërisht vetë këmba e ministrit tonë të Jashtëm apo edhe ajo e kryetares sonë të Parlamentit nuk po lëvizin hiç në drejtim të ratifikimit tregon se diçka mungon në efektivitetin e diplomacisë sonë. Mund të jetë edhe thjesht çështje vlerësimi dhe besimi personal ndaj personaliteteve tona.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›