E Shtunë, 31 Tetor 2026

TË bëjmë SHUMË KUJDES ME EMRAT E INSTITUCIONEVE

E kemi akoma të freskët furtunën e vërtetë që u shfaq në media e kudo për çështjen e emrit të Universitetit “I. Qemali” të Vlorës, e cila u përcoll me opinione nga më të ndryshmet dhe shumicën e tyre të kundërta. Në këtë vëzhgim nuk kam ndërmend të merrem me këtë fakt dhe asnjëherë për ta hapur përsëri këtë debat megjithatë nuk mund ta kaloj pa thënë se i përkas asaj pjese të qytetarëve që jam kundër ndryshimit të emrit të këtij universiteti.

Ajo që kam ndërmend të trajtoj me pak fjalë është një dukuri e veçantë do thosha shqiptare, “vendosjen e emrave”, gjithnjë sipas mendimit tim. Ky fenomen në qoftë se më lejohet ta quaj të tillë mendoj se fillesat dhe përshkallëzimin e pati në periudhën e diktaturës dhe centralizimit të shqiptarëve nën diktatin e një kulture delirante. Fenomeni i përjetësimit të “figurave” mori një hop të madh. Në të gjitha rastet emrat e vendosura kishin një prapavijë të dukshme politike dhe shumë pak historike, që i shërbenin me zell diktaturës. Vendosja e emrave bëhej me një kujdes të veçantë sipas rëndësisë dhe madhësisë së institucionit apo objektit që pagëzohej dhe që të përfaqësonte mirë politikën e ndjekur dhe në momentin e duhur. Kjo bëri që të importoheshin emra nga vendet “mike” dhe sipas erës që frynte vendoseshin emra me pompozitet të madh që nga rrugët kombinatet, hotelet, bulevardet sheshet etj. Emrat e dëshmorëve seleksionoheshin sipas oreksit të diktatorit. Emrat e anëtarëve të byrosë edhe këto jo të gjithë kishin fatin pas vdekjes e kështu me radhë… Fuqia dhe fobitë e klasës udhëheqëse të atyre viteve nuk ia kursyen shqiptarëve edhe këtë manovër për të larguar vëmendjen nga ato probleme të mëdha që dergjej populli, kështu një ditë vunë në zyrat e gjendjes civile një listë me emra njerëzish që duhet të viheshin me detyrim për fëmijët, jashtë kësaj liste nuk regjistrohej si njeri, mbeteshe pa identitet, një lloj “klonimi” komunist.

Por jo gjithnjë kjo shkonte sipas dëshirës, oreksit dhe qëllimit të tyre se me kalimin e kohës emrat kishin edhe vështirësitë e tyre, mbasi kishte periudha që ishte e frikshme të përmendeshin emrat e vendosura të rrugëve te bulevardeve, kombinateve, deri dhe qyteteve, mbasi politika ndryshonte kurs dhe ata “heronj” shpalleshin “armiq” të atdheut dhe për rrjedhojë mund të kishe pasoja po të shkruaje ndonjë adrese pa dashje me këto emra. Kështu pritej në heshtje si do të pagëzohej tashmë hotel “Vollga” në Durrës, qyteti Stalin, kombinati i tekstileve në Berat, bulevardi i Durrësit, fabrika e cigareve, ajo e gomës etj., në të gjithë vendin. Përdorimi i emrave të njerëzve shpesh sillte edhe pështjellime të çuditshme. Kujtoj në vitet ‘85-‘86 kur kthehej djali nga shkolla “N. Spiro” në Durrës, më tregonte me nxitim se si ia gjuanin bustin këtij të ndjeri me topa balte në oborrin e shkollës dhe unë e pyesja përse vepronin kështu. 8-vjeçari me përgjigjej: “ka dalë tradhtar”.

Pra metoda për të vendosur emra u kthye në mani indoktrinimi ishte në shkallë të tillë që dhe ne si popull duket nuk mund të rrinim pa emra. Kujtoj kafen e re në hyrje të qytetit dhe nga që mbeti pa emër, pa humbur kohë durrsakët e pagëzuan “21-15”, aq sa kushtonte kafeja me fërnet (rast unikal për emër) apo shumë më parë se kafeja, nga thellimi i kanalit të hyrjes së anijeve në portin e Durrësit na u krijua një plazhi i ri afër “bërrylit” që u emërua “plazhi zhiron” (Kuba) emra që akoma përdoren edhe sot, por sigurisht nga durrsaket. Kjo mënyrë sjellje e durrsakëve kishte sa humor aq edhe një lloj vënie në lojë të asaj farse me atë paradë emrash që viheshin kudo...

Krijoheshin nga makina e diktaturës prej hiçit personazhe dhe njerëz të “kohës” që bëheshin “burim frymëzimi për masat e gjera” dhe përdoreshin mjeshtërisht edhe pa turp prej tyre deri te një i verbër i shkretë (të më falë që e përmend) që bënte qitje me armë automatike dhe merrte 10–ta në tabelën e qitjes... apo aksionisten e gjorë që e zuri dheu i hekurudhës, e shumë si këto marrëzi që ishim të detyruar t’i duronim nën terror. Fenomeni i emrave u shfaq përsëri pas viteve ’90, por tani ndryshe, me zëvendësime emrash, ku në shumë raste ishin me vend për t’u hequr, por për fat të keq dhe pa vëmendjen e duhur u zëvendësuan. Filloi një gare e heshtur për të sjellë në listat e emrave që do vendoseshin në rrugë, shkolla, institucione sportive etj., emra deri dhe nga farefisi i atyre që kishin në dorë këtë proces me kriterin pa kriter, aq sa na u shfaqën emra që ata që njohin historinë apo bashkëkohësit e tyre, nguruan të flasin, heshtjen, por disa në respekt të tyre dhe për mos i cenuar thanë: “Pse s’i lënë të qetë në qetësinë e tyre...?”. Shumë kuptimplotë kjo shprehje. Pakujdesia në këtë procedurë me shumë përgjegjësi bëri që në shumë raste, duke dashur t’i bësh ndere ndokujt, jo pak herë bën të kundërtën. Mbetesh me të vërtetë ngushtë kur ndodhesh para pyetjes së nipit apo mbesës për emrin e shkollës ku do mësojë dhe nuk i përgjigjesh dot. Veprimi i parë që të vjen ndërmend është ndonjë botim enciklopedik, shfleton me nxitim, por nuk gjen gjë, fillon të pyesësh aty-këtu deri sa të arrish të marrësh vesh se emri i shkollës është emri i një mësuese apo mësuesi, që ka qenë mësues i mirë, por që mjerisht nuk jeton për arsye moshe. Ka shumë si këto. U vendosën edhe dy emra për të njëjtën rrugë apo institucion, u çorodit sistemi i adresave aq sa edhe sot mbas 18 vjetësh është problemi i madh për shumë arsye... Jemi futur në procesin e vendosjes së kodeve postare të qyteteve, ku me shifra përcaktohet me saktësi vendndodhja për sa jam i informuar, është i mangët vetëm për adresat që mungojnë dhe nuk di kush do të merret me këtë shqetësim kaq të rëndësishëm.

Unë nuk jam krejtësisht kundër vendosjes së emrave, por në këndvështrimin tim duhet zhvilluar një proces shumë i vëmendshëm dhe me përgjegjësi të madhe, pa ngutje dhe anësi, në mënyrë të veçantë kur vihen emra njerëzish dhe këtë atribut duhet ta kenë rrethet akademike para sa të dekretohen e shpallen të tillë. Shoqëria njerëzore është në proces të pandërprerë në zhvillim të përhershëm, si rezultat koha sjell dhe ka sjellë në jetën shoqërore njerëz me kontribute të spikatura dhe të pakontestueshme në fusha të ndryshme të shkencës, artit etj. Dhe një ditë do të jemi të detyruar të heqim ca emra si këto që përmenda më lart, por me ç’të drejte; kush e merr përgjegjësinë, mendoni se sa do të lëndonim atë familje deri dhe fise të cilit i përket emri dhe e gjitha kjo për fajin dhe pakujdesinë e atyre që i vunë me mendjelehtësi dhe pa u menduar gjatë.

Kështu, sipas meje, luksin që emrat e tyre të mbajnë institucionet apo sheshet e rrugët etj., janë emrat e atyre që kanë bërë histori dhe kanë vënë jetën në shërbim të këtij vendi, që kalojnë breza e breza dhe emrat e tyre nuk lëkunden në memorien e kombit, emra që janë krenuar dhe krenohemi ne dhe më gjerë.

Duket bota që na rrethon i kanë kaluar me kohë këto lojëra me zarar të emrave dhe në shumë raste përdorin edhe numra për rrugë, shkolla, kopshte etj., që këto emra fatmirësisht nuk i përflet dot askush se janë të gjithë njëlloj të rëndësishëm për njerëzit. Ka një përpjekje me sa kam vënë re në minibashkinë nr. 10 në Tirane, duket është eksperiencë e kryetarit që e sjell prej nga ka studiuar, por që është përvojë e cila duhet përkrahur dhe përgjithësuar.

Emërtimet e institucioneve apo çfarëdo lloj qofshin ato për mendimin tim kanë të bëjnë në një farë mënyre dhe njehsohen me kulturën e një populli. Edhe shqiptarëve nuk iu mungojnë emrat e veçantë e të bukur dhe shqiptarë të krahinave, lumenjve, maleve e shumë e shumë bukurive të këtij vendi që i kanë kënduar e janë thurur vargje gjate gjithë jetës së tij... Të bëjmë më shume kujdes me emrat, mos të lozim me to, se nuk na kanë asnjë faj dhe nuk do të na e falin brezat.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›