Zbulohet meningjiti në Fier, 3-vjeçari dërgohet në Tiranë
Harta e frikshme e sëmundjes ngjitëse përfshin zonat e Delvinës, Pogradecit, Skraparit, Pukës dhe Klosit
FIER- Harta e frikshme e sëmundjes së meningjitit është zgjeruar dje duke përfshirë edhe qytetin e Fierit. Rasti më i fundit është zbuluar dje në spitalin rajonal dhe bëhet fjalë për një fëmijë tre vjeçar. Athanas Davidhi ishte dërguar nga familja në urgjencën e spitalit pasi mendonin se ishte me grip por kur mjekët kanë parë simptomat e meningjitit kanë vendosur izolimin e tij të menjëhershëm e më pas dërgimin drejt Tiranës. Tashmë në spitalin e Fierit është përhapur paniku pasi dhoma ku është shtruar fëmija me meningjit ishte e populluar edhe nga fëmijë të tjerë, të cilët mund të kenë marrë nga ajri sëmundjen e rëndë ngjitëse.
Ditët e para të këtij viti janë shënuar me rënien e një epidemi gripi në qytetin e Fierit. Burimet e spitalit kanë pohuar se çdo ditë në urgjencën e tij kryhen më shumë se 70 vizita të fëmijëve me virozë. Por në orët e vona të ditës së dielë mjekët janë përballur me një tjetër sëmundje, shumë herë më të rrezikshme se viroza e thjeshtë e gripit. Pak pas orës 21.00 të së dielës në urgjencën e spitalit ka mbërritur një fëmijë i moshës tre vjeç, prindërit e të cilit kanë pohuar se ai kishte disa ditë që ishte me grip por atë pasdite gjendja ishte rënduar së tepërmi. Sipas mjekëve, familja e Nikollaq Davidhit banon në një pallat dy katesh në lagjen Kastrioti të qytetit të Fierit. Kryefamiljari i ka pohuar mjekëve se djali i vetëm i kësaj familjeje Athanasi tre vjeçar kishte shfaqur disa dite më parë simptomat e gripit. Ai kishte marrë disa ilaçe të këshilluara në farmaci dhe ishte kuruar në ambientet e shtëpisë. Por atë pasdite ai ka shfaqurdhimbje të forta në kokë temperaturë të lartë duke përkeqësuar më shumë gjendjen shëndetësore. Sipas hallës së fëmijës, Antigoni Qarri, e cila ndodhej në banesën e vëllait të saj e thirrur për ndihmë nga Nikollaqi, Athanasi kishte disa ditë me simptomat e gripit por vetën mbrëmjen e së djelës gjendja e tij është rënduar. Në këto kushte familjarët kanë nxituar për ta dërguar fëmijën në spital.
Sapo mjekët kanë parë gjendjen e fëmijës tre vjeçar kanë vënë re shenjat e meningjitit dhe janë alarmuar së tepërmi. Sipas mjekes pediatre, Anila Muka, fëmija Athanas Davidhi i moshës tre vjeç është shtruar në spitalin e pediatrisë rreth orës 21.00 me të gjitha shenjat e sëmundjes së meningjitit. "Ne kemi vënë re njollat karakteristike të kësaj sëmundjeje dhe menjëherë kemi bërë shtrimin e tij në spital. Gjendja e tij ishte tepër e rëndë dhe për rreth tre orë është mbajtur i izoluar në një dhomë të spitali. Gjatë kësaj kohe kemi folur me specialistët nga Tirana, të cilët na kanë këshilluar nisjen e tij në mënyrë urgjente drejt kryeqytetit. Në orët e natës fëmija tre vjeçar është dërguar për në Tiranë",- tha mjekja pediatre Anila Muka. Sipas kësaj mjeke, në spitalin e Fierit tregohet kujdes për të tilla sëmundje dhe nuk ka pasur raste të tjera por ajo shton se ka shumë fëmijë me virozë gripi dhe çdo ditë kryhen mesatarisht më shumë se 70 vizita.
Por edhe pse fëmija me simptomat e meningjitit është dërguar për në kryeqytet, në dhomat e tjera ku ndodheshin të shtruar fëmijë me grip ose sëmundje të tjera, prindërit janë shqetësuar së tepërmi. Ata kanë pohuar se ndihen të frikësuar për fëmijët e tyre, të cilët mund të jenë infektuar nga sëmundja e rrezikshme. Ky shqetësim është përhapur edhe në lagjen ku banonte fëmija tre vjeçar. Kjo për vet faktin se jo vetëm në banesën e ku fëmija kishte ditë që lëngonte nga sëmundja por edhe në dhomën ku ishte shtruar tre vjeçari Athanas Davidhi, nuk janë marrë masa të karantinës ose dezinfektimit të dhomave ku kishte qëndruar i sëmuri.
Sëmundja
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz, që mund të mbarojë me vdekje, nëse nuk jepet shpejtë terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që tu përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve dhe terapi tjetër mbështetëse.
PRECEDENTËT
Për herë të parë për këtë vit sëmundja e meningjitit është zbuluar në spitalin e Korçës më datë tre janar. Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe, dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, janë mbajtur gjatë këtyre ditëve nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali.
Rasti i dytë i sëmundjes së meningjitit është zbuluar në spitalin e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një vajzë trevjeçare, e cila mësohet se është prekur nga shkalla më e rëndë e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Trevjeçarja Eljana Alinani, banuese në qytetin e Delvinës, është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër dhe më pas është dërguar për kurim në kryeqytet.
Më datë dhjetë janar është shënuar një tjetër rast i meningjitit, i cili ka përfunduar tragjikisht. Anila Memushaj, 25-vjeçare, lindur në fshatin Kalanjë të Çorovodës, jetonte në shtetin grek, në lagjen Gizi, pranë Kipselit, në Athinë ka vdekur nga meningjiti në Athinë teksa kurohej për grip të thjeshtë. Gruaja ishte shtatzënë dhe pas vdekjes mjekët shqiptarë kanë vënë të gjithë fshatin në karantinë
Më 12 janar është shënuar një tjetër rast meningjiti dhe këtë herë në Pukë. Një 18-vjeçare, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme në Pukë, ka rezultuar e infektuar me mikrobin e meningjitit dhe është dërguar për ndihmë të specializuar në spitalin infektiv në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga spitali i Pukës, vajza e identifikuar me sëmundjen e meningjitit quhet Arjana Dunga dhe është 18-vjeç