E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ndau, vrasës me pagesë ish të dashurës

Një i dashuruar shqiptar, i përçmuar nga ish e dashura e tij në Nju Jork, paguan dy vrarës me pagesë të racës latine për ta eliminuar atë. 

NJU JORK/USA

Aleksandër Vaçaj, 32 vjeç, pas shumë problemeve të lidhjes së tij me bashkatdhetarin Arteda Gjelaj, 26 vjeçe,  përfundimisht kishte vendosur eliminimin ose masakrimin e saj, duke paguar dy vrasës kriminelë. Historia tragjike përshkruhet në detaje nga të gjitha mediat lokale vizive dhe të shkruara të qytetit të Nju Jorkut, i cili mësohet se ka gdhirë dje me lajmin e bujshëm “Slash my ex-Lover”, “Vrisni ish-të dashurën time”. Ky në fakt ishte titulli kryesor i gazetës më të madhe të qytetit “New York Daily News”, ku në faqe të parë janë botuar edhe foto të mëdha të dy shqiptarëve. Sipas mediave njujorkeze, të cilat kanë cituar policinë lokale, dy gangsterët latinë pasi kishin marrë paratë e caktuara për të kryer krimin, ishin drejtuar në vendin ku po punonte ish e dashura e Vaçajt, shqiptaro-amerikania Arteda Gjelaj, në lagjen “Chinatown” të Nju Jorkut. Ajo ishte e punësuar në administratën e një pallati luksoz, privat. Para krimit, policia njujorkeze kishte arritur të siguronte informacione sekrete për planin e eliminimit të shqiptares, nëpërmjet një skenari të hartuar nga ish i dashuri i saj Aleksandër Vaçaj. Dy gangsterët vrasës u qëlluan në vendin ku planifikohej vrasja nga një prej detektivëve të policisë amerikane, i cili edhe më parë kishte pasur lidhje me shqiptaren Gjelaj. Detektivi Martin Carrano u gjakos në krahë, kur ai u përlesh me dy vrasësit, por duke parë që gjendja shkonte drejt përkeqësimit e konfrontimit fizik, detektivi amerikan shkrepi armën ndaj dy kriminelëve, duke lënë një të vrarë dhe tjetrin të plagosur rëndë. Paraprakisht mendohet se ai ka qëlluar 10 plumba në drejtim të tyre. Ngjarja tragjike rezulton të jetë filmuar e gjitha nga kamerat sekrete të instaluara në çdo kënd të ndërtesës luksoze, ndërsa tani po analizohet nga ekspertët e hetimit. “Nëse detektivi Carrano nuk do të gjendej në atë moment dramatik në vendngjarje, unë nuk do të isha më gjallë”, deklaroi për gazetarët njujorkezë, 26-vjeçarja shqiptare Arteda Gjelaj. Pas kësaj është arrestuar Vaçaj, nga qyteti Lodi i Nju Xhersit, i akuzuar të jetë përgjegjës për krimin e përgatitur. Agjentët e FBI-së e arrestuan atë në lagjen Bronks të Nju Jorkut. Policia dhe hetuesit po hetojnë çështjen se përse Vaçaj ka paguar njerëz për të vrarë ish të dashurën e tij. Pohohet se të dhëna të favorshme për hetimin mund të jenë deklarimet e ish të dashuruarve shqiptarë Vaçaj e Gjelaj dhe atentatorit të plagosur.             f.m.

Bujë në media, kopertina e “New York Daily”: “Vrisni ish të dashurën time”

NJU JORK - Krimi i dy ditëve më parë në Nju Jork, organizuar prej shqiptarit Aleksandër Vaçaj, është përcjellë me bujë në mediat e këtij qyteti. Gazeta më e madhe lokale “New York Daily News” kishte titull kryesor “Slash my ex-Lover”, që shqipërohet “Vrisni ish të dashurën time”. Ndërkohë edhe mediat e tjera vizive dhe të shkruara i kanë kushtuar 27 artikuj e kronika krimit që mori përmasa. Në artikullin e “New York Daily News”, ku citohen rrëfime të policisë, pohohet se Vaçaj ishte i ndarë nga gruaja e tij në janar të këtij viti. Ai pas kësaj ndarje ishte parë të dilte me Arteda Gjelajn, me të cilën më 17 maj të këtij viti kishte pasur një zënkë. Si pasojë e saj ai kishte shkëmbyer edhe fjalë të rënda në publik me 26-vjeçaren, të cilën më pas e kishte goditur me shuplakë në fytyrë. Në ngjarjen e 17 majit, e ndodhur në një restorant në “Astoria – Quins”, ndërhyri policia për të qetësuar çiftin e shqiptarëve, ndërsa bëhet e ditur se në mesin e detektivëve ishte edhe Martin Carrano, personi që i shpëtoi jetën dy ditë më parë. Gazeta njujorkeze pretendon se kjo tregon se prej këtu mundet të ketë filluar edhe njohja mes shqiptares Arteda dhe detektivit Martin, i cili u gjend në momentin e ngjarjes së djeshme në krye të detyrës. Pas ngjarjes së rëndë, ku shpëtoi mrekullisht, shqiptarja Gjelaj u tha gazetarëve se ajo vazhdimisht kishte pasur kërcënime nga ish i dashuri i saj Vaçaj, saqë kur ndodhi ngjarja ajo kishte marrë disa telefonata se do ta zhduknin atë ose familjen e saj. Fatmirësisht ndërhyrja e policisë në kohë bëri që ajo t’i shpëtonte eliminimit nga dy vrasësit e pajtuar nga ish i dashuri bashkatdhetar Aleksandër Vaçaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›