E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, përleshje me armë pas ngacmimit të një femre në lokal

TIRANE - Një person mbeti i plagosur mbrëmjen e të premtes vonë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, pas një përplasjeje 

me armë për motive xhelozie. Kreshnik Xhaferri, 24 vjeç, banues në Kodër Kamzë të Tiranës ka mbetur i plagosur në këmbë me armë zjarri, pas një konflikti për probleme femrash në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Si autor të dyshuar të krimit, policia shpalli në kërkim Fredi Allkon, 35 vjeç, banues po në Tiranë. Allko, sipas policisë, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë si dhe armëmbajtje pa leje. Krimi ndodhi pranë lokal “Diva” në kryeqytet, rreth orës 22:30 të së premtes, kur Allko dhe Xhaferri janë përplasur mes tyre për shkak së të dashurës të Allkos. Autori i dyshuar i krimit, sipas burimeve të policisë, ka pretenduar se i plagosuri Xhaferri i kishte ngacmuar të dashurën. Për këtë konflikt, sipas policisë, ata janë grindur në ambientet e një lokali dhe më pas kanë dalë jashtë tij, ku kanë nisur të grinden mes tyre dhe të shahen. Pak minuta pasi ata kishin dalë dhe po fjaloseshin në rrugë, janë dëgjuar dy të shtëna arme, që sipas policisë ka qenë një pistoletë “Miniblou” e kalibrit 9 mm. Allko ka qëlluar në drejtim të 24-vjeçarit nga Kodër Kamza, duke e lënë atë të plagosur në këmbë. Pas krismave, autori i krimit është larguar bashkë me armën, ndërsa i dëmtuari është dërguar nga disa persona në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Atje pas ndihmës së parë Xhaferri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët i kanë mjekuar plagën dhe kanë ndihmuar të plagosurin të kalojë rrezikun për jetën që i kanosej. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka rrethuar vendin dhe ka administruar një gëzhojë që, sipas tyre, është e armës “Miniblou”, me të cilën është qëlluar në drejtim të të riut. Pas hetimit të kryer dhe dëshmitarëve të pyetur, oficerët e krimeve kanë mësuar se shkak për konfliktin me armë mes dy të rinjve ka qenë një femër. Gjatë hetimit të kryer policia dhe oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve, kanë identifikuar si autor Fredi Allkon, i cili kishte mundur të largohej nga vendi i ngjarjes. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një personi.                        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›