E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ndërrojnë datën

Në vend se më 4 maj, siç ishte paralajmëruar më herët, Panairi Ndërkombëtar i Librit ‘Prishtina 2011’ do të hapet një ditë më herët dhe do të zgjasë deri më 8 maj. Nga Alfred Beka më 25 prill 2011 në ora 10:52

Panairi Ndërkombëtar i Librit ‘Prishtina 2011’, i cili ishte paraparë që të fillojë më 4 maj, nuk do të hapet në këtë datë, por një ditë më herët dhe do të zgjasë deri më 8 maj. Arsyeja e ndërrimit të datës është bërë për shkak të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Shqipëri. Ndërrimi i datës i është kërkuar organizatorit nga vetë botuesit shqiptarë, pasi që zgjedhjet lokale në Shqipëri mbahen më 8 maj, ditën kur edhe do të mbyllet panairi.

“Gjatë kohës sa isha në Tiranë bëmë një marrëveshje me botuesit që panairi të fillojë një ditë më herët, në mënyrë që të arrijnë, ata që duan, në zgjedhjet lokale në Shqipëri. Në kohën kur e kemi caktuar datën nuk e dinim se zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen më 8 maj”, u shpreh Behxhet Bici, kryetar i Unionit të Botuesve të Kosovës dhe organizator i Panairit të Librit.

Ai tregoi, po ashtu, se me datën 9 maj salla ku mbahet panairi duhet të jetë e lirë për organizimin e Ditës se Europës, që mbahet nën patronatin e Ministrisë së Integrimit.
Sipas Bicit, deri më tash pjesëmarrjen në panair e kanë konfirmuar mbi 70 botues. Mysafir i panairit do të jetë shkrimtari Fatos Kongoli, i cili do të jetë i pranishëm në hapjen e panairit, ndërkaq të nesërmen lexuesit do të kenë mundësinë të blejnë librat e tij dhe t’i marrin me nënshkrim të autorit. Përpos Kongolit, do të ketë edhe shkrimtarë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme dhe promovime librash.

“Prej aktiviteteve do të ketë disa promovime, si për shembull promovimi i librit të autorit nga Shqipëria Behar Gjoka mbi poetin Martin Camaj, me ç’rast do të jetë i pranishëm edhe autori Gjoka, si dhe disa promovime të tjera”, u shpreh Bici.

Bici pret që Ministria e Kulturës si dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës ta mbështesin Panairin e Librit. Ndërkaq, lidhur me faktin se është paralajmëruar mbajtja e dy panaireve të librit brenda dy muajve, Bici është i mendimit se një qytet si Prishtina ka nevojë për më shumë se një panair dhe për përhapjen e kulturës se leximit. Për hir të librit, ai i bën thirrje edhe Shoqatës së Botuesve që të marrë pjesë në panair.

“Nëse më të vërtetë qëllimet janë për përhapjen e kulturës së leximit, ne jemi për bashkëpunim me çdokënd që e ka këtë qëllim, bile i ftojmë edhe anëtarët e Shoqatës se Botuesve të marrin pjesë në panair”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›