E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjan Konomi: Juria, inkuzicion jo juri spektakli!

SHKRUAN: Ilda Lumani 25-04-2011 12:25

Gazetari Arjan Konomi ka qenë i eliminuari i dytë i spektaklit “Dancing with the stars-Albania”. Një skualifikim edhe i pritur prej tij, por më shumë i justifikuar për shkak të kërcimit të vështirë që kishte marrë përsipër. Në këtë intervistë për gazetën “Mapo” Arjani tregon sesi e ka përjetuar këtë spektakël, por shpreh edhe kundërshtitë e tij për mendimet dhe vlerësimet e jurisë, ku më së shumti kritikat shkojnë për Ilir Shaqirin. Gjithashtu, Konomi pohon se nga ana regjisoriale këtij spektakli i ishte dhënë më shumë rëndësi dukjes, sesa përgatitjes së balerinëve-VIP. Për më tepër, le të ecim së bashku në këtë rrëfim mjaft interesant…

Arjan, e prisnit të dilnit këtë të enjte nga spektakli “Dancing with the stars”?

Jo, nuk e prisja në të vërtetë, por mbasi kërceva fillova ta prisja. Nuk isha në të njëjtën paraqitje që kisha dhënë në prova. Kisha një bllokim, prej emocioneve e orës së vonë të natës, por që isha keq dhe jo si në prova këtë e ndjeva.

Kjo edhe për faktin se kërcimi ishte I vështirë?

Jo vetëm ky, të gjitha vallëzimet që kam performuar kanë qenë të vështira, me koreografi të vështirë dhe me padjeshka të vështira, të gjitha kërcimet kanë qenë me shumë koeficient të lartë vështirësie në krahasim me të tjerët. Kjo edhe për faktin se balerina ime ishte soliste e Teatrit të Operas dhe Baletit, balerina më e mirë teknike dhe kishte dëshirë që të bënte gjëra shumë të vështira, të realizonte një koreografi të bukur. Përfundimisht, mendoj tani se kjo është ajo që na ka rënduar, pasi kur shihja disa koreografi të të tjerëve që ishin tepër të thjeshta, vetëm lëvizje në skenë dhe kuptova që juria nuk e merr fare parasysh vështirësinë e koreografisë, siç ndodh në gara sportive individuale, që ka një koeficient për pikët që merren dhe ka edhe një koeficient për vështirësitë e ushtrimit, si në patinazh artistik, hedhja nga trampolina etj…, në këtë rast nuk është marrë asnjëherë parasysh koreografia dhe para kërcimit të fundit unë u thashë dhe koreografëve që nuk kemi kohë të lodhemi duke bërë gjëra të vështira dhe të rrezikshme shpejt e shpejt, pasi ato asnjë njeri nuk i vlerëson. Madje tek vallëzimi i rumbës, që unë rrezikoja tri herë që e bëra, që rrezikoja ndërkaq edhe balerinën, asnjëri nuk tha asnjë fjalë që ishin gjëra të vështira dhe bravo që i bëre…

Mendon se kishte edhe ndonjë tjetër konkurrent që nuk e meritonte për të vazhduar lojën…?

Ne ishim një grup, që ishim pak a shumë në të njëjtin nivel, dhe dalja e njërit apo e tjetrit ishte thjesht rastësi dhe varej nga forma e asaj nate. Nuk qëlloi që atë natë unë të isha në formën time më të mirë.

Po më të dobët se ju kishte atë natë?

Nuk e vlerësoj dot këtë. Pasi ne edhe veten tonë nuk e shihnim sesi performonim. Gjithmonë sheh të tjerët dhe nuk e bën dot këtë krahasim, por siç dëgjova ishim disa që mund të dilnim atë natë.

Arjan, po për jurinë, çfarë mendimi keni? A ka votuar ajo gjithmonë objektivisht?

Juria është pak si juri inkuizicioni, jo juri spektakli! Normalisht ata bëjnë dy ekstreme të kundërta ose vërejtje që të hedhin tërësisht poshtë, ose vlerësime pastaj absurde që janë koti, siç ka ndodhur në shumë raste… unë ia ktheva përgjigjen edhe në skenë gjatë komenteve që bëri juria. Më ka mbetur disi në mendje një shprehje e Ilirit, që tha: “Arjani është një partner i mirë, po nuk është një balerin i mirë”!. Unë nuk kam vajtur aty për të qenë një balerin i mirë, e para; dhe e dyta, për të qenë një balerin i mirë do isha solist në Opera e do kërceja atje, gjë që nuk e bën më as Ilir Shaqiri vetë jo më ta bëj unë që jam shumë më i madh se Ilir Shaqiri.

Po përsa i përket dy anëtarëve të tjerë të jurisë?

Arjani ka pjesën e vet të gallatës është për show, dhe siç tregon edhe vlerësimi i tij i pikëve është sipas gallatës që ai bën, nuk është se sheh vallëzimin. Dhe vlerësimi i tij në këtë aspekt merret i mirëqenë, ajo është pjesa e Çanit që e dimë të gjithë. Ndonjëherë me mua ndihej në vështirësi se nuk kishte çfarë të bënte, nuk luante dot, dhe detyrohej të bënte pak më seriozin, por nuk kam asnjë vërejtje për pikët e tij. Iva ka qenë e mrekullueshme, ka thënë ato fjalët e mira, pavarësisht se pikët i ka vënë të ndryshme nga komentet. Këtë do të doja të thosha edhe për Ilirin, Iliri mund të jepte zero pikë, por ama le të thoshte që bëre diçka, ne nuk është se nuk bëjmë gjë aty, bëjmë diçka, pavarësisht se s’i bëjmë dot të gjitha. Pasi, po t’i bënim të gjitha nuk do ishim amatorë, që provonim të mësonim kërcime.

Kjo do të thotë se paskeni pasur jo pak qejf mbetje nga kryetari i jurisë, Shaqiri…

Nga Iliri nuk është se kam qejf mbetje, por prisja që Iliri të thoshte për ato pjesë të vështira të koreografisë, t’i vlerësonte dhe t’i thoshte. Janë pjesë që në fakt i bëjnë balerinët e Teatrit të Operas. Dhe për mua, për moshën, për eksperiencën që vij nga gazetaria, nuk kam lidhje me skenën, siç mund të kenë të gjithë ata që janë aty brenda, duhet ta merrte parasysh edhe këtë fakt. Tha herës së parë që ke koreografi të vështirë, pastaj nuk e tha më. E kjo gjë ndikon edhe tek publiku, sepse nëse Iliri thotë që është një koreografi e vështirë, Arjani e bëri, pavarësisht defekteve, apo nuk e bëri aq bukur, e rëndësishme është që e bëri…, tha që rrezikove jetën e partneres, normal që unë e rrezikoja jetën e partneres, gjithmonë e bëja atë edhe në prova dhe në skenë…

Cili ka qenë fitimi më i madh i juaji nga kjo garë?

Atmosfera e grupit ka qenë shumë e mirë, bënim gallatë edhe para edhe pas shfaqjes, ishte një shoqëri e këndshme. Unë e kam thënë, ata janë VIP-a jo për faktin e asaj që duhet të jenë VIP, por janë të tillë pasi me të vërtetë kanë pasur një frymë solidariteti shumë të mirë mes njëri-tjetrit. Dhe kur kam parë se mund të ngjallej ndonjë xhelozi unë jam përpjekur që ta shuaj dhe të mbaj një bashkëpunim të mirë me grupin. Ishin me të vërtetë një ekip i mirë dhe i mrekullueshëm.

Po për spektaklin, cili është vlerësimi juaj?

Ka diçka nga ana e përgatitjes, ka qenë një lodhje e madhe. Flas këtu për përgatitjen në skenë. Nga ana e regjisores Vera Grabocka, nuk i kushtohej vëmendje kërcimit, madje ajo thoshte se “nuk më intereson fare kërcimi sesi e bëni”, por i interesonin hyrjet dhe daljet tona në skenë dhe si ishim kombinuar. Ne nga e marta, e mërkurë e deri të enjten nuk bënim më prova, po bënim thuajse ato hyrjet e daljet në skenë. Aq sa dikush nga ne u revoltua dhe i tha: “po merr figurantë dhe bëji provat në skenë për dritat dhe kamerat”. Ne shkonim në orën 3 pasdite dhe mbaronim në orën 10 të mbrëmjes me këto “prova” skena. I kushtonin vëmendje spektaklit dhe fare rëndësi përgatitjes sonë, apo problemeve që kishim ne. Ne ishim atje si mbushës të një spektakli dhe gjithçka ishte në funksion për dritat për kamerat, dhe për ngjyrat që do vishnim. Imagjinoni, për të bërë një foto grupi, ne kemi ndenjur tri orë, sepse uleshim ngriheshim, ndërrohej fustani i kuq me të bardhë etj., pra për të bërë dy minuta një skenë që të thoshim hapet votimi, ne rrinim aty me orë të tëra për ta bërë. Prandaj vinte një tjetër dhe na ndryshonte, sepse nuk i pëlqente renditja jonë e kështu me radhë… e tëra ishte një budallallëk i madh, që në fund të fundit ne harronim kur vinim në spektakël kërcimet tona që kishim mësuar, pasi kishim tri ditë pa kërcyer.

I njihni të gjithë konkurrentët më shumë se audienca. Kë shihni si fitues?

Aty ka disa që janë të mirë. Unë mendoj që duhet të fitojë dikush që i duhet edhe për punën e për profesionin e tij. Unë e kam thënë që për mua kjo ishte thjesht një argëtim. Ishte bukur për aq sa zgjati, mund të kishte zgjatur edhe 2 javë më shumë, nuk është se unë pretendoja që të fitoja apo të arrija në finale. Aq më tepër sepse të gjithë ata i janë përkushtuar asaj gjëje dhe jetojnë për atë gjë, unë ndërkohë bëj dhe tri punë të tjera. Kam pasur edhe këtë vështirësi tjetër, pasi kam pasur punët e mia, me fushatën, me televizionin në Vlorë, me revistën, duhet të bëja përditë dhe prova, kështu që më ishte bërë një ngarkesë e madhe. Kurse gjithë të tjerët ishin në dispozicion të kërcimit dhe bënin vetëm këtë gjë.

Arjan, së fundi, pjesëmarrja në këtë spektakël ishte edhe një lloj hakmarrje ndaj spektaklit të “Big Brother”, që nuk ju përfshiu si opinionist në edicionin e fundit?

Absolutisht jo. Big Brother mbetet gjëja më e bukur e imja, një diçka që nuk do ta harroj kurrë dhe që është pjesë e jetës sime, dua nuk dua unë, nuk më lënë njerëzit e banorët e rinj. Edhe pse nuk jam opinionist, e ndiej që jam aq i lidhur me Big Brother sa nuk kam për ta parë veten larg ndonjëherë. Kjo ishte një iniciativë e bukur, që po të ishte në një periudhë tjetër të vitit, p.sh. në vjeshtë do ta kisha shijuar shumë më shumë… e do t’i isha përkushtuar edhe më tepër. Megjithatë, ishte një eksperiencë shumë e bukur!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›