E nevojshme që arsimi 12 vjeçar duhet të bëhet i detyrueshëm
Shqipëria, do të ecte përpara dhe do të pakësoheshin në maksimum krimet, nëse do investohej seriozisht dhe me prioritet absolut në arsim. Jo vetëm me fonde, por edhe me ide, e para e të cilave për mua është: Arsimi i detyrueshëm të ngjitet nga 9 vjeçar që është tani në 12 vjeçar, pra edhe shkolla e mesme të ishte e detyruar.
Rastësisht një ditë vajta në një sallë gjyqi (penal, jo politik) në kohën e komunizmit. Aty, ndenja deri në përfundim të seancës dhe i pandehuri mori denimin që i takonte. Që në atë çast me lindi dëshira për të shkuar dhe herë të tjera në sallë si dëgjues. Kur isha turni i dytë dhe i tretë, shkoja thuajse gjithnjë në të gjitha seancat gjyqësore që zhvilloheshin. Aty, kuptova se ata persona që gjykoheshin për krime ordinere ishin me arsim të ulët.
Pushteti në fuqi i asaj kohe e pa të arsyeshme dhe bëri shkollën shtatëvjeçare të detyruar. Të gjithë ata punetorë që nuk e kishin 7 vjeçaren i detyroi që ta vazhdonin natën pa shkëputje nga puna. Punetorët që vazhdonin natën largoheshin dy orë nga puna dhe orët paguheshin. Këtë që them e dinë të gjithë shqiptarët, por më poshtë do shtoj diçka tjetër që është për të mirën e të gjithëve.
Kjo dëshirë është që të bëhet shkolla e mesme e detyruar. Në shkollë e mesme njeriu merr kulturën, edukatën dhe pjekurinë. Ju duket rastësore që shumica absolute e personave që bëjnë krime janë me arsim të ulët?
Shteti jone tani ka mjaft probleme te ndërlikuara, por edhe ky problem është shqetësues. Popullsia jonë tani thuajse u grumbullua në qendra të mëdha banimi. Shkollë, arsimtarë dhe mjete të tjera mësimore kemi, prandaj kjo ka mundësi të bëhet.