E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për të qenë të lirë

Arben Rrozhani

-Një ditë para votimeve të 23 qershorit, rrjetet sociale u përmbytën nga denoncimet për blerje jetësh njerëzore, marrje peng të kartave të identitetit kundrejt parave, blerje vote me lekë në dorë, ushqime, premtime, kërcënime. Në këto muaj të fushatës elektorale, pushteti premtoi, joshi, kërcënoi këdo që pati mundësi. Me mënyrën më të ulët: vendin e punës, bukën e gojës për veten dhe fëmijët. Sot është dita 0, kur pritet që gjithkush pas saj të ketë një fillim të ri, para së gjithash të lirë, të jetojë me punën dhe djersën e vet, jo me militantizmin dhe verbërinë ndaj partisë që ka pushtetin. “Shekulli” sot sjell një galeri personazhesh që flasin dhe rrëfejnë ato çka ua bren shpirtin.

Po e nis nga Feruzan Durda, ky baba fatkeq që humbi djalin në masakrën qeveritare të qeverisë “Berisha” në 15 mars 2008. Durda sot ka vetëm lotët që nuk i shterojnë. Kërkon shpagim. Jo vetëgjyqësi, por drejtësi. Në këto mbi 5 vite ai ka parë se nuk ka drejtësi, se viktimat e mbetura gjallë janë blerë me një vend pune, me një premtim dhe janë pengje të bashkisë së Vorës që qeveriset nga PD-ja që i vrau në biznesin e demontimit të fishekëve. Durda nuk pranoi të shesë gjakun e djalit, por shpreson dhe sot thotë se do të votojë kundër rregjimit gjakatar që e la pa fëmijën e dashur.

Me lot vjen edhe Ana, vajza e Zier Veizit, njërit prej viktimave të 21 janarit 2011, ekzekutuar nga garda e Republikës përpara portës së kryeministrisë, me urdhër të kryeministrit Sali Berisha. Ana sot është mëse dy vite më e madhe se ato kohë, kur me përlotjen e saj ngashëreu të madh e të vogël. Ajo shpreson se do të vendoset drejtësia, se urdhërdhënësi dhe urdhërzbatuesi nuk do të shpëtojë nga drejtësia dhe do të paguajë një më një për atë krim shtetëror të urdhëruar dhe të justifikuar nga Sali Berisha, që sot shfaqet si shërbëtori i përvuajtur për të rrëmbyer pushtetin e radhës. Sot sjellim edhe një nga mijëra tregtarët e vegjël të Shqipërisë.

Që mbledh defterët në zonën më të lakmuar të Tiranës, ish-Bllok. Për të na treguar se mjerimi dhe skamja ka ngërthyer dhe ka hyrë thellë në çdo familje shqiptare që nuk rron me paratë e vjedhura nga korrupsioni, por me djersën e ballit. Por ato nuk dalin dhe ky shitës shton emrat e borxhlinjve që shton nën “mrekullinë ekonomike” të Sali Berishës. Sot votojnë për Rilindjen e vendit dhe kundër një tiranie të kamufluar si demokraci, dhjetra emra të shquar që na kanë përfaqësuar me dinjitet në botë, që sot do të votojnë kundër një rregjimi që jo vetëm nuk na çoi te Europa që kërkuam në dhjetor 1990, por po na kthen në autokracitë tipike lindore të tipit azer.

Sot kemi shumë arsye për të qenë një shumicë vendosëse kundër kësaj qeverie që po përpiqet të marrë peng sot, për katër vitet e ardhshme, një popull të tërë. Shërbëtorët e pushtetit e kanë nisur këtë lojë të ndyrë që ka fëlliqur Shqipërinë prej dekadash. Kërcënojnë të mjeruarit që kanë prodhuar nga rregjimi i korruptuar, që t’i votojnë, se ndryshe nuk u japin asistencën, nuk u japin rrogën mjerane, nuk do t'u japin madje as certifikatat.

U kanë marrë peng të majtëve kartat e identitetit që të mos kenë mundësi që të votojnë për Rilindjen. Shpresojnë të vjedhin sa mundin, duke paguar me buxhetin e batërdisur të shtetit, manipulimin e radhës për të qenë sërish padronë të një vendi që nuk i do. Ka mjaft syresh që e kanë pranuar paranë e sotme, për të qenë robër edhe katër vite të tjera. Kanë frikë, kanë uri, por nuk kanë shpresë, sepse ua kanë vrarë shpresën. Ua ka vrarë rregjimi, që nuk iu dridh dora as kur vrau 26 të pafajshëm në Gërdec, as kur ekzekutoi katër të pafajshëm të tjerë në qendër të Tiranës në 21 janar.

Ata nuk duhen fajësuar, sepse kanë nevojën e ekzistencës. Por ata duhen çliruar. Në mesin e vitit 2013, në Ballkanin Perëndimor, në një vend që ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në qershor 2006, anëtarësimin në NATO në prill 2009, liberalizimin e vizave në dhjetor 2010, por që ka dështuar tri herë në marrjen e statusit të vendit kandidat prej korrupsionit, krimit të organizuar dhe instalimit të partisë-shtet, nën udhëheqjen e Sali Berishës, ka vend për shtetas-pengje.

Ata duhen çliruar sot, me një votë plebishitare pro koalicionit të majtë, kundër një tiranie të veshur me mantelin e demokracissë. Ndryshe ky vend do të jetë peng, dhe jo vetëm për 4 vitet e ardhshme.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›