E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

E para që solli parfumet niche në Shqipëri, Alda Prodani tregon “sekretet” e industrisë së parfumeve

Parfumet niche janë fragrancat e prodhuara në sasi më të vogla, të cilat shiten përmes dyqaneve të specializuara. E ftuar sot në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu ishte sipërmarrësja Alda Prodani, e para që solli parfumet niche në Shqipëri në fund të viteve 2000.

“Gjatë qëndrimit në Bolonja me Eldonin (bashkëshortin) ishim në panairin Cosmoprof. Unë nuk isha e interesuar te pjesa e parukerisë, por në një pjesë të veçantë për parfumet. Me miqësi dhe anëtarësi, hymë brenda sepse ishte zonë privé. Firma e parë që më ka pëlqyer ishte Rancé. Ka qenë si pikënisje dhe menduam pse të mos e hapim vetë një biznes.”

E gjithë kjo sipërmarrje donte guxim dhe këmbëngulje, pavarësisht se fillimet ishin të vështira pasi këto parfume ishin më pak të njohura se sa market e zakonshme. “Më kokëfortësi mendoja që do të ketë gjithmonë njerëz që do të kërkojnë të diferoncohen nga të tjerët.”

Pavarësisht të papriturave që sjell konkurrenca jo gjithmonë e pastër, për Prodanin kjo shndërrohej në forcë. “Kjo gjë më ka dhënë më shumë forcë dhe më ka bërë më kreative. Bëhesh më kërkuese të vazhdosh të jesh ndryshe për të qenë lider në treg.”

Po përse parfumet niche janë më të shtrenjta? “Është shumë interesante sepse historia e disa prej brendeve më të famshme niche ka filluar pikërisht nga personat që kanë punuar në kompani të mëdha. Frederic Malle ka qenë punonjës i Loreal-it, ku pa se më shumë investohej në marketing sesa në fragrancë. Krijoheshin shishe me shumicë, dhe sa më i madh numri i flakonëve bosh, edhe kostot ulen. Por parfumi brenda ishte njësoj si i shumë të tjerëve dhe maksimumi i përqëndrimit ishte 12 për qind për parfumet Eau de Parfum. Kur paguan më shumë ke më shumë pritshmëri.”

Alda tregon se industria e parfumeve ka avancuar pa u shqetësuar nëse një parfum dimri ti e përdor gjatë verës. “Sot industria e parfumeve është përsosur dhe ka kombinime nga më fantastiket, që ti nuk duhet të ndihesh në faj se çfarë parfumi je duke hedhur sepse vetë stina apo temeperatura i eliminon ose sfumon ato fragranca që mund të mos duken mirë në verë.”

E pyetur nëse ka teknika se si një parfum të qëndrojë më gjatë, Prodani radhit disa. “Mund të përdorësh vajin ose kremin e trupit me të njëjtën aromë. Sot ka edhe parfume që e vendos si bazë dhe më pas hedh një parfum tjetër. Janë përforcues myshku, paçuli për notat e tokës, dru sandali. Këto e mbajnë gjatë një parfum që e do shumë por që nuk qëndron në lëkurë. Në modë kanë dalë spray-t për flokët pa alkool që nuk dëmtojnë dhe i ruajnë ato nga dielli.”

Gjithsesi stina e verës ka aromat e saj tipike. “Neroli është bërë një element shumë i fuqishëm kohët e fundit në industrinë e parfumeve. Po kështu lulet e bardha për aromat femërore ose vetiveri për ato mashkullore.”

Nëse Alda Prodani ka menduar, pas kaq vitesh në këtë industri, të ketë një parfum të sajin, ajo rrëfen se e ka menduar dhe miqtë e motivojnë drejt realizimit të kësaj ideje.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›