E perditshmja franceze Le Figaro
Në Siri lufta civile është gjithnjë e më shumë në dorë të grupeve rebele vendase që stërviten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën kështu shkruan e përditshmja franceze Le Figaro e cila në faqen e saj të internetit, vendos titullin: Nis operacioni kundër Asad.
Sipas kësaj media, një grup i parë prej 300 personash kanë hyrë në Siri në datën 17 gusht.
Burimet ushtarake të cilat citohen në artikull tregojnë se këto grupe janë stërvitur nga amerikanët në Jordano dhe kalojnë kufirin me ndihmën e forcave speciale izraelite dhe jordaneze.
Le Figaro vazhdon më tej duke lidhur përdorimin e armëve kimike nga ana e regjimit në Damask pikërisht për shkak të zbulimit të këtyre skuadrave speciale. Gazi nervin ka shkaktuar vdekjen e 1300 personave në natën midis të martës dhe së mërkurës, në periferi të kryeqytetit sirian.
Hetimi i së përditshmes franceze vjen pikërisht në kohën kur qeveria e Parisit kërkon një ndërhyrje të armatosur kundër regjimit sirian. Shtetet e bashkuara të amerikës janë treguar më të matura dhe sipas Uashingtonit nuk ka asnjë provë për përdorimin e armëve kimike. Nga ana e saj Rusia i ka bërë apel qeverisë siriane që të bashkëpunojë me ekspertët e armëve kimike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.