E Shtunë, 31 Tetor 2026

E përzunë pas 20 vitesh!

Deputetit Kastriot Islami, iu dha një “dhuratë” jo fort e këndshme këtë fundvit, e ndërsa viti i ardhshëm do t’i sjellë një rrugë tjetër, të paktën jo atë të Partisë Socialiste.

Mbledhja e grupit për ta përjashtuar u zhvillua rreth orës 13:00 të ditës së sotme, pa praninë e tij dhe sigurisht edhe pa praninë e medieve. Më pas, katër deputetë kishin votuar kundër, si Arben Malaj, Marko bello, Azir Gashi, Tom Doshi, dhe dy kishin abstenuar, Pandeli Majko dhe Ethem Ruka, teksa në mbledhje mungoi Ben Blushi dhe Andis Harasani.

Ndërsa pjesa tjetër, e njohur si grupi mbështetës i kryetarit, ka dhënë votën për ta larguar përfundimisht nga partia. Teksa brenda zyrës ky mblidhet grupi po vijonte mbledhja, jashtë saj, Islami disi në ethe kërkonte një mbledhje të hapur për mediat, kërkesë që nuk u mor parasysh.

Ai kishte përgatitur një fjalim për këtë rast, që nuk iu dha mundësia për ta mbajtur në selinë rozë, por që disa minuta më vonë pas vendimit për përjashtimin, për të cilin nuk kishte ndonjë dilemë edhe vetë , sqaroi qëndrimin e tij “opozitar” brenda partisë.

Në fjalimin e mëpasëm për gazetarët, Islami e konsideroi vendimin si “stalinist”. “Mbledhja u zhvillua pa praninë time. Do ta konsideroja një veprim të paprecedentë. Një veprim me dyer të mbyllura dhe po të futemi në literaturë mund të definohet si veprim totalitar dhe stalinist”, tha ai.

Rama i interesuar vetëm për pushtet personal!

Sipas Islamit, vendimi nuk ka të bëjë me thyerje të disiplinës për shkak të votimit, por është shumë më i thellë se kaq. "Ka qenë një përballje e një projekti fitues i së majtës së bashkuar për integrimin e vendit në BE me projektin ‘Rama’, me të cilin kërkohet fuqizimi i interesit të tij personal në PS, për një klientelizëm të përzier me korrupsion, për PS-në e vetme dhe vetëm për Edi Ramën", shtoi.

Sipas tij, përballja është me projektin që kërkon të fitojë vetëm Rama, pa bashkim të së majtës dhe me aleatë satelitë. "Nëse vazhdohet në këtë rrugë suksesi është i dyshimtë dhe dështimi ka gjasa të ndodhë edhe në 2013-n. Shumë nga kolegët ndajnë këtë shqetësim me mua, por nuk kanë guximin ta thonë me zë të lartë", deklaroi Islami.

Ai tha se beson në projektin fitues të së majtës së bashkuar përballë atij Rama. "Ajo që po them sot, ndërkohë është që disa kolegë ndihen më të sigurt me projektin Rama, disa janë të shqetësuar, disa të pasigurt dhe disa të demotivuar. Alternativa tjetër përballë asaj të Ramës i përfshin dhe i motivon të gjithë socialistët kudo që janë me një renditje tjetër vlerash, meritash dhe kontributesh", u shpreh ai.

Gjithashtu, deputeti i larguar tashmë nga radhët e Partisë Socialiste, argumentoi kundërshtitë e tij për vendimet më madhore të opozitës në të paktën dy vitet e fundit.  "Unë nuk mund të isha me bojkotin 6-mujor që shkoi në kufijtë limitë të djegies së mandateve dhe PS nuk nxori nga kjo asnjë përfitim. Dihen qëndrimet e BE-së dhe SHBA ndaj bojkotit dhe po të ishte reflektuar kjo PS do të ishte më e suksesshme. Kjo është një nga arsyet politike që u kërkua përjashtimi im, ndërkohë që disa të tjerë e kishin kërkuar që në atë kohë. Nuk jam kundër zgjedhjeve të parakohshme, por nuk pranoja rrëzimin e qeverisë me projekte të rrugës", theksoi Islami.

Ai i konsideroi të humbura të gjitha politikat e ndjekura nga PS, duke filluar me bojkotimin e parlamentit, grevën e urisë, të cilën e konsideroi joefikase dhe të gabuar politikisht, të gjitha këto veprime që dëmtuan imazhin e socialistëve në sytë e ndërkombëtarëve.

"Unë kam qenë kundër bojkotit të Kuvendit, pasi kjo politikë rezultoi e gabuar. Opozita është sot në Kuvend, e ka njohur atë dhe shumë mirë ka bërë. Por, kjo na dëmtoi imazhin dhe këtë e kanë thënë Kantrimen dhe Lajçak", vijoi. Islami theksoi se më 21 janar Rama i nxori qytetarët në rrugë, por nuk hyri mes tyre dhe qeverisë për të shpëtuar jetët e tyre.
/S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-12-20 15:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›