E premte, 2 mars: Përballje e pritshme e Spahiut me Berishën në Lezhë
Gazeta Shekulli raporton se, menjëherë pasi u përhap në media deklarata e Kreshnik Spahiut për takimin Berisha-Samaras, Aleancës Kuqezi i është komunikuar nga policia e Lezhës se i është refuzuar leja për një manifestim të planifikuar në këtë qytet me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në 2 mars. Sipas Shekullit, zyra e Aleancës Kuqezi në Tiranë konfirmon refuzimin dhe thotë se për tubimin festiv ishte bërë kërkesë zyrtare në polici dhe në bashki. Burime lokale nga Lezha kanë bërë të ditur ndërkohë për Shekullin se kreu i qeverisë Berisha ka planifikuar aktivitet në Lezhë në të njëjtën orë dhe në të njëjtën ditë me tubimin e Aleancës.
Në faqen e internetit të Aleancës Kuqezi, lajmërohet sot se, pavarësisht nga refuzimi dy herë i kërkesës së ligjshme për tubim, aktivistët e saj do të mblidhen në Lezhë në orën 13, në datën 2 mars, të premten, për të festuar përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.
Që nga viti 1996, kur Berisha ishte President i Republikës, nuk kishte ndodhur që një subjekti politik ti ndalohej tubimi. Atëherë, Berisha ndalonte tubimet e PS-së, ndërsa tani po mundohet të ndalojë tubimet e AK-së. Siç duket, po e ndjen se kjo forcë e re politike mund të përbëjë një rrezik për pushtetin e tij. Por harron se pikërisht konfrontimet, si ky që pritet të ndodhë në Lezhë, mund ti rrisin kuotat e kundërshtarëve të tij në opinionin publik
*respublica.al
