E Diel, 1 Nëntor 2026

“E premtja e zemërimit”, Vëllazëria Myslimane: Dilni në rrugë

KAJRO - Vëllazëria Myslimane në Egjipt u ka bërë thirrje përkrahësve të saj që të dalin në rrugë, duke rritur kështu frikën për më shumë dhunë në këtë vend. Thirrja e kësaj partie për “Të premten e zemërimit” u bë pasi autoritetet bënë të ditur se është rritur numri i viktimave të përleshjeve të dy ditëve më parë në më shumë se 620 të vrarë, kryesisht civilë.

Në frontin diplomatik, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ju ka kërkuar egjiptianëve që të shfaqin “përmbajtje maksimale” dhe të përpiqen për ripajtimin kombëtar pasi ushtria e hoqi nga pushteti presidentin islamik, Muhammed Morsi.

Deklarata është bërë publike pas një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të enjten. Presidenca e përkohshme e Egjiptit, në të njëjtën kohë ka publikuar një deklaratë duke i hedhur poshtë kritikat ndërkombëtare të shtypjes së protestave islamike. Deklarata thotë se kritikat janë bërë duke mos u mbështetur në fakte dhe ato mund të inkurajojnë aktivitete të “grupeve të armatosura të dhunshme”.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›