E realizuan ëndrrën

Granit Xhaka dhe Admir Mehmedi e realizuan ëndrrën e tyre, duke debutuar në përfaqësuesen e Zvicrësh të shtunën mbrëma, në ndeshje me Anglinë. Kjo ndeshje, e zhvilluar në stadiumin Wembley të Londrës, ishte e vlefshme për kualifikimet e Euro 2012 dhe përfundoi baras, 2:2.
Mesfushori i Baselit kishte emocione në pjesën e parë, por ai shfaqi qetësi dhe siguri në top. Kështu vlerësojnë mediat zvicerane, të cilat kanë mbetur të kënaqura me paraqitjen e 18-vjeçarit.
“Ishte si në ëndërr. Në përgjithësi isha nervoz, por sa më shumë vazhdonte loja, aq më shumë largoheshin emocionet. Mund të jem i kënaqur. Askush nuk e kishte pritur se do ta nxjerrim një pikë këtu”, tha Xhaka, i cili e shprehu impresionizmin e tij pas ndeshjes, ku ishin të pranishëm rreth 90 mijë shikues.
Derisa Xhaka luajti nga minuta e parë, Mehmedi u inkuadrua në minutën e 75-të në vend të Derdiyokut. 20-vjeçari ishte entuziast dhe pati një rast të mirë në fund të lojës. “Është një skuadër fantastike, të gjithë luftojnë për njëri tjetrin. Kjo u pa edhe në lojë, ishte një klimë e mirë”, tha sulmuesi i Zurichut.
Xherdan Shaqiri nuk pati paraqitje shumë të mirë, por mesfushori i Baselit ndihet i kënaqur me lojën që e shfaqi Zvicra. Ai mendon se me këtë lojë, Helvetikët mund të fitojnë kudo.
“Me skuadrën që e kemi tash, jemi në gjendje të demonstrojmë ndeshje të mëdha. Duhet të luajmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme. Mund t’i fitojmë të gjitha takimet”, tha ylli kosovar.
Hitzfeld, i kënaqur me debutuesit
Përpos skuadrës së tij, selektorit i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld është ndarë i kënaqur edhe me lojën që e bënë debutuesit Granit Xhaka, Admir Mehmedi e Innocent Emeghara. “Jam i kënaqur me atë që e demonstruan djelmoshat e rinj. Pashë progres tek ekipi”, tha trajneri gjerman.
Hitzfeld bëri shumë ndryshime. Vetëm katër futbollistë që startuan nga minuta e parë të shtunën, kishin luajtur nga fillimi në barazimin 0:0 ndaj Bullgarisë, në muajin mars. Përpos Xhakës, Mehmedit e Shaqirit, te Zvicra, ndaj anglezëve luajtën edhe Valon Behrami dhe Blerim Xhemajli.