E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Lalën, shanset janë minimale

Veterani i mesfushës mendon se skuadrat në grupin D janë të gjitha në luftë, çka ul mundësitë e Shqipërisë për kualifikim

“Duke parë dhe tabelën, si janë të renditura skuadrat në klasifikim, do të thosha, me pikët që kemi kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Duke parë dhe rezultatin e Rumanisë, tani të gjitha skuadrat në krye janë ngjeshur, me përjashtim të Francës që mbetet favorite kryesore e grupit. Lufta tani bëhet për vendin e dytë dhe ne e kemi një shans minimal. Këtu i referohem dhe rezultateve të fundjavës së kaluar. Tashmë të gjitha skuadrat janë aty-aty me pikët, janë të ngjeshura dhe kush gabon del jashtë gare. Ndaj ne duhet të marrim një rezultat pozitiv”. Kështu mendon Altin Lala, kapiteni i kuqezinjve, që e sheh betejën për kualifikim si tejet të vështirë. Sipas tij, sfida ndaj Bosnjes do të jetë shumë e vështirë, pasi përballë do jenë dy ekipe që luajnë shanset e tyre më të mëdha në këtë 90- minutësh. “Do të përpiqemi të arrijmë një rezultat pozitiv, një barazim ose fitore. Do të jetë një ndeshje e vështirë sepse edhe ata luajnë shansin e tyre të fundit. Shpresoj që ne të jemi në një gjendje të mirë, si në ndeshjen kundër Bjellorusisë. Nëse luajmë kështu, gjithçka është e mundur”. Më pas, kapiteni thekson se do të jetë eksperienca ajo që do të bëjë diferencën. Edhe në këtë aspekt, kuqezinjtë kanë eksperiencë me bollëk, siç u pa edhe me Bjellorusinë. “Ne kemi eksperiencën tonë dhe mundohemi ta përcjellim këtë në kombëtare dhe ta ndihmojmë kombëtaren. Futbolli është i thjeshtë, luhet me 11 vetë dhe në atë ndeshje të gjithë ishim në formën më të mirë. Ndaj e them se do të ishte e bukur të përsërisnim atë ndeshje. Por gjërat nuk janë dhe aq të lehta. Të gjithë bazohen tek ndeshja me Bjellorusinë, por ajo i takon të kaluarës. Kjo kundër Bosnjës është një ndeshje tjetër ku çdo gjë nis nga zero. Ne shpresojmë të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë, duke qenë të motivuar dhe në formë të mirë. Mund edhe të humbasim në Bosnjë, por është shumë e rëndësishme që të luajmë mirë”, përfundon deklaratën e tij kapiteni i kuqezinjve.

Lala: Fryma është ajo e duhura

Megjithatë, Altin Lala, sikundër të gjithë lojtarët kuqezinj, nuk e anashkalon unitetin e skuadrës. “Këtë gjë e kemi biseduar mes nesh, me dy tre lojtarë të kombëtares. Unë kam vite që luaj me kombëtaren dhe mund të them me plot gojë se, duke parë stërvitjen, ajo është në një nivel shumë më të lartë se më parë. Këtu flas për angazhimin e lojtarëve. Është një frymë e tillë ku secili kërkon të kapë vendin në formacionin titullar, secili do të luajë dhe të japë kontributin për kombëtaren. Kjo është shumë e rëndësishme dhe do ta vlerësoja maksimalisht grumbullimin për ndeshjen kundër Bjellorusisë dhe këtë ndaj Bosnjës. Merita? Është e dyanshme, e trajnerit dhe e lojtarëve. Trajneri mund të qëndrojë aty gjithë ditën e lojtarët nuk vrapojnë dhe ai nuk ka se çfarë bën në këtë rast”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›