Prishtina e (pa)ndalshme
Sigal Prishtina nuk ka të ndalur në këto vitet e fundit në basketbollin kosovar. Në gjashtë vitet e fundit, bardhekaltrit janë të pakonkurrentë, duke u shpallur gjashtë herë rresht kampionë.
Në këtë mënyrë, Sigal Prishtina po dëshmon se është shumë e fortë për skuadrat e tjera të elitës së basketbollit kosovar. Por, vetë këto të fundit, në njëfarë mënyre po i ‘ndihmojnë’ ekipit nga kryeqyteti ta rrëmbejë çdo trofe.
Njohësit e basketbollit kosovar thonë se Sigal Prishtina po dominon pasi skuadrat e tjera nuk janë ‘kërkah’ në aspektin organizativ. Sipas tyre, ekipi i Arben Krasniqit nuk është i atillë që nuk mund të mposhtet. Por, ata kritikojnë skuadrat e tjera që nuk po riorganizohen si duhet për ta stopuar tashmë gjigantin e basketbollit kosovar.
“Sigal Prishtina po dominon, sepse klubet e tjera nuk po organizohen. Ekipet e tjera duhet të mendojnë rreth organizimeve të brendshme të tyre, sepse Sigal Prishtina nuk është ekip që nuk mund të mposhtet. Edhe Sigal Prishtina i ka disa mangësi, dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe trajnerët e saj. Por, ata nuk po ndërmarrin masa, sepse s’po kanë nevojë, pasi edhe në këtë mënyrë nuk po mund t’i ndalë askush”, tha trajneri i njohur kosovar, Jeton Nixha.
Ai kujtoi se në ekipin e Arben Krasniqit tash e disa vjet nuk vërehet ndonjë ndryshim i madh. Nixha këshillon klubet e tjera se si të veprojnë, nëse duan t’i bëjnë ballë kampionit të ri nga edicioni i ardhshëm.
“Skuadrat nga qendrat e tjera të Kosovës, sidomos Peja e Trepça, i kanë në ekipet nga disa lojtarë të rinj, premtues për të ardhmen. Nëse ato klube punojnë intensivisht me ata lojtarë gjatë kësaj vere, jam i sigurt se ata lojtarë në kampionatin e ardhshëm do të ishin bartës në ekipet përkatëse. Kështu, Peja e Trepça, edhe me nga një apo dy përforcime, në edicionin e ardhshëm do të funksiononin shumë mirë”, tha Nixha.
Nixha pohon se Sigal Prishtina një ditë do të ndalet, por kur do të ndodhë kjo? “Kjo varët nga organizimi i vetë klubeve të tjera”, vazhdoi ai.
Njëjtë mendon edhe trajneri tjetër i njohur, Blerim Krasniqi. “Sa është Sigal Prishtina e organizuar, po dëshmon me trofetë që po i fiton. Thjesht, sa është Sigal Prishtina e riorganizuar, aq të paorganizuara janë klubet e tjera dhe ky realitet është brengosës”, deklaroi Krasniqi.
“Duhet shumë, shumë punë të bëjnë klubet e tjera gjatë gjithë kësaj vere, për t’iu ofruar Sigal Prishtinës për nga konkurrenca. Ekipet e tjera nuk guxojnë të shpresojnë në trofe, duke u përforcuar me lojtarë të huaj vetëm në fund. Ata duhet të kenë kontinuitet gjatë gjithë kampionatit”, përfundoi ai.
Pra, nëse skuadrat e tjera nuk ndërmarrin masa për t’u riorganizuar, atëherë Sigal Prishtina me gjasë do ta ketë rrugën e hapur për të kërkuar trofe edhe në edicionin e ardhshëm.