Medujanin: Me Shqipërinë të tregojmë karakter
Pasi u mposhtën nga Rumania me rezultatin e thellë 3-0 dhe ku më shqetësuese se shifrat ishte performance e dobët që bënë, lojtarët e Bosnjes janë të gjithë në një mendje. Kundër Shqipërisë nuk lejohen gabimet dhe nëse diçka e tillë ndodh, atëherë Bosnja mbetet jashtë Euro 2012. Megjithatë, për mesfushorin Haris Medujanin, që aktivizohet në kampionatin izraelit me Makabi Tel Avivin, në jetë ndodh që të rrëshqasësh, por tani kundër Shqipërisë duhet të kthehet pllaka. “Çfarë të bëjmë? Tani duhet të rrezikojmë gjithçka. Na duhet të fitojmë me Shqipërinë dhe nëse ia dalim mbanë, mund të besojmë ende te vendi i dytë në grup. Na duhet të luftojmë fort. Në jetë ndodhin momente si kundër Rumanisë, tani na duhet të tregojmë karakter”, përfundon Medujanin.