Plani anti-Bosnje

Kombëtarja shqiptare ka bërë përgatitjet përfundimtare para ndeshjes së rëndësishme ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, që do të zhvillohet më 7 qershor në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Trajneri Josip Kuze tashmë e ka bërë planin se si do t’i kundërvihet përfaqësueses boshnjak në stadiumin e Zenicës. Kroati shpreson që kuqezinjtë nga kjo përballje të dalin të pamposhtur.
“Ne kemi taktikën tonë, duke i kushtuar rëndësi mbrojtjes për shkak të kualiteteve që ka Bosnja, por do të tentojnë edhe në sulm për të shënuar dhe për të arritur rezultat pozitiv, duke pasur parasysh problemet që ka shfaqur kjo skuadër edhe në ndeshjen me Rumaninë. Barazimi nuk është rezultat i keq, por do të më pëlqente fitorja”, ka thënë Kuze të dielën në konferencën për media.
Nëse Shqipëria arrin rezultat të favorshëm të martën mbrëma, do t’i shtohen edhe më shumë gjasat për kualifikim në Kampionatin evropian. Ish-trajneri i Dinamo Zagrebit e pranon se kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për ta.
“Duke parë situatën në grup, kuptohet se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Po të shikojmë perspektivën, nëse fitojmë dy ndeshje radhazi, renditemi të parët. Duket e pabesueshme që kjo do të ndodhë, por kjo është situata. Gjithsesi duhet të jemi objektivë. Jam munduar të krijoj një atmosferë pozitive, për të mos i vënë lojtarët nën presionin e rezultatit. Ne dëshirojmë t’u besojmë mundësive tona që të arrijmë diçka”, ka theksuar ai.
Kuze ka treguar se i gjithë ekipi kuqezi e ka shikuar ndeshjen ndërmjet Rumanisë dhe Bosnjës (3:0) dhe ka analizuar lojën e kundërshtarit të radhës.
“Dalluam disa situata tipike të cilat i analizuam. U thashë futbollistëve të mi se mund t’i përballojmë individualitet e Bosnjës me një lojë të organizuar, me motivimin maksimal dhe sigurisht me disiplinë taktike”, ka deklaruar Kuze.
Salihi titullar, Kapllani jashtë
Hamdi Salihi ka sanuar lëndimin në pulpën e këmbës së djathtë dhe do të jetë në dispozicion të Kuzes që nga minuta e parë. Ndërsa sulmuesi tjetër, Edmond Kapllani ka mbetur jashtë ekipit për shkak të një tërheqjeje muskulore në kofshë.
Kuze ka bërë publik edhe formacionin me të cilin do t’u kundërvihet boshnjakëve. Në portë do të jetë Samir Ujkani, në mbrojtje Armend Dallku, Lorik Cana, Debatik Curri, Kristi Vangjeli, në mesfushë Altin Lala, Ervin Bulku, Ervin Skela, Ansi Agolli, derisa sulmi do të përbëhet nga Salihi e Bogdani.