E Shtunë, 31 Tetor 2026

E rrallë, një burrë denoncon se e rreh kunata

E rrallë, një burrë denoncon se e rreh kunata

Krujë/Në precedentët e dhunës në familje, një përqindje e vogël e tyre i përket edhe burrave të keqtrajtuar. Komisariati i Krujës ka marrë një denoncim të rrallë, duke mbrojtur një 59-vjeçar që akuzon kunatën e tij për dhunë fizike. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se plotësuan kërkesë-padinë dhe lëshuan urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të dëmtuarin banues në Krujë, ndërsa shoqëruan dhe paralajmëruan të dyshuarën me inicialet M. Q., 51 vjeçe, banuese afër me denoncuesin. Gruaja ka mohuar të ketë dhunuar kunatin e saj, ndërkohë që po verifikohen rrethanat dhe shkaqet.

Prangosen tre mjekë, përfituan miliona lekë me korrupsion
Vlorë/Mjekët dhe zyrtarët të zhytur në korrupsion me tenderët e ilaçeve në Qendrat Shëndetësore, tre prej tyre përfundojnë në prangat e policisë së Vlorës. Bëhet fjalë për drejtorin e Qendrës Shëndetësore Armen, Edmond Bala, mjekun e qendrës Selenicë, Pëllumb Musarai dhe ekonomisten e kësaj qendre, Besiana Nuredinaj. Por numri i të ndaluarve në tre operacione të ndryshme 24 orët e fundit në këtë qark, shkon në 11 persona, për krime të ndryshme në fushën e korrupsionit, drogës dhe grabitjeve.
Arrestimet
Aksioni më i rëndësishëm është koduar Medikal 1, gjatë të cilit janë arrestuar shefat e dy qendrave shëndetësore në komuna dhe një ekonomiste. Burime zyrtare bënë me dije se nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe korrupsionit pasiv, u ndaluan mëngjesin e djeshëm Edmond Bala, 59 vjeç, drejtor i Qendrës Shëndetësore Armen, Pëllumb Musarai, 46 vjeç, punonjës i Qendrës Shëndetësore Selenicë dhe Besiana Nuredinaj, 31 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste pranë Qendrës Shëndetësore Selenicë.
Hetimet
Nga hetimet intensive disa mujore dhe informacioneve të mbledhura, rezultoi se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në kohë të ndryshme, zyrtarët e shëndetësisë kanë falsifikuar dokumentet përkatëse, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë, në procedurat e tenderimeve, që janë kryer për blerjen e medikamenteve të ndryshme mjekësore, me qëllim përfitimin e shumave të konsiderueshme monetare, thanë burime zyrtare të policisë vendore. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona lekë të përfituara në mënyrë abuzive, duke mashtruar me procedurat dhe listën e ilaçeve të blera, kur në fakt ato nuk ishin inventarizuar dhe paratë ishin përvetësuar nga të dyshuarit. Zyrtarët nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur, ndërkohë që do të jetë gjykata që do vendosë për masën e sigurisë dhe hetimet do i ndjekë prokuroria vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›