E Diel, 1 Nëntor 2026

E sëmura mendore mban peng për tri orë tre fëmijët e saj

FIER- Një 39-vjeçare, që rezulton të jetë e sëmurë mendore, ka mbyllur për më shumë se tri orë, tre fëmijët e saj të mitur, në dhomën e gjumit. Në kushtet e depresionit dhe ndikimit të sëmundjes, Rezarta Rredhi, në banesën që ndodhet në fshatin Marinëz të komunës Kuman, rrethi Fier, ka shkatërruar dhe orenditë e shtëpisë ku dukeshin qartë gjurmët e varfërisë dhe kushteve të këqija ekonomike ku jeton kjo familje. Ngjarja është regjistruar në mesditën e së dielës. Gruaja, pasi ka marrë forcërisht fëmijët është futur në dhomën e saj të gjumit dhe duke bërtitur është shprehur se nuk dëshironte askënd të futej në atë dhomë sepse ndryshe, sipas saj, ajo do të bënte ç’të donte me fëmijët e saj. Të vegjlit pa kuptuar asgjë se çfarë po ndodhte, fillimisht kanë qëndruar me të ëmën e tyre brenda kësaj dhome. Ndërsa kur kanë dëgjuar zërin e babait, dhe të gjyshes, si dhe të të afërmve të tjerë, përfshi edhe fqinjët që i thërrisnin e i pyesnin se si ishin me shëndet, janë trembur dhe kanë filluar të qajnë. Në këto kushte, gruaja nën ndikimin e sëmundjes ka kërcënuar se do të mbyste fëmijët ndaj të mos e shqetësonin. Kjo gjë ka alarmuar bashkëshortin dhe të afërmit. Ata kanë tentuar të hapin dyert e shtëpisë, dyer të mbyllura nga brenda prej gruas. Në pamundësi për tu futur në banesë, dhe në kushtet kur nëna e tre fëmijëve shprehej se do të bënte ç’të donte me fëmijët e saj, është lajmëruar policia e rendit. Kjo e fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Edhe pse është përpjekur të negociojë me gruan e sëmurë, sërish blutë nuk kanë arritur të bindin atë për të hapur portën e shtëpisë.

Ndërhyrja

Gjatë kësaj kohe, gruaja agresive shkatërronte gjithçka që i dilte përpara, nga orenditë deri te muret e shtëpisë. Policia ka shqyer forcërisht derën e dhomës së gjumit dhe ka marrë prej andej tre fëmijët e mitur, më i madhi i të cilëve është gjashtë vjeç.

Më pas gruaja, pasi ka marrë një ndihmë të menjëhershme mjekësore, është shoqëruar për në spitalin psikiatrik Vlorë, nga ana e forcave të rendit. E moshuara Resmie Rredhi, që është edhe vjehrra e saj, ka treguar se nëna e tre fëmijëve prej vitesh vuan nga çrregullimet mendore, por për shkak të varfërisë ekstreme nuk ka mundur të kurohej. “Ajo ka qenë e sëmurë. Por sot nuk njihej se cila ishte, nusja e djalit, apo ndonjë tjetër që vetëm bërtiste e ulëriste. Erdhëm të gjithë këtu te dera e dhomës, por ajo kishte vendosur te dera krevatin, portmontonë, pasqyrën, etj. duke bllokuar derën. Më pas kur erdhi policia, nga frika hipi sipër dollapit dhe ulërinte se do të vriste fëmijët nëse hynim brenda dhomës. Policia shqeu derën dhe shpëtoi fëmijët. Ajo duhej të ishte çuar për t’u vizituar, por djali nuk ka lekë se është i papunë”, tha e moshuara.

Pas largimit të gruas prej shtëpisë, të afërmit janë përpjekur të zhdukin gjurmët e shkatërrimit të shkaktuara nga agresiviteti i gruas. Edhe pse nuk mund të shlyejnë nga memoria e fëmijëve përjetimin për tre orë të kësaj historie të pazakontë për ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›