E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva për pronën, 75-vjeçari në ditën e dhjetë të grevës

BURREL-Ka hyrë në ditën e dhjete greva e shtetasit Hajredin Rami, banor i qytetit të Burrelit. Është vendosur vetëm pak metra larg godinës së Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Mat dhe vazhdon të vizitohet nga qytetarë të shumtë, sidomos nga të afërmit dhe qytetarët që kanë të njëjtin shqetësim si ai. Rami ka deklaruar se shkak për këtë veprim të tij është bërë mohimi i pronës që ka me dokumentacion të rregullt ligjor. Ai ka një shprehje që e përdor shpesh: “Me këtë drejtësi që kemi duhet të vdesim të gjithë”. Ndryshe nga ditët e para, ka vendosur një çadër mbi kokë, pasi ka patur reshje shiu dhe gjatë ditës dielli është përvëlues. Pranë mban vazhdimisht një duzinë të madhe me dokumente të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat, Bashkisë Burrel, Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Prokurorisë së Matit dhe asaj të Përgjithshme, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, dhe një mori letrash dërguar kryetarit të KLD-së, Bamir Topi; kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Avokatit të Popullit etj. Prej 10 vitesh ai stërmundohet për të gëzuar pronën që ka përfituar i biri nga privatizimi i studiove të piktorëve dhe sipërfaqe të tjera që ka blerë me dokumente të rregullta. Burime pranë Prokurorisë së Matit bënë me dije se shtetasi Hajredin Rami ka plotësisht të drejtë, por deklaruan se organi i akuzës nuk kthen prona. “Është gjykata ajo që jep vendime në lidhje me pronat” - thanë zyrtarë të prokurorisë së këtij rrethi. Të njëjtat burime thanë se Rami disponon tri certifikata të rregullta pronësie. Ai disponon 574 metra truall dhe studio në lagjen “Partizani”. Kjo pronë disponohet nga Hajredin Rami dhe nuk ka barrë hipotekore, që do të thotë se certifikatat, skicat dhe gjithë dokumentacioni ligjor në Hipotekën e Matit, flet se këtë pronë e posedon ky shtetas. Në shtator të vitit të kaluar Rami i është drejtuar me një letër Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë Burrel dhe ka kërkuar shembjen e objektit që cenon objektin e tij. Pak ditë pas kërkesës KRRT është mbledhur dhe ka vendosur me unanimitet të plotë shembjen e objektit që prekte truallin e Hajredin Ramit. Ndaj vendimit të Bashkisë Burrel është bërë një ankim në Gjykatën e Rrethit Matit nga një shtetas tjetër, i cili ka lidhje gjaku me Ramin, duke kërkuar anulimin e vendimit të KRRT-së Burrel. Gjykata nga ana e saj ka vendosur anulimin e vendimit të KRRT-së deri në zgjidhjen e çështjes në rrugë gjyqësore. Në gjykimin civil është kërkuar pavlefshmëria e akteve të pronësisë së Ramit. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›