E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jericho sjell Shkabën

Pas 5 vjet “kllapi”, njëri prej bendeve më të mira në Kosovë, Jericho po i kthehet skenës, kësaj here me diçka të re.

Hera e fundit kur ky bend ka publikuar diçka ishte dhjetori i vitit 2005 ndërsa që nga atëherë edhe performancat e tyre ishin pakësuar.

“Tash po paraqitemi me diçka të re. Do të jetë 29 marsi edhe kur do të bëhet premiera e këngës së re të Jerichos e quajtur Shkaba”, tha lideri i bendit Petrit Çarkaxhiu. Ndërsa rikthimi i Jerichos vjen mu në edicionin më të ri të “Top Fest 7”.

Lansimi i këngës “Shkaba” sipas Çarkaxhiu është një paralajmërim për një aktivitet më të madh që e pret këtë bend në të ardhmen. Ndërsa për pak kohë Jericho pritet ta publikojë edhe një kompilacion me disa këngë të reja dhe disa nga albumi i kaluar.

“Jemi në përgatitje të disa singlave. E kemi në plan ta bëjmë një kompilacion i cili do t’i ketë 5 ose 6 këngë të reja dhe disa këngë prej albumit të kaluar”, tha Çarkaxhiu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›