E Diel, 1 Nëntor 2026

E shpartallon Arsenali, por Milan shkon në çerekfinale

Arsenali shënoi tri herë në portën e Abiatit gjatë pjesës së parë, por nuk gjen golin e kualifikimit dhe kuqezinjtë e Alegrit shkojnë në çerekfinale mes frikës dhe ankthit

Milani kualifikohet për në çerekfinalet e Championsit, pasi Arsenali ra në agoninë e një përmbysjeje të jashtëzakonshme, pavarësisht se fituan 3-0 ndaj kampionëve të Italisë. Topçinjtë për pak sa nuk shënuan përmbysjen më të madhe në historinë e kompeticionit europian, pasi kishin pësuar një humbje 4-0 në ndeshjen e parë ndaj kryesuesve të Serisë A, në San Siro, muajin e kaluar.

Por, golat e pjesës së parë nga Lorent Koshielni, Tomas Roziçki dhe kapiteni, Robin van Persi, bënë që ekipi i Premier Ligës të siguronte një avantazh të bujshëm, që i la të pranishmit në Emirates të guxonin të ëndërronin se mrekullia ishte në duart e tyre. Gjithsesi, Milani u riorganizua mirë pas pushimit midis pjesëve, teksa Arsenali nuk mundi të gjente rrugën e golit të 4-t, që mund të kishte barazuar rezultatin e takimit të parë, ndoshta për ta kaluar ndeshjen e djeshme me shtesa.

Arsenali e nisi vrullshëm ndeshjen, madje duke menduar vetëm për sulmin, falë edhe skemës 4-3-3, për të shpresuar te mrekullia, ndaj dhe e gjetën shumë shpejt golin e parë, me anë të Koshielnit në minutën e 7-të, kur goditi me kokë nga brenda zonës, i pamarkuar. Okslejd Çambërlein krosoi nga e majta dhe mbrojtja kuqezi u fokusua te markimi i Van Persit.

Goli i dha besim Arsenalit dhe brenda pak minutash ata rrezikuan sërish portën e Abiatit. Teo Uolkot mori krahun e djathtë, dha një pasim për Van Persin, gjuajtja e të cilit u prit në pozicion nga Abiati. Presingu konstant i ekipit të Vengerit vuri në vështirësi Milanin, që nuk po gjente aspak ritmin e vet. Sanja e Gibs u ndëshkuan me kartona të verdhë, pas faullave ndaj Van Bomelit dhe El Sharauit, respektivisht.

Në minutën e 26-të erdhi edhe goli i dytë për Arsenalin, kur Uolkot erdhi nga e djathta dhe dha një kros të ulët për Van Persin, ndërhyn Tiago Silva, por jo në mënyrën e duhur, duke e dorëzuar topin te Roziçki, i cili e kaloi topin pas shpinës së Abiatit. Atëherë kur Milani u duk se e kaloi stuhinë, Arsenali arriti të shënonte edhe golin e 3-të, falë depërtimit nga e djathta e Okslejd-Çambërlein.

Ndërhyrja e dyshes Noçerino-Mezbah rezultoi e gabuar brenda zonës dhe gjyqtari Skomina bëri shenjë për 11-metërsh, që u ekzekutua mjeshtërisht nga Van Persi, 3-0. Pjesa e dytë pa një Milan më të organizuar, jo vetëm duke u mbrojtur mirë, por edhe duke sulmuar.

Gjithsesi, në minutën e 59-të gjithçka mund të kishte ndryshuar, kur Zhervinjo goditi nga e majta, topi i devijuar nga Mekses u përplas në këmbët e Abiatit dhe përfundoi te Van Persi, i cili kërkoi të kalonte me parabël portierin e Milanit, por pa sukses. Ndoshta ky duhet të ishte goli, që holandezi nuk duhej ta kishte gabuar. Në minutat e fundit, Vojçek Shçesni kreu disa ndërhyrje shpëtimtare, ndaj Ibrës dhe Noçerinos.

 

Alegri i shpëton stuhisë: Edhe kështu është mirë!

Trajneri Masimiliano Alegri nuk sheh rezultatin e Milanit, që u mposht 3-0 në Londër, por gëzohet nga kualifikimi i skuadrës së tij për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Tekniku kuqezi e sheh gotën gjysmë plot. Sonte Milani luajti me tre sulmues të mirëfilltë dhe për këtë vuajtëm më shumë në krahasim me ndeshjen e parë. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë.

Eshtë e vërtetë që mund të kishim pësuar golin e katërt, por nga ana tjetër edhe ne mund të shënonim në dy-tri raste të pastra. Nuk rreshtëm së kërkuari golin. Më vjen keq për humbjen me të tillë rezultat, por kemi arritur një objektiv primar siç ishte çerekfinalja e Championsit. Alegri e sheh të ardhmen me besim dhe analizon ndeshjen në Emirates:

Me rikthimin e disa futbollistëve do të jemi edhe më të fortë. Në pjesën e parë nuk është se kishim frikë, sepse kishim fituar bindshëm ndeshjen e parë, thjesht e gjetën veten menjëherë në disavantazh dhe disa prej futbollistëve nuk kanë eksperiencën e duhur ndërkombëtare.

Të tre golat, Milani i pësoi në pjesën e parë, Alegri shton: Në pushim u thashë lojtarëve të fshinin nga mendja pjesën e parë dhe ndeshjen e parë në Milano dhe të luanin një 45 minutësh që do të vendoste kualifikimin. Ata e bënë. Edhe pse rezultati ishte deri në fund në dyshim, në pjesën e dytë ishim krejtësisht të barabartë me Arsenalin.

Nga ana tjetër duhet të pranojmë se gabuam disa pasime që zakonisht nuk i gabojmë dhe kjo na e vështirësoi punën. Në fund të deklaratës së tij, Alegri pohoi: E prisja një Arsenal më të fortë se në ndeshjen e parë. Në një fushë të tillë duhet të shfrytëzosh në maksimum ekstremet. Ne nuk e bëmë. Gjithsesi synimi ynë parësor ishte kalimi në raundin e ardhshëm dhe ia dolëm.

Venger ankohet: Gjyqtari mori disa vendime të gabuara

Një hap larg mrekullisë, Arsenali prek arritjen historike, duke shënuar tri herë në pjesën e parë ndaj Milanit, por do ta shohë pjesën e mbetur të Championsit nga televizioni, sepse kishte humbur 4-0 në ndeshjen e parë në San Siro. Trajneri Arsen Venger, në fund të ndeshjes, përgëzon futbollistët e tij dhe sulmon gjyqtarin slloven Skomina:

Dhamë gjithçka në fushën e lojës dhe secili nga futbollistët më ka kënaqur. Mund të konsiderohemi plotësisht krenarë me paraqitjen tonë. Por ashtu si në Milano, edhe këtë herë, disa vendime të gjyqtarit ishin krejtësisht të gabuara. I pyetur nëse skuadra e tij i shkoi pranë ëndrrës, profesori francez u përgjigj: Po, por e dinim që vetëm duke luajtur ndeshjen e jetës do të kishim shpresa.

Në pjesën e dytë duhet të ishim treguar më të vendosur dhe të kishim më shumë kurajo në kërkim të golit të katërt. Fatkeqësisht nuk kisha në dispozicion futbollistë në gjendje të ndryshonin marshin, siç kishim nevojë. Eliminimi nga Liga e Kampionëve bën që Arsenali të mbyllë sezonin e shtatë pa trofe, sepse në Premier Ligë titulli është i pamundur.

Do të synojmë vendin e katërt në kampionat si kushtin e vetëm për të mbajtur futbollistët më të mirë që kemi, me Van Persin në krye. Nëse Arsenali nuk luan në Champions, askush nuk mund ti kërkojë atij të qëndrojë me ne. Sot mund të kishte shënuar golin e katërt.

Nuk ia doli por gjithsesi bëri veprimin e duhur dhe ju e dini sa i rëndësishëm është Van Persi për Arsenalin, tha trajneri i topçinjve, ndërsa vetë sulmuesi holandez shtoi: Kemi meritën që shpresuam deri në fund në disa rrethana që çdo skuadër tjeër do të dorëzohej. U përpoqëm të ndreqnim humbjen në San Siro, por mesa duket dëmi ishte shumë i madh. /Sporti Shqiptar/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›