Mançini: Mario bëhu burrë martohu!

Balotelli dhe Mancini
Trajneri i Mançester Sitit gjobit italianin me 250 mijë stërlina: Martesa mund ta ndihmojë Marion të rregullojë jetën private dhe të luajë në nivelet më të larta
Mario martohu! Këshilla ka ardhur nga Roberto Mançini, i cili ka ftuar Balotelin ti thërrasë mendjes (e fejuara, Rafaela Fiko, e falënderon), nëse nuk dëshiron të verë në rrezik karrierën e tij. Ajo që e ka irrituar së fundmi teknikun (i cili nga ana e tij betohet se nuk i ka humbur ende durimi), ka qenë shakaja e fundit e bërë nga sulmuesi i tij i talentuar dhe e përjetësuar nga tabloidet britanike: është kapur rreth orës 02:45 të mëngjesit, duke dalë nga një klub striptizmi në Liverpul, në një kohë që duhej të kishte qenë në krevat duke fjetur.
Shkelja e hapur e orarit të programuar (me të drejtë të plotë, duke parë se në më pak se 48 orë më pas ishte një ndeshje e rëndësishme, në të cilën Baloteli do të luante me siguri, pasi Aguero dhe Dzeko ishin të sapokthyer nga kombëtaret) e ka bindur Mançinin të ndëshkojë SuperMarion me maksimumin e parashikuar të gjobës në këto raste: 250 mijë stërlina, e barabartë me pagën e 2 javëve.
Mendoj se martesa mund ta ndihmojë Balotelin ka shpjeguar Mançini, sepse, nëse një lojtar nuk ka një jetë private të mirë, atëherë nuk mund të luajë në nivele të larta. Jam i sigurtë se Mario e ka kuptuar gabimin e bërë, por nuk mund të bëjmë asgjë, nëse ai vetë nuk arrin ta kuptojë se nuk mund të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë, pasi po bëhet armiku më i keq i vetvetes.
Është i ri dhe këto gjëra ndodhin në moshën e tij, por mbas 100 herë paralajmërime, duhet ta kishte kuptuar që një lojtar profesionist, kur është kaq pranë një ndeshjeje, nuk duhet të rrijë jashtë deri në 2.00 të mëngjesit. Por, në vend që të jetë një ultimatum, këto këshilla të trajnerit duken më shumë si qortimet e vëllait të madh. Jam shumë i sjellshëm me të, ashtu si me të gjithë lojtarët e tjerë, por ai e di që duhet të sillet mirë, nëse kërkon të qëndrojë në ekip.
Jo rastësisht, në fillim të sezonit qëndroi 5-6 herë në pankinë, sepse nuk ishte sjellur mirë, por mua nuk më ka humbur ende durimi. Sa i përket episodit në klubin e striptizmit, Mançini nuk sheh diçka te keqe, por thjesht diçka të pandërgjegjshme. Dihet që Mario mërzitet shpejt, por në ato që po bën nuk ka mashtrime, thjesht pamaturi e tij, edhe pse duhet të paguajë për këtë, sepse nuk e mendoi që pas 2 ditësh ishte një ndeshje e rëndësishme dhe se ai do të luante titullar.
Me pak fjalë, Baloteli është vetëm një djalosh, i cili duhet të bëhet një burrë shumë shpejt, nëse nuk dëshiron të çojë dëm talentin dhe klasin e tij, që shumë të tjerë do ta donin ta kishin. Ku i dihet, ndoshta Rafaela është duke nisur detyrat e saj ndërkohë /Sporti Shqiptar/