E Diel, 1 Nëntor 2026

E themeluam PD me qirinj në një dhomë te konvikti i Inxhinerisë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Ndërsa kërkojmë në listën emërore të themeluesve të PD-së, emrat e studentëve, na bie në sy, se nuk janë më shumë se një e treta ose një e katërta dhe akoma më tej, një pjesë e madhe, krejt të padëgjuar. Janë ata studentët kokëkrisur të dhjetorit që ndezën Shqipërinë, edhe pse mbetën anonimë pas kësaj. Sepse nuk kishin hyrë në këtë rrugë për përfitime, nuk kishin menduar për karrierë politike, nuk dinin se çishin programet partiake që të tjerë i kishin parapërgatitur duke pritur shkëndijën. As nuk e dinin mirë se deri ku mund të shkonin dhe shpesh besuan me naivitet se ishte kurajoja e tyre, që e bëri regjimin të dorëzohej. Shumë prej tyre kanë mbetur po aq idealistë si në ato orë të paharrueshme të dhjetorit 90, nuk ishin “të prerë” për parti dhe kështu që, një vit, dy apo pesë vjet pas fillimeve të pluralizmit, ngarkuan në shpinë çantën e refugjatit për të kërkuar një fat tjetër. Kanë kaluar edhe shumë vite të tjerë dhe pjesa më e madhe e tyre nuk u kthyn. Për disa ideali ishte të shijonin lirinë në botën e madhe perëndimore, për të tjerë ishte të shijonin frytet e lirisë këtu. Përse nuk janë kthyer akoma?...
Në këtë përvjetor, gazeta “Ballkan” mundi të kontaktojë me disa prej ish-studentëve të dhjetorit që mbetën në anonimitetin e tyre prej emigranti. Dhe kënaqësia jonë ishte e dyfishtë, kur kuptuam se ishte emocion edhe për ata. Emocioni i një kohe të paharruar, me ëndrrat që çdo rini duhet ti ketë e ti kërkojë. Stafeta e tyre është për më të rinjtë, një kujtesë për zgjim…Më poshtë vijon rrëfimi i ish-studentit të Dhjetorit, Gazmend Shpata

“Ditët e Dhjetorit ishin të jashtëzakonshme, të "papara"-thuhet në zhargonin e sotëm. Ngjarje që disave u ndodh vetëm një herë në jetë, ndërsa shumicës, nuk i ndodh fare. Ndjesitë e para i kisha kohë më parë, kur bisedonim me shokët e dhomës, apo kur na ranë në dorë disa "trakte", të cilat ua jepnim miqve tanë ti kopjonin e ti lexonin (një nga ato ishte një përmbledje mendimesh e një desidenti çek mbi pushtetin central, mbaj mend). Më datë 8 në mbrëmje "plasi" dhe mbaj mend që ne të Shkencave (une isha viti i dytë, fizikë) kishim një pjesëmarrje shumë aktive. Ditën tjetër, nuk vajtëm në mësim dhe u mblodhëm tek sheshi i Qytetit Studenti. Që aty filluam të zbrisnim drejt qendrës së Tiranës. Ishim shumë atje: Admirim Xhindi nga Vlora, Arjan Muça nga Fieri, Neki Dervishi nga Bilishti, Taulant Biturku nga Kavaja, Altin Qoshja nga Laçi, Neritan Sejamini nga Elbasani, Artur Danga nga Leskoviku, Arben Londo nga Përmeti, Arta Isufi dhe unë nga Berati. Të më falë shumë ndonjë shok tjetër, por koha dhe emigrimi janë armiqtë kryesorë të kujtesës .Tek Ambasada Italiane (atëherë) rruga ishte bllokuar me 2 IFA, të vendosura kokë më kokë dhe lart mbi kabinën e tyre, ishte vendosur mitrolozë me ushtarët në gatishmëri, plus policët dhe sampistët e revoltuar. Siç morëm vesh më vonë, dikush priste urdhër nga dikush me telefonin në vesh. Për fat të mirë, ai "dikushi"që jepte urdhrat, u tregua më elastik dhe më njerëzor se homologët e tij në Rumani apo Kinë. Forcat e rendit ndërhynë vetëm me shkopinj gome dhe godisnin pa dallim, djem e vajza. U futëm në një grup pallatesh, të përndjekur prej tyre dhe u gjendëm diku në një kat të tretë a të katert, me një student tjetër të Shkencave (e njihja vetëm si fytyrë). U hapën disa dyer dhe hyra në një shtëpi me të. Njerëzit e shtëpisë ishin të afërmit e studentit. Siç mora vesh, i zoti shtëpisë punonte diku në një dikaster dhe nuk ishte shumë i lumtur me praninë tonë. Por nuk na nxorrën jashtë. Besa ky zakon në humbje për shqiptarët, nxorri krye nga ku ish i fshehur. Nuk mbaj mend sa ndenjëm atje, e kisha humbur nocionin e kohës, por kur dola vetem (tjetrin e mbajten-Ske ku ikën ti,-i bërtiti i zoti i shtëpisë), sampistët ishin tërhequr.
Pak ditë më vonë na njoftuan se kush donte të vinte emrin për themelimin e partisë së parë opzitare të shkonte te godina e inxinierisë, tek 15-ta. U ngjita në katin e fundit dhe skishte drita. Gjithëinformacioni dhe procedura bëej në dritë e qirinjve. Këhtu mund të justifikohet gabimi në emrin tim (është me d në fund, Gazmend dhe jo Gazmen) Tani çdo gjë duket e lehtë dhe si aventurë, por atëherë asnjë nuk mund të parashikonte rrjedhën e ngjarjeve dhe pasojat e tyre.
Mbaj mend një histori shumë domethënëse që na tregoi kujdestari i godinës tonë, që e kishim dhe mik njëkohësisht. Disa muaj më vone, ishte formuar PD-ja dhe parti të tjera dhe ne vazhdonim shkollën normalisht. Ndeshet kujdestari me një student të "podiumeve" (që mbinë si kërpudhat pas shiut) dhe e ngacmon: "Çkemi mor ti, që kur ke filluar të merresh me Partinë, spo na flet me me goje”-i thotë kujdestari. “-Pasha Zotin, nuk të pashë, -përgjigjet studenti. -Por kudo që do tshikjoj, do e ndal bencin për ty e do ttakoj”. Në atë kohë, studenti flinte në konvikt, hante në mencë e lëvizte në këmbë ose autobuz, si gjithë ne të tjerët. Ne qeshëm në atë kohë, por kjo ishte një shenjë, se një klasë e re po krijohej në shoqërinë shqiptare.
Eshtë e vërtetë se shumica nga ne, ishin e janë emigrantë sot. Ishim të paduruar të prisnim rezultatet e demokracisë së brishtë, ashtu siç ishim të paduruar të prisnim pjekjen e kushteve për Parti. Fundja, kjo ishte zgjedhja jonë. Emigrimi është i rëndë, sidomos në këto kohë krize, por është me "fair game", luhet ashtu siç shkruhet në rregullore. Jam i diplomuar në Fizikë, por profesioni im është emigrant që nga 96 në Greqi dhe nga 2005-a në Florida, USA.Të huaj këtu dhe më të huaj atje.Po kështu dhe të tjerë të "listës": A.Xhindi në Itali, Neki Dervishi deri para dy vjetësh në Greqi…Bëmë detyrën tonë dhe ikëm.E kujtoj vetëm në Dhjetor ose kur bie muhabet ushtrie mes shokësh: “Ske bërë ushtri?- më thonë-Ke nxjerrë raport?” Dhe unë që përgjigjem: “Jam nga të Dhjetorit, që iu fal ushtria."
U ndjeva shumë mirë kur pashë listën on line, duken si disa minuta admirimi përballë statujës së “Ushtarit të Panjohur” për të cilin të gjithë e dinë se çbëri, por asnjë si di emrin. Dhe ne, anonimët nga fundi i botës, ju urojmë punë të mbarë, shëndet e gëzuar festat!

Ky lajm është publikuar: 10/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›