E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja si u sulmua Shqipëria në Kongresin XXII

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Moskë, 21 tetor 1961 – Mihail Suslov, teoricieni kryesor i Partisë Komuniste Sovjetike, sot nisi një sulm të ri ndaj Shqipërisë përpara Kongresit të 22-të të Partisë. Sulmi i vazhdueshëm ndaj Shqipërisë prokineze, i nisur nga Sekretari i Parë, Nikita Hrushov në çelje të Kongresit, ditën e martë, artikuloi dëbimin nga blloku sovjetik të vendit të vogël komunist. Zëvendëssekretari i Parë, Anastas Mikojan, tha përpara kongresit ditën e djeshme se marinarët dhe studentët shqiptarë, të cilët studionin në Moskë, ishin arrestuar gjatë kthimit të tyre për në shtëpi, - shkruante sot gazeta e qeveritare “Izvestia”. (Gazetarët nga vendet jokomuniste janë penguar të hyjnë në sallën e kongresit që prej ditës së enjte.) Mikojani tha se studentët ishin kthyer në shtëpi dhe ishin shprehur të çuditur nga përkeqësimi i marrëdhënieve ruso-shqiptare. “Kjo, - shtoi ai, ishte arsyeja se përse shumë prej tyre ishin liruar përsëri”. Sulmi i kushtoi Hrushovit kritikën e tij të parë në publik nga një tjetër udhëheqës i bllokut komunist. Ajo erdhi ditën e enjte nga kryeministri kinez, Çu En Lai, gjatë vërejtjes së bërë lidhur me problemin e Shqipërisë. Sidoqoftë, vëzhguesit nuk besuan se ngjarjet e javës së fundit treguan një çarje të madhe në botën komuniste. Mikojani u raportua gjithashtu se kishte akuzuar udhëheqjen shqiptare për mashtrim. Ai tha se ata kishin ndëshkuar njerëzit që kishin mbështetur miqësinë me Bashkimin Sovjetik, ndërsa në të njëjtën kohë kishin zhvilluar në shtator dhe muajin e miqësisë sovjeto-shqiptare. Mikojani sulmoi ndërhyrjen e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, në “normat e jetës partiake”. Ai e citoi Shehun ndërsa i thoshte Kongresit të Partisë së Punës të Shqipërisë: “Ai që nuk është dakord me udhëheqjen e partisë do ti pështyhet dhe goditet në fytyrë, e nëse është e nevojshme edhe do të marrë një plumb në ballë”. Mikojani u ankua se udhëheqësit shqiptarë jo vetëm që nuk e publikuan të plotë planin e programit të Partisë Komuniste Sovjetike, por shtrembëruan dhe atë që ai përmbante brenda. Ai e krahasoi këtë me shtypin perëndimor, duke veçuar gazetën amerikane “The Neë York Times”, për të cilën ai tha se e kishte botuar të plotë programin. Burime komuniste thanë se Suslovi ditën e sotme u lexoi delegatëve një deklaratë të lëshuar ditën e djeshme nga udhëheqësit komunistë shqiptarë. Ai thuhet se e quajti atë “një shembull të hipokrizisë”, duke shtuar se “ne mund të themi me vendosmëri se ne e dimë kush janë shokët tanë”. Suslovi në një fjalim 5.000 fjalësh deklaroi se udhëheqësit shqiptarë po bënin gjithçka për të përhapur kultin e personit të Stalinit, më parë i dënuar nga Hrushovi përpara Kongresit të 20 të PKBS (1956). Hrushovi duket se po e përdor këtë kongres për dy qëllime: Ti japë popullit sovjetik një tablo të shkurtër të bollëkut që do të ketë vendi në dy dekadat e ardhshme nën planin 20-vjeçar të zhvillimit, të cilin ai e shpalosi ditën e martë dhe së dyti, për tu demonstruar njëherë e përgjithmonë se pasojat e sundimit 30-vjeçar të Stalinit dhe kulti i tij i personit janë çrrënjosur nga jeta e këtij vendi. Në këtë kontekst, kongresi dëgjoi sulme të reja të ashpra kundër “grupit antiparti” të Rusisë dhe veçanërisht ndaj V.M. Molotovit, Georgi Malenkovit dhe Llazar Kaganoviçit. “Pravda” tha ditën e sotme se 4.500 delegatët e kongresit po jepnin mbështetje të njëzëshme ndaj kërkesave të atyre që kërkuan përjashtimin e këtij grupi nga partia. Delegatët nuk u propozuan që të mblidheshin sërish deri të hënën, por informacione të pakonfirmuara thanë se përfaqësuesit e 80 vendeve komuniste këtu do të diskutonin ditën e diel për sjelljen që do të kishin ndaj Shqipërisë. U tha gjithashtu se komunistët kinezë po ushtronin presion për zhvillimin e një takimi postkongresial në shkallë të gjerë të partive, si ai që u zhvillua njëkohësisht nëntorin e shkuar. Rusët e pritën ftohtë këtë propozim. Udhëheqësi komunist i Gjermanisë Lindore, Valter Ulbriht, paralajmëroi se Shqipëria mund edhe të përjashtohej nga Traktati i Varshavës, - blloku sovjetik ekuivalent i NATO-s. U konsiderua e pamundur që Shqipëria të mirëpritej sërish në orbitën sovjetike, derisa të ishte në pushtet udhëheqja aktuale e partisë. Zëdhënës të Vietnamit Verior dhe Koresë së Veriut, të dyja vende që kufizohen me Kinën, sot e anashkaluan në heshtje problemin e Shqipërisë, ndërsa Mongolia iu bashkua sulmeve antishqiptare. Udhëheqësi komunist kuban, Blas Roka, sulmoi “veprimet e gabuara” të Shqipërisë, - raportoi Associated Press. Teodor Zhivkov, kryetari i partisë së Bullgarisë, dënoi “linjën e gabuar politike të Shqipërisë dhe drejtimin e saj aventurier”. (Zëvendëssekretari i Parë, Aleksei Kosigin, premtoi çrrënjosjen e plotë të kultit të personit dhe pas një sulmi të ashpër, ai ofroi një shpjegim për ringjalljen e fushatës antistaliniste, - raportoi “United Press International”. “Ne flasim për grupin antiparti se në këto momente ai nuk është një kërcënim”, - tha ai. Partia është e bashkuar. Por ne duhet të tregojmë edhe një herë dëmin që ky grup mund të kishte shkaktuar. Ne duam që kjo të mos harrohet kurrë, në mënyrë që rrënjët e kultit të personit të shkatërrohen përgjithmonë”. Në këtë kontekst, Kosigini shprehu nevojën për të edukuar anëtarët e rinj të partisë në përputhje me principet e tanishme të pranuara të udhëheqjes së partisë nën sundimin e Nikita Hrushovit. Ministrja e Kulturës, Ekaterina Furceva, në fjalimin e saj bërë publik ditën e sotme, zbuloi se në qershor 1957 në orën 3 të mëngjesit, Molotovi i kishte dërguar një telegram Hrushovit dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të presidiumit të partisë, ku protestohej se plani i Hrushovit për të decentralizuar menaxhimin e industrisë ishte një plan i parakohshëm. Në fjalimin e tij, Mikojani u citua të thoshte se Molotovi “këtë ditë po kacavirrej dukshëm në përpjekjet e tij dogmatike konservative”. Në një tjetër zhvillim, Aleksandër Gitalov, një fermer rus, i cili kishte studiuar rritjen e misrit si i ftuar i fermerit nga Ajova, Rosuell Garst, u citua ti thoshte kongresit se ai e kishte lënë pas Garstin në prodhimin e misrit. Në këto momente ai është ndërprerë nga Hrushovi, i cili tundte dy kallinj misri sipër kokës së tij dhe tha përpara kongresit se ato u ishin dërguar nga nxënësit e shkollës ruse, të cilët tani prodhonin dy herë më shumë se Garsti.
Ky lajm është publikuar: 10/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›