Ramizi na preu në besë, na goditi
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Ai është një nga ata, që para shkopinjve të gomës, nxorrën brinjët e tyre në atë natë të çartur, kur komunizmi ishte ende një ingranazh bluarës. Student i Dhjetorit, Alban Tërshana, i dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” për këtë shërbim që i bëri Demokracisë, tashmë gëzon demokracinë e një vendi tjetër: Ai jeton në Toronto. Por ditët e paharrueshme të fundvitit 90 e sjellin atë dhe shokët e tij të larguar anembanë botës, në qendër të vëmendjes sonë. Lëvizja Studentore e Dhjetorit 90 ndryshoi Shqipërinë dhe i përket mbarë kombit. Gjithë ai brez studentësh dhe pedagogësh pa përjashtim kanë peshë e rolin e tyre të pazëvendësueshëm në këtë lëvizje. “E të gjithë, jam i bindur janë shumë krenarë që ndanë e jetuan ato momente historike mes njëri-tjetrit,- thotë Albani.- Sigurisht që pati debate apo kundërshtime mes nesh, por ishin pjesë e demokracisë që ne po kërkonim, pa pasoja e luftë klasash. Thjesht, ishin përplasje idesh, të cilat veçse na rritën dhe na maturuan në vendime. Ato netë të para Dhjetori nuk kishte heronj specifikë; ishim të gjithë të barabartë dhe kishim një dëshirë të brendshme të fuqishme për ndryshim duke hedhur sytë nga Perëndimi”. Për protagonizmin studentor në këtë përmbysje të madhe kohësh, Albani me modesti shprehet se “në Shqipëri ishin stërmbushur kushtet për ndryshim radikal (revolucion). Dhe në qoftë se nuk do ishim ne, të tjerë do të shkrepnin atë shkëndije të fuqishme, që ndezi mbarë vendin. Por shkëndijat e para kishin filluar në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë. Ne vetëm prisnim atë që erdhi më pas dhe që une po e rrëfej nga këndvëndshtrimi im personal”.
“Shpërthimi i transformatorit të konviktit, shkëndija që na ndezi”
Ishte pragmbrëmja e 8 dhjetorit 1990, aty rreth ores 7.30 pm, kur plasi transformatori i dritave në godinën 20-21. Dola nga godina, në fillim si kureshtar nga zhurma, isha me Artur Haxhinë e Algent Mezinin, shokë të dhomës, me të cilët qëndruam bashkë atë natë të gjatë e të paharruar. Para godinës nr. 20-21 ishin mbledhur rredh 20-30 studentë. Shumë të irrituar. Aty për aty filluam të thërrisnim shokë e të njohur, që të bashkoheshin me ne dhe të protestonim tek Drejtoria e Qytetit Studenti. Kështu bëmë: U drejtuam nga godina e drejtorisë dhe gjatë asaj copëze rruge nisëm të thërrasim “Duam drita! Duam kushte!” Në ato momente, qëllimi ynë ishte të shtonim numrin e studentëve që do të na mbështesnin dhe kërkonim të tërhiqnim vëmendjen e tyre me shprehjen hapur të pakënaqësisë. Lart tek drejtoria qëndruam pak, por kishte lëvizje policësh e nuk ishim dhe aq shumë vetë. Patëm stepje. Kështu që filluam të lëviznim përgjatë godinave 14 dhe 15.
Shoqet tona studente, që na shpëtuan nga epiteti “huliganë”
Se si na shkrepi që ftesën për të tjerët ta bënim me
vargjet e një kënge të njohur patriotike. Ashtu spontanisht nisëm të këndonim me sa na hante fyti: “Eja mblidhuni këtu, këtu…”. Aty më kujtohet se disa studentë të godinës 14 dolën jashtë dhe na u bashkuan. Me ta erdhi edhe Azemi që vinte nga rruga poshtë. Ai hipi në një si beton në qoshen e derës së godines dhe tha: “Jam Azem Hajdari, studioj për filozofi, jam baba e po të jemi të gjithë bashkë, do të fitojmë”. Si më i pjekur, ai u vu në krye të protestës. Une nuk e njihja personalisht. Ishte hera e parë që e takoja. Një nga shokët tha se është trim, tropojan. Azemi më dha më shumë zemër, mbase ngaqë isha edhe unë verior.
Të gjithë bashkë filluam të lëviznim nëpër rrugët e Q. Studenti nga një godinë në tjetrën, duke thirrur dhe kënduar: “Bashkohuni me ne”, “ Për Mëmëdhenë”, “Eja, mblidhuni këtu, këtu”, këngë që i kishim mësuar qysh të vegjël në bankat e shkollës dhe që asnjëherë nuk i kishim ndjerë si tani. Ato për herë të parë po merrnin një kuptim të vërtetë për ne, një fuqi magjike. Entuziazmi u shtua më shumë, kur u bashkuan me ne dhe disa vajza që i dhanë kuptim më të plotë thirrjeve tona, e që tregonin më së miri se nuk ishin qëllime prej huliganësh. Tashmë ishim disa qindra vetë dhe menduam të vërshonim drejt Tiranës.
Nata kur donim të zgjonim Tiranën dhe Ambasadën Italiane
Të them të drejtën, në këtë përçapje të saponisur, më erdhën në mendje vetëtimthi ndryshimet në Europën Lindore si dhe lajmet e pafund që përcillnin një vit më parë stacionet italiane. (Ishte fat që hynin në Shkodër). Unë i admiroja ndryshimet në ato vende, por i trembesha përsëritjes së historisë. Rumania dhe Çaushesku ishin dy fjalë të ngulura thellë në koshiencën time, besoj edhe të shumë të rinjve të tjerë. Si do të vinte kjo punë në Shqipëri? Çrrugë do të merrnin ngjarjet? Këto ishin enigmat e padurueshme që vërtiteshin në kokë. Mirëpo ne nuk patëm shumë kohë për të menduar. Ishte koha për të vepruar dhe gjërat rrodhën aq shpejt, saqë nuk mund të llogarisje. Kërkonim atë natë të zgjonim qytetarët e Tiranës që kishin 50 vjet që flinin si dhe trupin diplomatik për të kthyer sytë nga ne. Më në fund, ne kishim nisur të lëviznim për ta larguar perden e natës. Kështu, me këtë impuls që na jepte dëshira për të ndryshuar realitetin, u drejtuam rrugës poshtë. Por, para se të dilje në Ambasadën Italiane, sot ajo Amerikane, gjendej një kordon i ngjeshur me policë, të cilët na bllokuan dhe nuk na lejuan të ecnim më tej. Kjo ishte shenja e parë se mekanizmat e shtetit na kishin marrë seriozisht.
Ngelëm të bllokuar aty për një kohë të gjatë dhe disa studentë, të mërzitur nga pritja, po largoheshin. Ne të grupit të fillimit menduam që duhet të jepnim ca shtytje që të çanim rrethin e policëve. Dhe ashtu bëmë. Me brohoritje dhe shtytje arritëm të çanim dhe të kalonim përgjatë rrugës që të nxjerr në Liceun Artistik. 100 metra para Liceut, te kthesa tashmë gjendeshin forcat speciale të Repartit 326. Sampistët ishte e pamundur ti depërtoje. Por ama as nuk u tërhoqëm. Tashmë guximi ynë ishte rrtur tepër dhe për ne nuk kishte më kthim mbrapa. Nuk ishte thjesht një ëndërr gjumi, ishim në protestë përballë sistemit të fundit Stalinist dhe nuk ishim pak.
Sigurimsat mes protestës, u përpoqën të na sabotonin
Një pjesë e qëllimit ishte realizuar. Partia -shtet mori lajmin dhe filloi të dërgonte zëdhënësit e vet. Hekuran Isai e oficerë të tjerë qëndruan aty gjatë gjithë kohës. Kishte dhe sigurimsa civilë, që me dinakërinë e tyre mundoheshin të na bindnin që të ktheheshim në fjetore, duke thënë që çdo gjë do të rregullohet përsa u perket kushteve ekonomike dhe nuk ka arsye për të dalë rrugëve të Tiranës.
Në ato momente i vetmi person me të cilin ne dëshironim të përballeshim, ishte Ramiz Alia. Kështu që kërkuam takim me të. Pas shumë debatesh e presionesh, lajkash e paralajmërimesh, rreth mesnatës na u tha që Ramiz Alia priste një përfaqësi në ambjentet e Universitetit. Erdhi një furgon i vogël dhe u kërkua një përfaqësi. Azemi ishte i pari që vendosi të shkonte dhe të tjerë e pasuan. Kur u nis Azemi, tha: “Na prisni dhe në qoftë se nuk kthehemi brenda një ore, diçka e keqe ka ndodhur”. Kështu që ne qëndruam aty duke pritur. Koha kalonte dhe ca studentë të stërlodhur po largoheshin . Por ne të fillimit e kishim ndarë mendjen të prisnin Azemin me shokë. Kur shokët na u kthyen rreth orës 1 pas mesnate, mbaj mend, që u fol se Ramizi do të takonte një përfaqësi më të zgjeruar dhe do të shqyrtonte kërkesat, por në të njëjtën kohë, unë ndodhesha pranë një polici, që thirri “Ma rrëmbyen pistoletën”. Besoj se ky ishte një provokacion për tu dhënë shkas që të na qëllonin e të na shpërndanin. Pas 1 sekonde shkopinj gomash dhe shkelmat e policëve u lëshuan mbi ne me të gjithë urrejtjen e sistemit. Protesta u shpërnda. Studentët u drejtuan godinave ku flinin. Jo më shumë se 20 nga ne me Azemin dhe Ben Likën u mblodhëm tek sheshi poshtë para mencave. Ishim shumë të egërsuar që Ramizi na kishte prerë në bese dhe na goditi, megjithëse ne ishim paqësorë. Njëri nga ne rrëmbeu gurë dhe filloi të godiste xhamat e mensave. “Mos o burra - tha Azemi- se do të na thërrasin huliganë”. U ulëm të gjithë në rreth me mendimin të organizonim diçka.
Zgjimi i godinës pas mesnate
“Unë do rri gjithë natën jashtë- tha Azemi- Nuk shkoj dot në dhomë se jam i sigurt që më presin kalecat”. Gjithashtu, ai tha se Ramizi na preu në besë, pasi na siguroi që nuk do të ushtrohej dhunë ndaj nesh. “Do rrimë të gjithë bashkë. Nuk të lëmë vetëm Azem”- tha Beni. Një tjetër tha: Kam vend në dhomën time”. Vendosëm që çdonjëri të shkonte në godinën e vet dhe të tregonte ngjarjen, brutalitetin ndaj studentëve dhe që Ramizi na kishte prerë në besë. Kështu që do të bënim thirrje për të bojkotuar mësimin. Unë dhe Bardh Ukcama morën përsipër të shkonim në godinën 22-23 dhe po atë mëngjes në orën 7 do të dilnim te kryqëzimi në mes godines 14 dhe mencave, për të ndarë ngjarjen e natës së mëparshme me studentët që do të shkonin në auditore si dhe tu komunikonim vendimin për bojkotim të mësimit si arma jonë e vetme.
Mund të ishte ora 2 e mëngjesit kur unë e Bardhi u drejtuam tek godina. Shokët e dhomës ishin zgjuar dhe më prisnin. Bardhi mori përsipër godinën 23, atë të Arteve ndërsa unë, godinën 22 ku kisha dhe shumicën e shokëve të fakultetit, gjithashtu dhe dhomën ku flija. Fillova të bërtisja nëpër kate: “Zgjohuni nga gjumi se na kanë rrah shokët e motrat tona. Ramizi na preu në besë”. Godisja e futesha në dhomat e shokëve, që mezi prisnin të dëgjonin se çfarë ndodhi. Tregoja çdo gjë me hollësi i përlotur dhe shikoja mbështetjen në fytyrat e tyre. Mezi prisnim të zbardhte dita.
Pas Lisien Bashkurtit, e kanë fjalën gorillat e 326-s…
Ora 7 e mëngjesit më gjeti me Bardhin tek vendi i caktuar. Flisnim dhe preknim sedrat e studentëve që drejtoheshin drejt fakulteteve. Disa vazhdonin rrugën dhe të tjerë u kthyen në sheshin para mencave. Rreth orës 10:00 ishim një numër i konsiderueshëm studentësh të indinjuar nga ajo që kishte ndodhur një natë më parë, u shtymë të vazhdonim protestën. Lëvizëm përgjatë rrugës tek Kinoklubi për në fakultetin Ekonomik dhe Filologjik. Me brohoritje për kushte më të mira dhe me këngën “Për Mëmëdhenë”, u shtua thirrja “E duam Shqipërine si gjithë Evropa”. Numri i studentëve u shtua ndjeshëm, kur nga fakultetet lanë auditoret dhe u bashkuan me ne, sidomos studentët tiranas, që sapo mësuan se çfarë kishte ndodhur. Kordonët e policisë kishin bllokuar daljen për tek stadiumi “Qemal Stafa” që të nxirrte direkt tek Universiteti Politeknik dhe Bulevardi “Dëshmoret e Kombit”. Azemin, Benin dhe disa të tjerë që ishin ekspozuar më shumë një natë më parë, i lamë në rreshtat e brendshëm për ti mbrojtur nga sigurimsat. Filloi përplasja e parë me policinë. Ne thërrisnim se ishim paqësorë e jo huliganë. Por dukej se policia kishte marrë urdhër dhe ishte e vendosur mos të na lejonte të dilnim në bulevard. Entuziazmi u shtua më shumë, kur pamë përballë nesh qytetarët e Tiranës që kishin ardhur për të na mbështetur. Për një moment na u duk se po realizohej pikësynimi ynë, për ta zgjeruar protestën përtej kufirit të Qytetit Studenti. Filluam të shtynim fort policët dhe arritëm të çanim bllokadën dhe të ecnim para, por jo më shumë se disa dhjetëra metra, derisa arritëm te gorillat e Repartit 326. Ishte një luftë nervash dhe presion psikologjik, ndonjëherë dhe goditje këpucësh ushtarake nga poshtë mburojave. Kjo nuk zgjati shumë, sepse as Lisien Bashkurti i Rinisë Komuniste dhe as të tjerë nuk patën sukses për të na kthyer pas. Gorillat morën urdhër të shpërndanin protestën dhe me etjen e tyre për gjak, me një gëzim të egër, ashtu si një natë më parë filluan të kërcejnë shkopinjtë e gomës, grushtat dhe shkelmat, pa llogaritur nëse ishe i shtrirë (pra, jashtë qëndrese) apo në këmbë .U detyruam të largoheshim nëpërmjet hapësirës plot baltë në mes Ambasades Italiane (sot ajo Amerikane) dhe Mauzeleumit (sot Ambasada Zvicerane). Shumë nga ne rrëshqisnin në atë tatëpjetë dhe binin pre e shkopinjve e shkelmave pa mëshirë, që nuk kursyen as vajza delikate. Sigurimsat e policët nuk po ndalonin dhe na ndoqën deri lart në qytet.
Shkova në dhomë të pastrohesha nga balta dhe shikoja shenjat e shkopinjve të gomës në trup e kërcinj.
Nga mbasdreka u ngjita lart tek Drejtoria e Qytetit Studenti ku në korridoret e saj mësova se po bëhej mbledhje me disa studentë për të diskutuar sesi do të vazhdonte rrjedha e protestës. Kishte ardhur dhe Gramoz Pashko, pedagog i Ekonomikut . Ishte momenti i parë, ku pashë dhe Sali Berishën të cilin nuk e njihja apo dëgjuar më parë. Ilir Dizdari që ishte aty pranë më tregoi se Sala ishte kirurg shumë i njohur dhe se ishte i pari intelektual, që kishte kërkuar pluralizëm në mbledhjen që Ramizi kishte bërë me intelektualët në muajin gusht. Pata një ndjenjë të fortë kënaqësie, ne kishim nevojë që intelektualë të njohur të bashkoheshin me ne.
Berisha më pyeti: “Çfarë kërkon që proteston?”
Berisha u afrua drejt grupit tonë të vogël prej 6-7 vetësh dhe tha: “Djema, vij direkt nga takimi me presidentin. Ai do tju takojë, por ju duhet të ktheheni në mësim”. Kujtoj se Ramizi kishte thënë, se duke bojkotuar auditoret, vetëm i bënim qejfin shovinistëve serbomëdhenj dhe armiqve të popullit. Ne i argumentuam Saliut pas fjalëve që na përcillte, se bojkoti ishte e vetmja rrugë dhe armë që kemi dhe këmbëngulëm që nuk kthehemi në mësim. Ai mu drejtua mua personalisht: Po më thuaj, për çfarë ke dale ti këtu, çfarë kërkon.” Ai besonte se ne nuk ishim të ndërgjegjshëm dhe nuk dinim se çfarë kërkonim konkretisht. Unë iu përgjigja: “ Jam i ri e nuk di shumë, por di të them se prindërit e mi kanë 20 vjet që punojnë në këtë sistem dhe ne nuk kemi as edhe një biçikletë në shtëpinë tonë.”
Kardiologu psherëtiu dhe u largua për në dhomën ku ishin mbledhur Azemi, Shenasi Rama, Gramoz Pashko dhe të tjerë. Ne vazhduam të qëndronim në korridoret e drejtorisë për të qenë si një pravijë mbështetëse për shokët tanë studentë atje në mbledhje dhe për tu bërë mburojë nga ndonjë sulm i Sigurimit të Shtetit.
Studentët protestues, të ndarë në drejtime
Kur mbledhja mbaroi, ishte vendosur që të mos vazhdonim më protestën për në drejtim të Sheshit Skënderbej por në Qytetin Studenti. Kjo do të thoshte për mua, që protesta të mbetej e izoluar. Kishte konfuzion, shumë konfuzion. Kur dola jashtë, dëgjova Bardh Ukcamën që bënte thirrje për tu drejtuar në Sheshin Skënderbej, me grupe të vogla. Por në korridoret e drejtorisë, Azemi sapo më kishte thënë se ishte ndryshuar vendimi për të zbritur e protestuar në Sheshin Skënderbej dhe se do të protestonim në sheshin para mencave. U mundova tua transmetoja të gjithëve që takoja ndryshimin e vendimit. Por disa nuk pyetën dhe vazhduan poshtë për në Tiranë.
Unë nxitova për tek mencat nga po dëgjoheshin brohoritje entuziaste nga studentët e Institutit të Lartë të Arteve. Sapo kishin ardhur Arben Imami dhe Edmond Budina. Për mua ishte një kënaqësi e brendshme që po bashkoheshin dhe figura të njohura të artit. Kjo do të thoshte se lëvizja jonë ishte e civilizuar, ishte një ideal rinor dhe kombëtar. Ajo natë vazhdoi me miting dhe me folës të ndryshëm, që prezantoheshin dhe shprehnin përkrahjen ndaj studentëve. Të nesërmen, më 10 Dhjetor u mblodhëm përsëri tek sheshi para mencave dhe aty mora vesh, që ishte vendosur të krijohej një përfaqësi për tu takuar me Ramizin dhe që do kishte një pjesëmarrës nga çdo fakultet. Atë darkë, në sallën e godinës 15 do të bëhej një mbledhje ku do të diskutoheshin kërkesat tona, që do ti paraqiteshin Ramizit.
Ditën e kalova me shokë duke dëgjuar në miting shumë folës që solidarizoheshin me protestën.
Në darkë shkova në godinën 15. Kur u futa brenda në sallën e mbledhjeve, vura re që vetëm studentët lejoheshin dhe asnjë intelektual nuk lejohej të ishte i pranishëm. Mbaj mend se midis drejtuesve të mbledhjes ishin Shenasi Rama e Ilirjan Cane, student i Shkencave e që fliste me shumë pasion. Kjo mbledhje ndërpritej herë pas here nga mbërritja e përfaqësuesve të studentëve nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, nga studentët që vinin nga godinat e Mjekësisë dhe nga Kamza. U diskutuan pikat e kërkesave që do të parashtroheshin nga studentët, ku midis tyre ishte dhe çështja e pluralizmit politik.
Azemi e Gramozi thanë tua lëmë në dorë partinë intelektualëve
Mëngjesi i 11 Dhjetorit nuk ishte ndryshe nga ai i një dite më parë, përveçse më shumë solidaritet. Natën vonë dëgjuam të rregjistruar në kasetë takimin e përfaqësuesve tanë studentë me Ramiz Alinë dhe vendimin e krijimit të një partie të re. Tashmë, grupi nismëtar i studentëve nuk kontaktohej lehtë, numri i studentëve të përfshirë ishte shtuar shumë e nuk çaheshin lehtë. Intelektualë e pedagogë vinin pa pushim. Por në njërin nga takimet e asaj dite na u kërkua nga Azemi, se duhet të tërhiqeshim e tua linim partinë e re në dorë të intelektualeve. Gramozi kur mori fjalën, tha se kishte studiuar me “laps ne dorë” statutet e më shumë se 20 Partive Europiane dhe se partia duhej të përfaqësohej nga intelektualë dhe jo studentë.
12 Dhjetori realizoi atë për të cilën ne kishim ëndërruar gjatë në ato netë pa gjumë dhe e solli bukur pa gjakderdhje. PD- dashuria ime e parë dhe e fundit në politikë sapo kishte lindur. Mendova, detyra jonë mbaroi dhe duhet të kthehesha tek librat. Kjo është historia jonë e Dhjetorit 90, që nuk ka filluar këtu dhe nuk mbaron me kaq. Faleminderit që ndamë së bashku këto kujtime, për të cilat jam shumë krenar që i jetova.
Ky lajm është publikuar: 10/12/2009