E trishtueshme, dukuria e “letërsisë së çmimeve”

Ka një hendek në punën e shkrimtarit midis vlerësimit me çmim dhe jetëgjatësisë së veprës. Ndoshta kjo është një nga paradigmat më koherente që nxjerr shkrimtari Ridvan Dibra në intervistën e mëposhtme dhënë për “Bota sot”, një ditë më parë.
Lënda prej nga merr energjinë krijuese duket për Dibrën një thellësi shkrimi, siç mund ta gjejë sot e kësaj dite në poezitë e Shkrelit apo tregimet e Pashkut, si “autorë që kanë bërë vërtet letërsi, letërsi që i ka rezistuar dhe do t’i rezistojë kohës”. Sapo është publikuar më media poezia e tij në pesë gjuhë, “Plagët e Moisiut”, ndërsa në panairin e librit në Tiranë botoi prozën “Në kërkim të fëmijës së humbur”, që nuk “pret çmim letrar”, po me pak shpresë vlerësimin kritik, në mes njerëzve që u mungon kjo arsye e institucion.
Jeni një nga emrat më të njohur veçanërisht pas viteve ’90. Si do ta përkufizonit letërsinë shqipe që po krijohet qoftë në Shqipëri, po ashtu në Kosovë gjatë këtyre dy dekadave?
Së pari, ju falënderoj për vëmendjen dhe konsideratën. Duke kaluar te pyetja juaj: them se nuk e kam të lehtë t’i përcaktoj këto zhvillime letrare, aq më tepër kur edhe vetë jam në “lojë”, domethënë jam pjesë e tyre. Gjithashtu, mendoj se një detyrë e tillë i takon më së shumti studiuesve të letërsisë, kritikëve, akademikëve... Unë vetë jam i interesuar, para së gjithash, për “fenomenin letrar”, për autorë apo vepra që i shmangen së përgjithshmes dhe synojnë një vlerë jetëgjatë letrare. Sepse druaj që edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë po vihet re dukuria e veprave që synojnë suksesin (çmimet letrare), duke shpërfillur jetëgjatësinë. Dhe ndodh që një vepër e “suksesshme” të ketë jetë vetëm një vit, për t’u zëvendësuar mandej me një tjetër të nominuar. Kjo është e trishtueshme për një shkrimtar serioz! Nëse unë vazhdoj t’i lexoj me të njëjtën endje si para njëzet vitesh poezitë e Shkrelit apo tregimet e Pashkut, kjo do të thotë se këta dy autorë kanë bërë vërtet letërsi, letërsi që i ka rezistuar dhe do t’i rezistojë kohës. Pse? Sepse tek këta dy autorë (mund të shtoja edhe ndonjë tjetër) ka një “thelb universal”, që druaj se mungon tek letërsia jonë e këtyre dy dekadave. Sidoqoftë, ky është thjesht mendimi im.
Para disa kohësh ju keni botuar edhe poemën "Plagët e Moisiut" e përkthyer edhe në pesë gjuhë të huaja, një monolog filozofik për dijen, kulturën, natyrën, besimin; por sa dhe si komunikon ajo me lexuesin?
Po, bëhet fjalë për një poemë të shkruar para dhjetë vitesh dhe të botuar në fillim të këtij viti, e cila u përkthye në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe rumanisht nga disa përkthyes e shkrimtarë të njohur. Me gjithë drojën time (vokacioni im është proza!), vepra u prit mirë dhe komunikoi me lexuesit, sidomos ata të rinj. Nuk e di sa është e njohur kjo poemë për lexuesin në Kosovë?
Një “apokalips”, si e keni quajtur ju që po e krijojmë ne, qeniet njerëzore...
Kështu jam shprehur, duke pasur parasysh degradimin e pandalshëm të qenies njerëzore: bjerrjen e vazhdueshme të shpirtërores e idealeve, materializmin e tejskajshëm, mungesën e besimit në “dikë dhe diçka”, shpërfilljen e vlerave...e plot dukuri të tjera që shoqërojnë njeriun bashkëkohor.
Mungesa e një kritike të mirëfilltë për krijimtarinë letrare, sa po e dëmton atë?
Sidomos tek ne, në Shqipëri, kjo mungesë është ulëritëse. Kurse kritika letrare në Kosovë njeh zhvillime shumë më pozitive. Mbështetur mbi një traditë të qëndrueshme, por edhe falë një pune të mirë që bëhet në Universitetin e Prishtinës në përgatitjen e një brezi të ri kritikësh. Po, mungesa e kritikës së mirëfilltë e dëmton procesin letrar, e deformon dhe e keqorienton atë. Në mungesë të saj, e marrin “pushtetin gjykues e vlerësues” mediat me recensionet e tyre empirike, klanet me synimet e tyre meskine, apo edhe vetë botuesit. Shikoni, për shembull, sesi kjo mungesë e kritikës letrare, ka sjellë probleme serioze në vlerësimin e teksteve, duke u harruar se Letërsia, para së gjithash, është Art i Gjuhës, Art i Fjalës së Bukur.
Sipas jush a ekziston ende “hije” apo mohim i shumë figurave të letërsisë shqipe dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim?
Nuk besoj dhe aq shumë në një tezë të tillë. Nuk ka mbetur vepër dhe autor pa u botuar. Tjetër është mandej qasja ndaj tyre: paragjykimet politike, krahinore apo klanore, që ne shqiptarët i kemi me bollëk edhe në këtë të ashtuquajturën periudhë të globalizmit.
I ndiqni rrjedhat e letërsisë që zhvillohet në Kosovë dhe si i keni raportet me letrarët këtu?
Po, përpiqem t’i ndjek, edhe pse, për paradoks, jo si më parë, kur kishim kufirin në mes. Çka do të thotë se ka një problem serioz në komunikimin e vlerave mes nesh, kur duhej të ndodhte e kundërta. Kam krijuar bindjen se ju i njihni më mirë zhvillimet letrare në Shqipëri, seç i njohim ne ato të Kosovës. Kam shumë miq shkrimtarë në Kosovë. Të brezit tim, por edhe më të vjetër, apo më rinj
Aktualisht po punoni apo shkruani diçka?
Kam në përfundim një roman të ri, fragmente nga i cili do të botohen në numrin e radhës të revistës “Jeta e re” në Prishtinë. Gjithashtu, kam dorëzuar për botim një roman tek botuesi im në Kosovë, “Buzuku”. Para pak kohësh, kam botuar në Tiranë librin në prozë “Në kërkim të fëmijë së humbur”, shoqëruar me një pasthënie dinjitoze prej shkrimtarit e studiuesit të ri kosovar, Ag Apolloni.