E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra Kulturore Tirana çel 2011-ën me 2 shfaqje për fëmijë

“Ndodhi gazmore në Teatralia”, që shfaqet në datën 8 janar në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit, sjell mesazhe të rëndësishme për mirësinë, dashurinë, kujdesin dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Pjesa, e shkruar nga Milena Selimi, përpiqet të komunikojë me spektatorin e vogël duke ndërthurrur personazhet realë me personazhet e librave më të dashur për fëmijët.

Në “Ndodhi gazmore në Tetralia” preken edhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, ku të rriturit jo rrallë janë të paditur dhe pak herë kanë kohë të hyjnë në psikologjinë e fëmijëve. Regjia e shfaqjes është e Alma Hotit, ndërsa interpretojnë në role: Ledion Janushi, Fation Kokona, Arbër Islami, Keltjeta Shehu, Klaudio Gjergji.

Premiera e dytë “Tre ujqërit dhe derri i keq”, përshtatur nga Milena Selimi, do të shfaqet në datën 9 janar dhe është një përrallë gazmore që thyen “mitin” e ujkut të keq. “Tre ujqërit dhe derri i keq” u flet fëmijëve të grupmoshës 1-5 vjeç, e konceptuar si një bashkëveprim mes aktorëve dhe fëmijëve në sallë. Projeksionet filmike që do të sjellin atmosferën e pyllit, ndërtimi i shtëpisë në një skenë ku vetë fëmijët-spektatorë mund të behen protagonistë etj, do të përcellin mesazhin se gjithkush ka një zemër të mirë, mjaft që të përpiqemi ta zbulojmë atë.

Regjia e shfaqjes është nga Dasara Xhangolli dhe interpretojnë aktorët: Nelson Mulla, Bruno Muskaj, Marsel Rupi, Marsel Greva, Olta Çali. Skenografitë e të dyja shfaqjeve janë realizuar nga skenografi Beqo Nanaj, realizues i shumë skenografive të tjera në Teatrin e Metropolit, ndërsa kostumet janë realizuar nga Sofi Kara. “Ndodhi gazmore në Teatralia” dhe “Tre ujqërit dhe derri i keq” do të shfaqen deri në 27 mars.

Qëndra Kulturore Tirana është themeluar në vitin 2005, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Në varësi të saj janë Teatri i Metropolit, Teatri i Metropolit për Fëmijë, Cirku i Metropolit dhe Ansambli Folklorik.

                                                                                             2011-01-04 14:11
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›