“E urova fituesin, votat ishin të ligjshme”
Flet ish kandidati i PD-së në komunën Temal të Shkodrës, Nard Mani
U shpall fitues, por e përmbysën 5 votat pro’ PS-së, që ndodheshin në kutitë e këshillit
Ish kandidati i Partisë Demokratike në komunën Temal të Shkodrës, sqaron publikisht rrjedhën e ngjarjeve të katër viteve më parë. Ai thotë se 5 votat e gjetura në kutinë e këshillit komunal, i hoqën atij “kurorën” e kryetarit të komunës.
Verdikti i votuesve ishte se kjo garë i takonte rivalit socialist, Mark Zhuri. Ai humbi me dy vota diferencë, por në shenjë qytetarie Nard Mani i ka dhënë dorën rivalit të tij, Mark Zhuri.
Mbi të gjitha Kolegji Zgjedhor respektoi vullnetin e banorëve, vullnetin e votuesve, pasi ato vota nuk mund të shpalleshin të pavlefshëm për faktin se gjendeshin në kutinë e gabuar, në një njëjtën Qendër votimi.
Raste të tilla me atë që ju ndodhi juve në vitin 2007 po përsëritën edhe në Tiranë. Ne duam të dimë diçka më shumë në lidhje me precedentin që u ndodhi juve gjatë zgjedhjeve katër vite më parë?
Unë, në 2007, kam kandiduar për kryetar komuna në Qarkun e Shkodrës, në komunën Temal, për Partinë Demokratike. Procesi i votimit ishte i rregullt. Gjatë numërimit, në kutinë e fundit unë dola fitues me 3 vota diferencë plus. Për këtë fitore më uroi dhe kandidati i majtë. Kur u hap kutia e subjektit politik, për këshillat, në këtë kuti u gjetën pesë vota të subjekti politik që ishin hedhur gabimisht nga votuesit. Më pas, disa informacione që i kishin ardhur kandidatit socialist nga Partia Socialiste në Tiranë, i thanë ta ankimonte procesin. Të njëjtën gjë bëra dhe unë, e ankimova çështjen në KZAZ. KQZ-ja ma rrëzoi mua kërkesën dhe ja dha mandatin kandidatit të Partisë Socialiste.
Ju po thoni që KQZ ja dha këto vota PS?
Po, ja dha kandidatit të PS dhe e shpalli fitues. Më pas unë e ankimova në Kolegjin Zgjedhor, por edhe ai la në fuqi vendimin e KQZ. Votat e gjetura në kutinë për këshillat bashkiak u cilësuan të vlefshëm dhe ju kaluan kandidatit të Partisë Socialiste, duke e shpallur fitues atë. Fillimisht mu duk diçka pa kuptim, por më pas u konsultova me jurist të ndryshëm dhe më thanë, se derisa vota është e rregullt dhe nuk është e prekur është e vlefshme dhe nuk mund të mos marrësh parasysh vullnetin e popullit. Sepse vullneti i popullit është shprehur pavarësisht se ka ndodhu ngatërrimi i kutive.
Çfarë bëtë më pas?
E gjitha është se, pasi u konsultova me juristë dhe ma sqaruan gjithë procesin e urova kandidatin socialist.