“Aleanca për Qytetarin” triumfon në gjithë Shqipërinë, kryeson edhe në 7 minibashki të Tiranës
“Harta blu” e fitores së PD dhe “Aleancës për Qytetarin” konfirmohet me 72 mijë vota më tepër se rivalët në shkallë kombëtare
Koalicioni i madh “Aleanca për Qytetarin”, i kryesuar nga Partia Demokratike ka korrur një fitore të bindshme në zgjedhjet për pushtetin vendor që u mbajtën në 8 maj 2011. “Harta blu” është shtrirë nga veriu në jug si dhe nga perëndimi në lindje, duke konfirmuar kështu alternativën e mazhorancës qeverisëse si më të votuarën në të gjithë Shqipërinë. Shifrat falin qartë dhe kurrsesi s’bëhet fjalë për tendenca mediatike të njërës apo tjetrës forcë politike. Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, ka marrë në rang republike 733 520 mijë, kundrejt 662 630 vota të marra nga Partia Socialiste dhe koalicioni i saj “Aleanca për Qytetarin”.
Dukshëm, koalicioni i djathtë apo mazhoranca e këtij vendi, ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Ajo që vërehet nga e gjithë kjo, lidhet me prirjen votuese të elektoratit që në këtë rast anon dukshëm nga Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin”. Kuptohet, PD dhe koalicioni i saj kanë më shumë vota se të marra në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. “Aleanca e Ndryshimit”, dy vjet më parë, mori në shkallë kombëtare 712 745 vota, kundrejt 688 748 vota të Partisë Socialiste dhe koalicionit të saj “Bashkimi për Ndryshim”.
Por po ashtu, nga ana tjetër, Partia Socialiste është luhatur thellë në vota, duke humbur plot 7v për qind të votave që kishte marrë në 2009-ën. Pra, duket qartë se ka luhatje të theksuar të votave të së majtës, teksa përpjesëtimisht është rritur me 6 për qind të votave Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”.
Në një kohë kur në Tiranë po numërohen votat për kryetarët e minibashkive, mësohet se Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin” në 7 njësi bashkiake nga 11 të tilla. Kësisoj, Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë është fitues në shkallë kombëtare me më shumë se 73 mijë vota.
Në të gjithë hartën elektorale, mbizotëron ngjyra blu. Në bashki dhe komuna PD ka fituar aq sa vota e të gjithë shqiptarëve, i japin këtij krahu politik 6 për qind më shumë vota se koalicionit të së majtës të udhëhequr nga Partia Socialiste. Shifrat i japin përgjigjen e merituar, pretendimeve të Edi Ramës, i cili do të deklaronte para zgjedhjeve se vota për vendoret 2011-të, do përkthehet në vota politike kundër kësaj qeverie dhe mazhorance që po qeveris.
Vota në shkallë kombëtare
“Aleanca për Qytetarin” dhe PD - 733 520 vota
“Aleanca për të Ardhmen” dhe PS - 662 630 vota
Partitë jashtë koalicioneve - 72 000 vota
Bashki
“Aleanca për Qytetarin” - 30 bashki
“Aleanca për të Ardhmen” - 35 bashki
Komuna
“Aleanca për Qytetarin” dhe PD - 173 komuna
“Aleanca për të Ardhmen” dhe PS - 103 komuna
PD fiton në 7 njësi bashkiake në Tiranë, PS në 4
Njësia nr. 1 - Fiton Lindita Nikolli e PS me 1000 vota diference
Njësia nr. 2 - Fiton Elez Gjoza i PD me 1300 vota diferencë
Njësia nr. 3 - Fiton Ilir Kokona i PD me 74 vota
Njësia nr. 4 - Fiton Hysen Xhura i PD me 1794 vota diferencë
Njësia nr. 5 - Në avantazh Jeta Seitaj e PS
Njësia nr. 6 - Në avantazh Krenar Cenollari i PS me 358 vota
Njësia nr. 7- Fitues Erion Koka i PS
Njësia nr. 8 - Fitues Arben Tafaj me 1900 vota diferencë
Njësia nr. 9 - Në avantazh Indrit Fortuzi i PD me 270 vota diferencë
Njësia nr. 10 - Fitues Blendi Fuga i PD me 545 vota diferencë
Njësia nr. 11- Fitues Haki Mustafa i PD me 1400 vota diferencë