Zbardhen edhe qindra vota të tjera në mbështetje të Lulzim Bashës

Rreth 100 fletë votimi janë identifikuar “pro” kandidatit të PD-së Lulzim Basha, pas hapjes së kutive të votimit për krerët e minibashkive. Panik në radhët e PS-së, të cilët kërkojnë të mos lexohet vota.
Basha: Votat e gjetura janë të vlefshme, KQZ të respektojë vullnetin e qytetarëve
Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha u shpreh dje gjatë një deklarate për shtyp nga selia e PD, se duhet të respektohet me përpikëri vullneti i qytetarëve të Tiranës në ushtrimin e të drejtës së votës. Përmes një deklarate për shtyp, Basha kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të shqyrtojë çdo votë të kontestuar si dhe ta konsiderojë atë të vlefshme pavarësisht se kujt kandidati i përket. “E di se ka një dëshirë për një rezultat përfundimtar por kjo nuk mund të cenojë parimin që numërimi i çdo vote të jetë i saktë dhe të reflektojë vlerat e demokracisë. Unë kam thënë që në fillim të procesit të numërimit, sikur kryesoja garën ashtu dhe kur nuk kryesoja, se të gjitha votat duhet të numërohen saktësisht, me ndershmëri, dhe në mënyrë të barabartë, dhe se zeri i çdo qytetari duhet të dëgjohet në mënyrë të barabartë. Aq më shumë që kjo garë është kaq e ngushtë, të gjithë kandidatët dhe partitë duhet të respektojnë zërin e çdo qytetari. Në fund të këtij procesi, gjëja më e rëndësishme nuk është kush fiton dhe kush humbet, por që demokracia të funksionojë dhe që qytetarët të kenë bindje dhe besim se rezultatet reflektojnë saktësisht votat e tyre. Për këtë qëllim ne duhet të konsiderojmë çdo votë të vlefshme dhe procesi për të përcaktuar vlefshmërinë e çdo vote duhet të jetë njëlloj në çdo vend numërimi votash. Çdo votë legjitime duhet të numërohet me të njëjtin standard dhe legjitimiteti i çdo vote të kontestuar duhet të përcaktohet nëpërmjet procesit normal ligjor. Për këtë arsye unë do t’i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë çdo vote të kontestuar, pa përjashtim, dhe pavarësisht se cilin kandidat favorizon”, u shpreh kandidati demokrat, Lulzim Basha. Sipas Bashës, çdo vote duhet t’i jepet mundësia të numërohet dhe zërit të çdo qytetari t’i jepet mundësia të dëgjohet. “Gjatë këtij procesi unë mund të fitoj ose humbas, por padyshim Tirana do të kelt fituar”, deklaroi Basha. Në përfundim, Basha falënderoi të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit, të cilët ndihmuan përgjatë gjithë këtij procesi dhe shumë prej të cilëve vazhdojnë punën duke përfshirë finalizimin e tabelave dhe konfirmimin e saktësisë së rezultateve në garën për kryebashkiak.
Në njësinë bashkiake nr. 7/ Gjenden 31 vota “pro” Bashës, të hedhura në kutitë e kryetarin e minibashkisë
Gati 100 fletë votimi pro’ kandidatit të Partisë Demokratike janë gjetur në KZAZ-të e Tiranës, në disa nga kutitë për këshillin bashkiak dhe kryetarët e minibashkive. Plot 31 vota pro’ kandidatit demokrat janë gjetur vetëm në njësinë bashkiake nr. 7, të hedhura në kutinë e kryetarëve për minibashkitë. KZAZ vendosi që këto fletë regjistrimi të regjistrohen në librin e protokolleve dhe konstatimeve. Numri total i fletëve të votimit shkon në 31 të tilla. Por, e njëjta situatë përsëritet edhe në njësinë bashkiake nr. 6, 8, 9, dhe atë nr. 5. Ende nuk është e qartë nëse KQZ do t’i administrojë vetë fletët e votimit, apo do t’i lerë kompetenca vendimmarrëse KZAZ-ve përkatëse. Debati që po gjallon këto dy ditë është se, janë apo s’janë të vlefshme këto flet votimi. Kodi Zgjedhor nuk e parashikon një situatë të tillë, çka automatikisht bie çdo pretendim rreth pavlefshmërisë së tyre. Ato duhen trajtuar njësoj si fletët e votimit që ndodheshin në kutitë për kryetar. Ndodhia është, se ato ndodhen aty nga pakujdesia njerëzore, apo mos koordimin i ngjyrave. Ajo që mbetet shqetësuese është se mund të ketë edhe dhjetëra fletë votimit në të tjera kuti votimi të pahapura.
...