E vemë dorën në zjarr këtë herë: Kjo urgjencë duket premtuese
Rradhë të gjata me njerëz që mezi mbaheshin në këmbë, apo mure të rëna përtokë dhe një situatë e përgjithshme kaotike ku nuk dije ku të drejtoheshe! Kjo ishte panorama shokuese pak muaj më parë, për këdo që përfundonte në urgjencat e Qendrës Spitalore Nënë Tereza. Sot imazhi i urgjencës kryesore të Shqipërisë, duket në një gjendje aq të përmirësuar, sa të ngjan e vështirë ta besosh…
Të gjitha shërbimet e një urgjence normale tashmë ofrohen brenda në një godinë katërkatëshe të ndërtuar nga e para. Ambientet janë të pastra, personeli duket për herë të parë i qartë e të drejton menjëherë për aty ku je nisur.
Kjo është qendra e re e urgjencave në spitalin më të madh të vendit, aty ku shqiptarët tashmë marrin një shërbim ndryshe nga më parë. Pacientët mund të bëjnë atje të gjitha ekzaminimet dhe diagnostikimet pa pasur nevojë të sorollaten si më parë nga një pavion në një tjetër.
Në derën kryesore të godinës të presin dy recepsioniste të këndshme, të veshura me bluzën e bardhë dhe tepër korrekte në komunikim. Ambientet ngjajnë, për hir të së vërtetës, po aq bukur sa edhe klinikat private, aq të paarritshme për xhepat e shqiptarëve të varfër. Është një pamje tjetër e cila na bën të ndihemi ndryshe. Ambjentet e papërshtatshme dhe aspak komode nuk i vuajnë vetëm pacientët por edhe ne. A e dini se çfarë do të thotë të punosh në një urgjencë ku mbizotëron i ftohti, ku muret janë të rëna, pacientët dhe mjekët lëvizin në mënyrë kaotike e ku nuk ka shtretër dhe ku pacientët nuk dijnë ku të shkojnë?. Pyetjet retorike shqiptohen nga personeli i kësaj urgjence të re. Kështu kemi punuar më parë për shumë vite, vazhdon pohimin e saj infrermierja Marte Buna, tani ndihemi më komod dhe puna ka më duk, si i themi ne shqiptarët! Ndihem mirë jo vetëm karshi pacientëve por besoj edhe pacientët me ne.
Tashmë me vënien në punë të kësaj urgjence, pacientët kanë të tjera kushte dhe aparatura të cilët qëndrojnë tek koka e tyre. Një ekran elektronik tregon çdo parametër shëndetësor, nga ana tjetër e kokës së pacientit është shiringa elektrike e cila bën të mundur injektimin e medikamentit në kohën dhe sasinë e duhur sipas programimit të bërë për sëmundjen e çdo personi. Ndërkohë për pacientët e sëmurë nga zemra të cilët edhe janë më të shumë të këtë shërbim, në dhomat e tyre është edhe në funksionim edhe një defribrilator që bën të mundur kthimin në jetë të të sëmurëve në momente shoku. Duken kushte moderne, vërtet ndihemi mirë. Kur na përcjellin në pavione të cilat janë larg këtyre kushteve në fakt ndihemi keq. Këtu më duket se është ndryshe, është më mirë,- pohon pacientja Mirjeta Alushi.
Por në këtë spital nuk janë vetëm këto aparatura të cilat bëjnë të mundur kurimin e pacientit. Në dy kënde të tjera janë të vendosura aparaturat diagnostikuese siç janë eko-grafitë, skanerët dhe rezonanca manjetike. Me hapjen e këtij spitali ne tashmë mund të themi se jemi në të njëjtat kushte si spitalet në botë. Nëse më parë për një mjek të urgjencës do ti duhej edhe një ditë apo më shumë për vendosjen e diagnozës, tashme me disa orë ne mund ti themi pacientit nga se vuan, ndërsa ne kemi mundësi manipulimi shumë më herët. Skaneri është teknologji e vitit 2011 pra fjala e fundit e shkencës dhe shërben për të gjitha urgjencat e QSUT-së. Tashmë diagnoza vihet shumë shpejt, pohon shefi i imazherisë
Mehmet Hoxha: Ja risitë e urgjencës
Ky spital është godinë e re me investim 24 milion euro, i konceptuar si një spital në qendër të QSUT. Risia e parë e këtij spitali është centralizimi i të gjitha urgjencave mjekësore që do të thotë urgjenca urologjike, urgjencat medikale, urgjencat kirurgjikale dhe më vonë urgjencat infektive të gjitha do kenë një qendër të vetme. Kështu shprehet shefi i urgjencës Mehmet Hoxha duke shtuar se në këtë spital është një set i plotë i të gjitha aparaturava imazherike i të gjitha aparaturave funksionale që bëjnë të mundur një ekzaminim në kohë rekord të pacientit në të gjitha nivelet e urgjencave. Njëkohësisht aty ndodhet ehe laboratori i centralizuar i cili bën të mundur të gjitha ekzaminimet. Pra një pacient i çfarëdolloj urgjence në një kohë rekord mund të marrë ndihmën e parë sepse janë të gjitha mjetet mjekësore mund të marrë diagnozën e saktë dhe pas kësaj pacienti mund të shkojë në shtëpi ose në pavionin përkatës për të marrë shërbim, pohon Hoxha.
Qendra e re, vetëm një prej fazave të projektit
Qendra e re e urgjencës përbën vetëm realizimin e fazës së parë nga 5 gjithsej për modernizimin e gjithë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në ndërtesën e re funksionojnë 93 shtretër, si dhe laboratorët e specializuar për të gjitha nevojat e spitalit, me shërbim 24 orësh. Aty ndodhen departamenti i Radiologjisë dhe diagnostikës funksionale me 2 aparatura skaner, 1 rezonancë magnetike, 3 aparate për grafi dixhitale, 2 aparate fluroskop, 3 eko abdominale dhe 1 eko kardiake.
QSUT, mjekët e rretheve të zbatojnë referimin
Mjekët e rretheve nuk duhet të abuzojnë me dërgimin e urgjencave pa arsye drejt QSUT në të kundërt do të ketë ndëshkime ndaj tyre. Kështu shprehen burime zyrtare pirna drejtorisë së QSUT-së të cilët theksojnë se të gjitha urgjencat që vijën nga rrethet do të shqyrtohen nëse kanë qenë të nevojshme për të ardhur në spitalin më të madh të vendit. Ndodh shpesh që mjekët e rretheve i dërgojnë edhe për ndërhyrje të thjeshta si apandesit dhe patologji të lehta dhe nuk i mjekojnë vetë. Tashëm kjo praktikë do të marrë fund. Mjekët e rretheve do të ndëshkohen për këtë sipas rregullave sepse janë ata që duhet të zbatojnë sistemin e referimit:, pohojnë burime pranë QSUT-së.
Ivziku: Vlerësim të pacientëve sipas gjendjes
Për herë të parë në shëndetësi po hyn një formë e re e vlerësimit të gjendjes së pacientëve. Në Spitalin e Urgjencave, sistemi i informatizimit ka sjellë një tjetër risi atë të klasifikimit të pacientëve sipas gjendjes shëndetësore në të cilën paraqiten. Ne kemi bërë të mundur regjistrimin e pacientëve sipas gjendjes që paraqiten që do të thotë nëse ai vjen në gjendje të rendë regjistrohet tek rastet me pikë të kuqe, ne gjendje më normale me portokalli të verdhe ose jeshile në ato raste kur kërkon ndihmë mjekësore për pak orë dhe largohet në banesë pohon drejtori i përgjithshëm i QSUT, Saimir Ivziku. Sipas tij, ky sistem do të bëjë të mundur nxjerrjen e të dhënave se nga cilat sëmundje vuajnë shqiptarët dhe kur paraqiten tek mjeku.
