E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta pa alternativë



Astrit LULUSHI (SHBA)

Pyetje e vështirë. Për disa, dashuria është miqësi - si dy drunj, një-mbi-një që digjen në vatër. Për të tjerë dashuria ështe si fati, duhet udhëtuar larg që ta takosh. Por, sido që të perkufizohet, dashuria është e vërteta e vetme, pa alternativë. Njeriu dashuron ose jo.
Dashuria është e duruar, e sjellshme. Ajo as fryhet dhe as mburret. Të keqen e anashkalon, gjithmonë duke kërkuar në thellësi që s’mund të maten. Dashuria edhe krijohet. Shiko te tjetri për anët e mira. Nëse kjo bëhet lehtë, edhe dashuria gjendet lehtësisht.
Dashuria është e larmishme. Ajo romantike është e thellë, e ngjeshur e pa fund, me intimen, ndërpersonalen e sensualen. Edhe dashuria, që quhet platonike, ështe njësoj e fortë, ndoshta më e ndërlikuar, por vetëm në ndjenja, me dëshira të pashpresa për t’u realizuar.
Ndonjëherë dashuria vihet në dyshim. Disa thonë se ajo është e rreme, pakuptim apo nuk ekziston; sa urrejtje janë ndezur e tradhti jane kryer në emër të dashurisë?, pyesin ata. Dhe kjo ngre pyetje të tjera: a është dashuria përgjegjëse për të gjitha këto, apo janë njerëzit, që kanë harruar kuptimin e saj?
Dashuria gjithmonë ka mbizotëruar në art, muzikë, poezi, pikturë, skultpurë e letërsi. Edhe psikologjia e ka zbërthyer thelbin e saj, siç ka bërë biologia, antropologjia dhe neuroshkenca. Psikologjia thotë se fenomeni i dashurisë – intimja, zotimi, pasioni - është shkak shoqëror. Ndërsa filozofia pajtohet me fenë, kur thotë se dashuria është shkalla më e lartë e tolerancës.
Por dashuria ndoshta është thjesht përputhje, që e bën të niset në udhëtim drejt së panjohurës, sepse personi pranë a përballë mund të jetë më pak i afërt a i përshtatshëm me atë, që ndodhet mijëra kilometra larg. Duaji të gjithë, besoju disave dhe mos i bëj keq askujt, thotë Shekspiri.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›