E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një krim i domosdoshëm…



Shumëkush, me anë argumentesh linguistike dhe deri psikoanalitike, e konsideron përkthimin si një proçes të pamundur, por mendoj se nuk është më koha të flasim për teori të tilla, kur praktika e çdo dite, në tërë planetin, dëshmon se përkthimi është i mundur. Porse që ky proces kaq i vështirë të realizohet, sigurisht, është e domosdoshme që punëtori i përkthimit të ketë njohuri shumë të mira nga të dyja gjuhët - në mënyrë të veçantë nga gjuha amëtare, të ketë kulturë të gjerë dhe, mbi të gjitha, gjeni krijuese. Për fat të keq, përkthimi letrar po shihet gjithshtu si mjet i pastër fitimi, ku pasioni, këmbëngulja, durimi nuk vihen në hesap.

Mira MEKSI

Që nga shekulli i pestë, kur u realizua përkthimi i parë në botë – Vulgata, përkthimi në latinisht i Biblës, punëtorët e përkthimit nuk e kanë lënë një çast punën e tyre robëtonjëse për të mbajtur të ndezur dialogun mes qytetërimeve dhe për të siguruar vazhdimësinë e së kaluarës njerëzore. Përkthyesi i lashtë u quajt “pontifice” – konstruktor i urës që lidhi Jeruzalemin me Romën, ndërsa sot përkthyesit shihen se enë komunikuese mes kulturave.
Shumë përkthehet, flitet dhe shkruhet për përkthimin.
Shumë përgojohet përkthimi letrar, zanati më i vështirë e më heroik, zanati më vetmitar, më i keqshpërblyer, zanati më anonim, më mosmirënjohës dhe më i domosdoshëm. I madhi Nabokov është shprehur: “ǒështë përkthimi? Në tabaka/ koka meite e poetit.”
Dhe, me këtë figurë kaq të dhunshme, ai rrëfen se në fund të fundit përkthyesi është autor i një krimi, i krimit që kryen ndaj letërsisë duke përkthyer.
Shumëkush, me anë argumentesh linguistike dhe deri psikoanalitike, e konsideron përkthimin si një proçes të pamundur, por mendoj se nuk është më koha të flasim për teori të tilla, kur praktika e çdo dite, në tërë planetin, dëshmon se përkthimi është i mundur. Porse që ky proces kaq i vështirë të realizohet, sigurisht, është e domosdoshme që punëtori i përkthimit të ketë njohuri shumë të mira nga të dyja gjuhët - në mënyrë të veçantë nga gjuha amëtare, të ketë kulturë të gjerë dhe, mbi të gjitha, gjeni krijuese.
Edhe më parë jam shprehur se, ndonëse kemi një traditë shqiptare të shkëlqyer të përkthimit letrar, se breza të tërë shkrimtarësh janë formuar në sajë të kësaj tradite, se ajo ka lënë vulën e vet në tërë kulturën tonë, sot kjo traditë ka filluar të zbehet (pa mohuar aspak raste të veçanta përkthimesh tejet cilësore) dhe një vërshim përkthimesh pa cilësi ka përmbytur tregun.
Është fakt se kemi patur uri për letërsi të vërtetë botërore, për atë nga e cila na privuan vite me radhë dhe, kështu, natyrshëm duam të fitojmë kohën e humbur në marrjen e vlerave kulturore, duam të lexojmë të plota edhe ato kryevepra letrare, që na u dhanë të masakruara përgjatë viteve të shkuara. Por, megjithatë, është e pafalshme të tolerojmë përkthime të këqija, shtrembëruese deri në neveri të origjinalit.

* * *
Do të mundohem, sado shkurt, të bëj një analizë të shkaqeve.
Së pari, mendoj se në përzgjedhjen e përkthyesve nga botuesit ende vërehet një nepotizëm i theksuar, dhe kjo vjen se nuk çmohet siç duhet pesha e përkthimit letarar.
Vepra të rëndësishme u jepen për të përkthyer miqve, farefisit, njerëzve të familjes, mjafton që këta të kenë qenë disa muaj jashtë shtetit – dhe, ç’është më e keqja, me ndërgjegje i miratojnë si njohës të mirë të gjuhëve të huaja, e pra të aftë edhe për të realizuar përkthime letrare.
Për fat të keq, përkthimi letrar po shihet gjithshtu si mjet i pastër fitimi, ku pasioni, këmbëngulja, durimi nuk vihen në hesap.
Më parë, mendoja se poezinë mund ta përkthenin me sukses vetëm poetët dhe se përkthyesit jopoetë as që duhet t’i afroheshin përkthimit të saj. Me kalimin e viteve, duke lexuar poezi të përkthyera në shqip nga mjeshtrit tanë të përkthimit, kuptova se ndonëse Nabokovi, në vend të kokës së Shën Batistit ka vënë kokën e poetit mbi tabaka, dhe pikërisht mbi tabakanë e përkthimit (ǒështë përkthimi? Mbi tabaka koka meit dhe vezulluese e një poeti, - përgjigjet ai), poezia mund të përkthehet me sukses nga jopoetët (e kjo është relative, mbasi ndoshta më saktë do të qe nga njerëz që nuk kanë botuar poezitë e tyre origjinale), kur këta kanë vesh të mirë dhe ndjeshmëri muzikore.
Por, ndër ne, po ndodh rëndom që të përkthehet poezi nga gjuhë e shtatë apo e tetë; nuk di se ku shkon ritmi, muzika e vargut, që është edhe elementi më i rëndësishëm i poezisë dhe që mund të ndjehet veçse në origjinal, aty prej nga mund të rikrijohet pastaj ngjashëm në gjuhën tënde.
Puna shkon edhe më zi, kur bëhen antologji të tëra, ku përfshihen dhjetra poetë shumë të ndryshëm në kohë, në stil, në gjuhë, në muzikë.
A mund të shndërrohet përkthyesi në një kameleon të tillë letrar të paparë?!

* * *
Ritmi i shtuar i botimeve ka bërë që edhe disa përkthyes të kujdesshëm e me përvojë të gjerë përkthimore, të rrëmbehen nga ky vrull gjer aty, sa të harrojnë përgjegjësinë e tyre të madhe dhe të përshpejtojnë punën në dëm të cilësisë.
Shpesh dëgjoj për “përmirësime” që u bëjnë përkthyesit teksteve origjinal, shtesa të vogla që me siguri “nuk i kanë shkuar në mendje” autorit, apo pakëz “kripë” që i hedhin humorit të veprës – puna shkon gjer aty, sa të thuhet: “Bëj bè se është më mirë në shqip, sesa në origjinal!”
O Zot, si guxojnë këta përkthyes të heqin dorë nga pozita e tyre “e përunjur” ndaj autorit?!
Si guxojnë të marrin pozita prej kapadinjësh dhe të nxjerrin kështu në shesh, qoftë dhe pa dashur, pafatësinë e tyre?!
Ka pastaj edhe syresh, të cilëve u vjen fort ndoresh që, një më dy, të bëjnë shpjegime nga ato që duhet e që mundet të shmangen, dhe t’i stolisin me shpjegimin e shpjegimit: shënim i përkthyesit. A nuk është kjo një ndërhyrje e pacipë e përkthyesit në tekst, a nuk vjen e ulet kësisoj përkthyesi në një tryezë, ku nuk e ka ftuar kush?! Në një tryezë ku ka vend vetëm për autorin dhe lexuesin?!
Siç thotë një përkthyes i madh, të cilit nuk ia mbaj mend emrin (e kush ua mban mend emrin të gjorëve përkthyes të mirë!): “Në të vërtetë, përkthyesi duhet të jetë i padukshëm në një libër; ai shfaqet aty vetëm një herë, në është e mundur, mbi kopertinën e librit.”

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›