Besa për 24 orë
Roland GJOZA
Gjaksi lëshoi denën dhe iku. Pylli e fshehu. Atje në fshatin e tij ishin mbyllur dyert e kullave me kohë. Njerëzit e viktimës, vëllazëria më së shumti dhe simahorët, shokët e tyre më të afërt, ia behën menjëherë dhe bënë pushkë në fshat. Kishin lidhur kokën me sharpe të zinj dhe bishtat e tyre të gjatë u binin gjer përdhe. Qëlluan portat, kanatat e dyfishta të dritareve me rrjetë hekuri, muret prej guri, çatitë e pjerrëta prej druri, nxorën dufin dhe u kthyen mbrapsht. Plaku i shtëpisë, një meit i pakallur, i mjeroi me fjalë. Nuk kishin bërë mirë që e kishin shprazur ashtu dhimbjen për vëllanë e vdekur.
Kufoma u la me sapun që kundërmoi, u vesh e u mbath si për një udhëtim dasme.Gratë shkulnin flokët pa zë.
Në shtëpinë e gjaksit, plaku shpatullan me mustaqe të kthyera përpjetë dhe mjekrën gjer në brez, e përzuri duargjaksin me pezm e kercënim për dëbim nga shtëpia, se sipas tij ai ia kishte mbathur si një frikacak. Atje, atje duhet shkuar, në varrim të atij humbësi. Kështu kishin bërë të parët. Ishte për nder e respekt të maleve të Pikëllimës e të Bjeshkëve të Namuna
Mori kalin vrasësi, lidhi të dy sytë me shami të kuqe dhe kapërceu me një frymë një mal e një pyll e fill te meiti në arkëmort. U qetësua gjindja në kullë, sa e pa ashtu sylidhur. S'pipëtinte kush, veç fluturat e mëdha të varreve. Ato kishin bujtur bujshëm me frushullimë te dhoma e freskët e të fjeturit të qiellit. Ai ishte kaq i qetë e fare pa vramendje në ato dërrasa të freskëta lisi të latuara, përplot nyjëza e damarë jete, sa të vinte të mendoje se pikërisht këtë ditë prehjeje kishte pritur zimaziu. Dy zonjëza me lot në sy i bënë nderet vrasësit. Jashtë kali i tij hingëllinte për pelën e kulltë e aq të bukur të njeriut të ngrirë në arkëmort. Tuhafi, mendoi për kalin, do më bëjë me turp. Ashtu ndodhi. Kur dolën për të përcjellë arkëmortin në varrezë, ata të dy, kali i vrasësit dhe pela e kulltë tejet lozanjare e viktimës, e bënë atë turp të dashurisë epshore, me një skenëzë aq të pacipë dhe trullosëse, sa i bëri shumëkush ktheu kokën pas me mahi. Riti i zi, aq i respektuar, për djall. Kush i duronte hingëllimat e tyre të çmendura, atë epsh të shprehur krejt hapur, atë dalldi kafshësh që s'donin t'ia dinin për të zotët e tyre të kapluar gjëmshëm nga halli më i madh në jetë; njeri po shkonte drejt natës së parë të varrit (Pasha natën e vetme!), tjetri për kah nata e vet e fshehjes dhe e strukjes së përjetshme.
* * *
Mbërritën në varrezë. Gropa ishte mbushur me pare. Mbi pare e shtrinë meitin, për ta patur më të lehtë rrugëtimin e largët. Dhe ai hodhi pare. Ato tingëllinë thatë. E mbuluan gropën dhe ai s'ishte më, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Pastaj gjindja iku me ngut dhe ai mbeti vetëm në varrezë. Krejt vetëm, i braktisur përgjithmonë. Pa varrin për herë të fundit, ndjeu humbshëm një fërgellimë të lehtë tek ato dhera të freskëta, këqyri rrëzima e shkarrëzima të vogla, madje i bëri përshtypje edhe një vrimë që u zmadhua befas, kthehu kokën me një fill llahtarie, pa një krah fluture, vetëm një krah përplot larzime ngjyrash të hareshme, një krah që u shfaq aty tronditshëm e përpëlitej me mundim, dhe ia mbathi sakaq. E ndiqnin ngulmueshem disa njerëz me guna dhe mjekra gjer në brez. Në ballë kishin lidhur nga një sharp të zi me bishta të gjatë gjer përdhe.
Mori kalin dhe kalëroi me rrëmbim, pas e ndiqte pela e kulltë. Pak me tej, dukeshin mbi kuaj njerëzit me sharpe të zinj. Mbërriti në kufirin e fundit të fshatit. Qëndroi një grimë. Deri këtu ishte i shpëtuar. Që nga ky çast, e prisnin pritat e pafundme, ngujimi, vdekja për së gjalli. Ngriti dorën në shenjë përshëndetjeje, lëshoi një majekrahu si falenderim, goditi kalin në brinjë dhe humbi në pyll. Një krismë e thatë e ndoqi për një kohë, ajo ishte shenja e paralajmërimit se ai gjakës do të shndërrohej në viktimë dhe andej nga humbësi, që po shihte natën e vetme të varrit, një gjakës tjetër ishte shfaqur, ai do ta ndiqte këmba këmbës për gjithë jetën.
Në kullë e pritën me pishtarë, e përqafuan për punën e paqme dhe e lëvduan për pelën e kulltë që kishte sjellë. Por plaku tha se pela duhej të kthehej mbrapsht, se kështu hynin dy herë në gjak. Fjeti top atë natë.
* * *
Andej, në atë anë ku mbahej zi, në agsholin ende me natë fërrmoi flutura e madhe mbi varr dhe qentë e katundit pikasën hijen e të vdekurit, që po shkonte drejt kullës së vet. Qentë ia nisën hungullimave e lehjeve në kor, se qentë i shikojnë kufomat kur shndërrohen në flutura, pasi braktisin varret dhe vijnë të qënderojnë në dhomat e kullës e të përgjojnë kujën e zisë për dyzetë ditë. Kaloi një stinë e qershiglave në gropë dhe erdhi ajo e djegagurit.
Vrasësi përgatitej për dasmë. U nis plaku të kërkonte besë 24 orëshe. Me dhurata, pare e lutje. Ishte një dhomë e madhe, ku i futën në mëngjes dhe i lanë pa ujë e pa bukë gjer në muzgun e parë. Ishin rreth sofrës, po sofër s'kishte.Veç një kryq i kthyer përmbys. Krishti vuante ende në atë përmbysje në sofrën e bukës. Do të hapej dera, do të hynte dikush për të kthyer kryqin mbarë?
Perëndoi dielli. Ata u bënë gati për të ikur, ndoshta i vdekuri nuk ishte i një mendjeje që vrasësi të martohej. Mos vuante shumë dhe nuk i kishte ecur në ato yrte të pafundme andej nga prapatoka?
Po dera u hap, hyri prifti që ktheu mbarë kryqin, pleqte shtrënguan duart, gratë shtruan sofrën. Ishte dhënë besa 24 orëshe.
Gjaksi i ri mori gjelin e zi me vete, atë më gjaksorin dhe u nis per në dasmë. Ai i pa të gjitha skenëzat galduese të një dasme mali, dikush i solli të hante një sahan plot mish e pilaf, një brokë të madhe me verë. Ky gjaks i ri ishte një shpatullan i fuqishëm, krejt i heshtur, që hante e pinte pa masë. Atë e merrnin me të mirë, sidomos gratë dhe ai hungëronte mbytur, duke përhapur panik. Dasma kishte 1000 të ftuar, bashkë me gjaksin bëheshin 1001. Ai nuk afrohej, rrinte larg. Gratë, kur e kur, e lusnin që ai të merrte pjesë në valle, madje njëra, më e bukura e asaj darke, guxoi dhe e mori për dore, por ai u kujtua se kishte ardhur për të vrarë dhe nuk pranoi. Piu sa u bë thumb, dëgjonte këngën e gjelit, që e kishte marrë për sahat, shënonte me mend orët e natës dhe të ditës kur gjeli i zi ia thoshte më qejf të vet dhe varg e vistër shoqërohej paqësisht nga gjelat e viktimës, ndërsa ai ia këpuste gjumit, pastaj çohej e prapë binte, hapte e mbyllte sytë, me kokën e rënduar nga pija e me plendësin e fryrë si kacek, ndërkohë që po i vinte fundi kësaj bese 24 orëshe. I kishte numëruar këngët, plot 13 këngë të paqta, 13 kikiriki të gjelit të zi, po jo më shumë.
Ja, prapë pela e tij e kulltë u duk aty. Pela e viktimës, e re, e bukur, në veskun përplot mysk të dashurisë. Nuk i pëlqenin këto punë delikate gjaksit. Çukërmonte ajo thundrat në bokërrimë, ngrinte turirin e hollë e ndezur për kalin e dhëndrit, që e priste i ngarkuar me prikë. Ai hamshor hingëllinte hareshëm dhe kjo epshnajë e të dyve përzihej me gjëmimin e tupanit, cyrles, llahutës. Edhe ajo kafshë e bukur donte të martohej. E, si e kishte bërë i madhi Zot, me kaq fort gaz e hare këtë punën e dasmës, mirë thonin të urtët se njeriu dy herë qan, kur lind e kur vdes dhe vetëm një herë qesh, kur martohet.
* * *
Gjeli i zi ishte lëshuar hyrrja-byrrja dhe po bënte kërdine mbi gjelat e pulat e atyre të besës 24 orëshe, që po bëhej fir për pak. Ai djall kacafytej, çukiste për vdekje, shtypte e këndonte mbi gardh me një zë si pickamë, përmbi këngët e dasmës, aq sa ia humbi fillin gjaksit. Për të keqen e tij, një luzmë fluturash të mëdha fëshfërinë mbi dasmën. Sikur u hap e u mbyll një erashkë. Një flutur u ul mbi tytën e pushkës së tij. Përpëliste krahët dhe lëvizte brirëthit me një lloj ankthi. Vëlla, dëgjoi ose iu bë, vëllau em! Ai që më vrau mue ban darsëm, gëzon me nusen e vet të re. Nusja eme qan! Ti ke hangër e ke pi prej bukës e venës së tyne. Të ka shijue, vëllau em! Mue më kanë gëlue krimbat. Krimbat po më hanë, krimbat e babëzitun, vëlla prej nji gjaku, vëllau em, armiku em!
Ç'po thue, i dashtun vëlla, iu drejtua fluturës gjaksi, po sakaq ajo fluturoi dhe hyri në odën e fjetjes të dhëndrit dhe nuses. Pse hyri atje? O Zot! Atë e mbuluan djersë të ftohta.
Ishte koha kur dhëndri do të binte me nuse në shtratin prej dru lisi me një qiri e ikonë te dritarja. Po kohë s'kishte. Jo 13, po 19 këngë kishte kënduar ai sahat i Noes.
Nuk iu drodh dora aspak, kur qëlloi në shpatulla dhëndrin, që po përkulej për të hyrë në odën e virgjërisë. Në mes të zallamahisë, këngëve të grave përplot mahi, lodrës që binte fort, piskamës ngashnjyese të gjelit të zi, atij gjaksori e dashnori të prapë, që t'i prishte mendtë, ai vrau dhëndrin dhe lëshoi denamën lart në çukë, kur po merrte turravrap për në fshat. Flutura e madhe e ndiqte, pela e kulltë, gjeli i zi.
Plaku si meit i pakallur kishte gjelin e vet, që ende nuk kishte kënduar 13 herë dhe, kur i biri i kumtoi vrasjen, ai i hodhi ujë zjarrit në vatër. 400 vjet që ky zjarr nuk shuhet, ç'bane bir, kishim dhanë besë. Je ngutë, bre, burrë i dheut. Na turpnove për jetë të jetëve!
Vrasësi u vra katundërisht. Kullës iu hoq guri i qoshes, familja e fisi u dëbuan.
Ajo kullë e pjerrët është edhe sot, nën hijen e Bjeshkëve të Namuna, krejt e shkretë, e mbuluar nga ferrat dhe gjëmbaçët. Ajo quhet kulla besëpreme.
14 Prill 2009